CEREMONIA E LAMTUMIRËS SË BABA H EKURAN NIKOLLARIT, SOT NË GAZETËN ‘TELEGRAF’

Nga Nuri ÇUNI

Me prezentë të qindra besimtarëve bektashianë, klerikëve, nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Kosova, deputetëve, funksionarëve shtetërorë, vendorë, nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, mesditën e së mërkurës, 6 shkurt, në Teqenë e Alipostivanit-Përmet, u zhvillua ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit, të baba Hekuran Nikollari. Kjo ceremoni u parapri nga dy dit’ homazhesh për klerikun e ndjerë. Pas përshëndetjes së Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, i cili përgatiti e drejtoi këtë ceremoni, folën gjithashtu dhe Ministrja e deputetja Mirela Kumbaro, Kryetarja e Bashkisë Përmet, Alma Hoxha; Kryetari i Bashkisë Këlcyrë, Klement Ndoni; Qerim Zenuni, familjari i të ndjerit.

FJALA E KRYEGJYSHIT BOTËROR, DEDE EDMOND BRAHIMAJ

Në emër të Zotit mëshiruesit, mëshirëbërësit! Të nderuar vëllezër të mijë baballarë, dervishë, myhib, dashamirës të bektashizmit, besimtarë të teqesë Alipostivan, Frashër , gjithë krahinës së Përmetit , besimtarë të ardhur nga e gjithë Shqipëria dhe jashtë saj, shumë të dashur myhib, miq, të afërm, bij e bija shpirtërorë të baba Hekuran Nikollarit. Të nderuar pjesëmarrës, përfaqësues të institucioneve qendrore e vendore, në këtë ceremoni mortore, në nder të baba Hekuran Nikollari! Ju falënderoj në emër të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane për nderimet që po i bëni në këtë ditë të trishtë për të gjithë, në humbjen e një kleriku të thjeshtë në dukje dhe jetesë , por shumë të përkushtuar , për besimtarët, njerëzit në nevojë , bektashizmin dhe që jetën e tij ja dedikoi kësaj rruge të shenjtë e të vështirë!

Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe gjithë besimtarët bektashinj, janë në Zi prej mbrëmjes së datës 3 shkurt kur baba Hekurani kaloi nga kjo jetë! Hidhërim, dhimbje e boshllëk la ky largim i papritur për të gjithë ne. Por vepra e tij, kjo teqe, këta besimtarë do të mbajnë përjetë jehonën e dashamirësisë, respektit, mikpritjes, devotshmërisë, atdhedashurisë e ngrohtësisë shpirtërore. Teqe e Alipostivanit , teqe e Frashërit, u ringritën nga rrënojat e komunizmit nga puna e palodhur dhe me përkushtim e Babait aq shumë të dashur jo vetëm në këtë trevë por mbarë Shqipërinë. Sot, bektashizmi humbi një njeri të çmuar , një klerik të zellshëm e punëtor, me ndjenjë të thellë patriotizmi e përkushtimi.

Baba Hekuran Nikollari, u lind më 7 shtator 1963, në Seniçan të Përmetit. U rrit përmes halleve, por me dashurinë e madhe të prindërve, të cilët i dhanë ndershmërinë, mirësinë, arsimin, urtësinë dhe dashurinë për Shqipërinë. Në vitin 2000 u rikthye në atdhe pas emigrimit . E ktheu ndërgjegjja kombëtare dhe idetë atdhetare e bektashiane të Dede Reshat Bardhit dhe të Baba Aliut, të Alipostivanit. Në Seniçan rindërtoi Mekamin, në vendin e quajtur “Ahuri i Nakove”, i cili sot quhet “I miri i Nakove”. Më 22 mars 2001, ai shkoi në Alipostivan. Teqja ishte e shkatërruar në vitin 1967. Më 04 prill 2002, pasi qëndroi pak kohë, pranë Selisë së Shenjtë në Tiranë, Haxhi Dede Reshat Bardhi, i veshi rrobën e bektashiut dhe u emërua dervish, në teqenë e Ali Horasanit të Alipostivanit, në Përmet. Në vitet 2007-2009, baba Hekurani emërohet dhe shërben si dervish në teqenë e Frashërit, të cilën e ringriti, duke ruajtur origjinalitetin e monumentit të historisë dhe kulturës të kësaj teqeje të famshme, e cila sot është një mrekulli e vërtetë. Disa vite, baba Hekurani, shërbeu në teqenë e Kulmakut Tomorr. Hekuran Fejzo Nikollarit, i cili me Dekretin e Shenjtë Nr. 7 datë 29.12.2009 të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, shenjtorit Haxhi Dede Reshat Bardhit, iu dha titulli ‘Baba’ dhe u emërua baba i teqesë së “Baba Nasibiut” të Frashërit, të teqesë së “Baba Aliut” në Alipostivan dhe të teqesë së “Baba Xhaferit” në qytetin e Përmetit.

Baba Hekurani i teqesë së Frashërit, Alipostivanit dhe Përmetit çdo ceremoni e mbyllte me fjalët “Rroftë Shqipëria”! Baba Hekurani është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” nga Këshilli i Bashkisë së Poliçanit; Titulli “Nderi i Frashërit”, nga Këshilli i Komunës së Frashërit, (Vendimi Nr. 19 datë 21.03.2015) dhe nga Presidenti i Republikës, me “Urdhrin Naim Frashëri i Artë”. Me punën e tij të palodhur drejtoi më së miri teqenë e Alipostivanit, Frashërit dhe bëri përpjekje të mëdha për ndërtimin e teqesë së baba Xhaferit në Përmet. Me autoritetin e tij dhe klerikut të devotshëm ka fituar admirimin respektin dhe dashurinë e gjithë besimtarëve dhe dashamirësve të Përmetit e më gjerë. Ai ka bërë identifikimin e të gjitha teqeve, tyrbeve dhe vendeve të mira në Përmet, ngriti nga themelet teqenë e Cfratit në Bual të Përmetit me një tyrbe të mrekullueshme. Puna e tij është një kontribut i veçantë për bektashizmin. Vëllai im Baba Hekuran! Në emrin tim , të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe miliona bektashinjve që ju shërbeve me aq përkushtim, mirënjohje dhe falënderime , që ju përkushtove me zell të pashembullt ri ngritjes së Teqeve bektashiane , bektashizmit e besimtarëve, dhe ri ndez besimin në Zot në zemrat e mijërave besimtarëve bektashinj në kohën më të vështirë! Vepra e ri ngritjes së Teqeve bektashiane të Alipostivanit, Frashërit, Craftit, në Shqipëri do të mbeten të pavdekshme në zemrat e gjithë besimtarëve. Bektashizmi humbi fizikisht një figurë të rëndësishme dhe me peshë, por rrënjosi në historinë e udhës së saj të shenjtë një klerik mistik e shumë të dashur për këdo! I përjetshëm kujtimi yt baba Hekuran dhe e pavdekshme vepra jote e shenjtë! Shpirti yt u prehtë në paqe!

Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!

ALMA HOXHA, KRYETARJA E BASHKISË PËRMET

I nderuar Kryegjysh, Haