(Ritet e ceremonisë së kësaj dite, u kryen nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxh Dede Baba, Edmond Brahimaj. Merrnin pjesë klerikë, besimtarë e miq nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, etj….)
Nga Nuri ÇUNI
Besimtarë të shumtë, klerikë bektashian e të besimeve të tjera fetarë, familjarë, intelektualë të shumtë, miq e dashamirës ishin të premten e 4 prillit 2025, në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, për të kryer ritet e përkujtuar 14-vjetorin e varrosjes së ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba, Reshat Bardhit. Kishte të ardhur dhe nga Maqedonia e Veriut, Kosova e vende të tjera në Europës e më gjerë, ku punojnë e jetojnë bektashinj. Që nga ora 10:00 e kësaj dite, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, priti besimtarët e shumtë, ndërsa në orën 12:00 të po kësaj dite, përshëndeti të pranishmit. Në vijimësi, u bë falja dhe ritet e tjera të kësaj ceremonie. Vizitat e pritjet, vazhduan dhe pas drekës së përbashkët. Krahas të tjerave, për të ardhurit, nga organizatorët, ishin marr dhe masa të tjera në funksion të kësaj dite. Po ashtu, kujtimi i 14-vjetorit të ndarjes nga kjo jetë e Dede Reshatit, u bë dhe në gjyshatat e tjera bektashiane, brenda e jashtë Shqipërisë.
PËRSHËNDETJA E DEDE EDMOND BRAHIMAJT
Në emër të Zotit Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Të nderuar të ftuar, besimtarë! Të nderuar dashamirës, bijë dhe bija shpirtërorë të Dede Reshat Bardhit! Jam i nderuar sot, që me pjesëmarrjen tuaj, nderojmë në këtë 14 vjetor të kalimit nga jeta, me lutje dhe dua’ e mevlud, Kryegjyshin dhe Myrshidin tonë shumë të dashur Dede Baba Reshat Bardhi.
Kryegjyshi fort i nderuar nga çdo njeri, pavarësisht pozitës, moshës, kombësisë, që i përkiste përulej me nderime përpara figurës së Shenjtë të Tij. Myrshydi ynë dha shpirtin dhe jetën për bektashizmin, sakrifikoi gjithçka kishte, veçse bektashizmi të riniste udhën e ndalur padrejtësisht nga regjimi i ashpër komunist. Sakrifikoi për t’i ndenjur afër Dede Ahmetit dhe për t’i shërbyer atij me përulësi. Drejtoi me urtësi në rihapjen e demokracisë dhe ndoqi udhëzimet e fjalët e urta të Myrshidit të Tij Dede Ahmetit. Përballoi furtuna të konflikteve të 1997 në Shqipëri, por e mbrojti me guxim dhe trimëri Kryegjyshatën dhe teqetë e tij, mirëpriti qindra shtetas Kosovarë gjatë luftës në Kosovë në Teqe, ju dha strehim e ushqim dhe i konsideroi si bijtë e bijat e tij. Mikpriti qindra, mijëra, miliona besimtarë në pelegrinazhet e Malit të Tomorrit në vite, e po kështu në Martanesh tek Ballëm Sulltani, në Tetovë tek Harabati e në Gjakovë, deri në Detroit tek Baba Rexhebi.
Nderojmë sot një njeri të thjeshtë, njerëzor, ndihmues, i gjendur, përkrahës por Madhështor në Shenjtërinë e tij. Gjatë misionit të tij të shenjtë e mistik Dekretoi baballarë, dervishë, myhibë e myhibe, ju dha të gjithëve besimin dhe mbështetjen e tij që shërbimi të ishte ashtu siç e meritonte. Dhe kjo është detyra jonë, të vazhdojmë udhën e tij siç kemi bërë në këto 14 vite në mungesë të tij, me urtësi, dashamirësi, përkushtim, devotshmëri, ne mënyrë që vepra që la pas t’i mbijetoj çdo furtune dhe stuhie që sjell koha.
Dede Baba Reshat Bardhi, ndriçoi këtë vend me mirësinë e tij, dhe mistika e tij ngelet e provuar nga shumë besimtarë e besimtare, fryma e tij e Shenjtë është ende mes nesh, duhet ta ruajmë atë, si gjënë më të çmuar e me vlerë. Të gjithë ne, por edhe ata që s’mundën të na bashkohen, lutemi sot, për këtë Shenjtor që shpirti i Tij të prehet në paqen e amshuar, që vepra e tij të vijojë, që bektashizmi të qëndroj i bashkuar sepse rrënjët e tij janë të thella, që Kryegjyshata Botërore Bektashiane të vijojë punën si një institucion i pavarur politikisht, ekonomikisht nga çdo njeri me qasje interesash që nuk bazohen në besim. Misioni i Tij vazhdon, bektashizmi do të vijojë ta kujtojë këtë figura emblematike të vuajtjeve, të mbijetesës, historia tashmë ka shkruar në rreshtat e saj veprën e ndritur të këtij Shenjtori të paharruar për të gjithë! “Sepse Vdekja është afër dhe shoqëria jonë e përbashkët është e shkurtër. Lum ai njeri që e mbajti gjithmonë jetën pas vdekjes në sy, që kujtoi Ditën e Gjykimit me të gjitha veprat e tij, që bëri një jetë të kënaqur dhe që ishte i lumtur me fatin që Zoti i kishte caktuar”. – Imam Aliu (a.s)
Shpirti yt u prehtë në paqe Myrshidi im! Zoti na bekoftë të gjithëve !Amin!
PAK NGA JETËSHKRIMI I DEDE RESHATIT
…Ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Reshat Bardhi ka lindur më 4 mars 1935, në fshatin Lusën të Kukësit, në Veriun e Shqipërisë. Në moshën 6 -7 vjeçare, fillon të mësojë shkrim e këndim në gjuhën shqip dhe arabisht nga hoxha i fshatit. Në vitin 1944, familja e tij vendoset në rrethina të Tiranës, shumë pranë vendit ku sot ndodhet Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Reshati vazhdon mësimet në shkollë ndërsa kohën e lirë e kalon me studime të Kuranit. Në fillim të viteve 50 të shekullit të kaluar, Reshat Bardhi ka tërhequr vëmendjen e Kryegjyshit Botëror të asaj kohe Ahmet Myftarit, i cili ka parë tek djaloshi prej Lusnës të largët, jo vetëm prirjet mistike dhe fetare por edhe shembuj të një besnikërie të thellë. Ai bëhet udhëheqës shpirtëror i Bardhit dhe sipas rregullave bektashiane e drejton atë në rrugën mistike të çelur nga Haxhi Bektash Veliu. Në gusht të vitit 1954, Reshat Bardhi vishet dervish. Për arsye se shteti komunist shqiptar, kishte projektuar rrënimin e besimeve fetarë, në vitin 1958 ai e internon në fshatin Drizar të Mallakastrës. Në teqenë e Drizarit, do të shkonin fshehurazi besimtarë nga Kosova dhe Delvina, nga Kruja dhe Përmeti, nga Dibra e Vlora, nga Tetova dhe Skrapari. Me rrënimin e objekteve të kulteve fetarë në Shqipëri në vitin 1967, dervish Reshat Bardhi do të shkonte në Tiranë, për të provuar të tjera dhimbje fizike dhe shpirtërore. Ka punuar deri në vitin 1991 si punëtor krahu duke mos e humbur për asnjë moment besimin tek Zoti.
…Dede Reshat Bardhi ka një meritë të padiskutueshme për ringritjern e bektashizmit. Në vitin 1991 Reshat Bardhi riorganizon bektashizmin në Shqipëri me gjithë strukturat. Reshat Bardhi është shpallur Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, në Kongresin e VI bektashian të vitit 1993. E gjallëroi besimin bektashian, ringriti nga themelet objektet e kultit brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë. Dha një shembull të shkëlqyer të tolerancës fetare. Ai ka marrë pjesë në konferenca e takime ndërkombëtare të niveleve të lartë fetarë si në: Më 22 mars 1991, ka pritur në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Nënë Terezën dhe disa motra të urdhrit të saj nga Kolumbia dhe Spanja; në nëntor 1991, në Mekë, pritet nga autoritete të lartë fetarë të Arabisë Saudite, në shkurt të vitit 1992 shkon në komunitetin bektashian në Detroit të SHBA-së, ku pritet nga Baba Rexhepi; në gusht 1993 viziton teqenë-muze të Haxhi Bektash Veliut në Turqi ku pritet nga mijëra besimtarë bektashianë të ardhur nga Azerbaxhani, Kazakistani, Pakistani etj. U prit gjithashtu në drekë të veçantë nga Kryetari i Bashkisë së qytetit, Haxhi Bektash etj… . Që nga viti 1991 dhe deri në ikjen nga kjo jetë; në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Dede Reshat Bardhi ka pritur në çdo festë fetare, Presidentin, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ministrat dhe të gjithë ambasadorët e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Në vitin 1994-1995 shkon dy herë në Iran ku pritet nga drejtuesi më i lartë i fondacionit të Ehli-Bejtit, Z. Hossein Miri si dhe personalitete të lartë fetarë nga Irani, India dhe Kuvajti. Në mars të vitit 2001 ftohet në audiencë të veçantë nga Papa Gjon Pali në Vatikan; në gusht të vitit 2002, në Haxhi Bektash të Turqisë pritet midis të tjerëve nga Kryeministri turk, Eçevit; në tetor të vitit 2002 merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të OSBE-ODIR, në Azerbajxhan, n tetor të vitit 2003 ftohet në Vatikan, ku merr pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës, e pritet sërish nga Papa Gjon Pali; në shkurt 2004 merr pjesë në Konferencën Botërore për Paqe dhe Tolerancë të organizuar nga Patriarkati Ekumenal; në prill të vitit 2004 merr pjesë në simpoziumin e alevi-bektashinjve në Gjermani; në tetor të viçi 2005 pret në Tiranë me rastin e Kongresit VIII Botëror të Bektashinjve, Ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Z. Atilla Koç, Prefektin e Nevshehirit, dhe Kryetarin e Bashkisë së qytetit Haxhi Bektash; në dhjetor të 2005 përshëndet në Prishtinë Kongresin e Lidhjes Shqiptarë në Botë; në maj 2006 ka pritur në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, Sekretarin e Shetit të Vatikanit, Z. Xhovani Lajola; në qershor 2006, pret në Selinë e Shenjtë në Tiranë Kryetarin e Parlamentit të Turqisë, Z. Bylent Arinç; ka marrë pjesë në Konferencën Botërore të Liderëve Fetarë në Kioto të Japonisë; në tetor 2007, pritet në Stamboll nga lideri mysliman i Turqisë, Prof. Ali Bartokogly si dhe Kryemyftiu i Stambolli Mustafa Cagrici. Në nëntor 2007 pritet nga Kryeministri i Maqedonisë, Z. Gruevski; në shtator 2008 është pritur në Tiranë nga Kryeministri i Turqisë Tahip Erdogan; më 13 tetor 2009, u prit nga Senatori Kanadez Noel A. Kirsella, gjatë vizitës së tij në Tiranë; në maj të vitit 2010, në Çorum të Turqisë, pritet nga Ministri i Shtetit i Turqisë dhe i jepet statuja simbolike e paqes, për kontributin e tij të shquar, në rrafsh të tolerancës fetare etj… Dede Reshati ndërroi jetë më 2 prill të vitit 2011. Është dekoruar me medaljen: “Pishtar i Demokracisë” dhe urdhrat “Naim Frashëri i Artë” e “Flamuri Kombëtar”. Dede Reshati është qytetar nderi i Tiranës, Krujës, Kukësit, Beratit, Frashërit, Kavajës, Bulqizës, Gjirokastrës, Mallakastrës etj.
Fotot: Nuri ÇUMANI
Përgatiti faqet: Kujtim BORIÇI
“Ish-Kryegjyshi, Dede Reshat Bardhi fort i nderuar nga çdo njeri, pamvarsisht pozitës, moshës, kombësisë, që i përkiste përulej me nderime përpara figurës së Shenjtë të Tij. Myrshydi ynë dha shpirtin dhe jetën për bektashizmin, sakrifikoi gjithçka kishte, veçse bektashizmi të riniste udhën e ndalur padrejtësisht nga regjimi i ashpër komunist. Sakrifikoi për t’i ndenjur afër Dede Ahmetit dhe për t’i shërbyer atij me përulësi. Drejtoi me urtësi në rihapjen e demokracisë dhe ndoqi udhëzimet e fjalët e urta të Myrshidit të Tij Dede Ahmetit. Përballoi furtuna të konflikteve të 1997 në Shqipëri, por e mbrojti me guxim dhe trimëri Kryegjyshatën dhe teqetë e tij, mirëpriti qindra shtetas Kosovarë gjatë luftës në Kosovë në Teqe, ju dha strehim e ushqim dhe i konsideroi si bijtë e bijat e tij.”
“Dede Edmond Brahimaj: Dede Baba Reshat Bardhi, ndriçoi këtë vend me mirësinë e tij, dhe mistika e tij ngelet e provuar nga shumë besimtarë e besimtare, fryma e tij e Shenjtë është ende mes nesh, duhet ta ruajmë atë, si gjënë më të çmuar e me vlerë. Të gjithë ne, por edhe ata që s’mundën të na bashkohen, lutemi sot, për këtë Shenjtor që shpirti i Tij të prehet në paqen e amshuar, që vepra e tij të vijojë, që bektashizmi të qëndroj i bashkuar sepse rrënjët e tij janë të thella, që Kryegjyshata Botërore Bektashiane të vijojë punën si një institucion i pavarur politikisht, ekonomikisht nga çdo njeri me qasje interesash që nuk bazohen në besim.”
SOM 3
“…Kryegjyshata Botërore Bektashiane të vijojë punën si një institucion i pavarur politikisht, ekonomikisht nga çdo njeri me qasje interesash që nuk bazohen në besim. Misioni i Tij vazhdon, bektashizmi do të vijojë ta kujtojë këtë figura emblematike të vuajtjeve, të mbijetesës, historia tashmë ka shkruar në rreshtat e saj veprën e ndritur të këtij Shenjtori të paharruar për të gjithë! “Sepse Vdekja është afër dhe shoqëria jonë e përbashkët është e shkurtër. Lum ai njeri që e mbajti gjithmonë jetën pas vdekjes në sy, që kujtoi Ditën e Gjykimit me të gjitha veprat e tij, që bëri një jetë të kënaqur dhe që ishte i lumtur me fatin që Zoti i kishte caktuar”. – Imam Aliu”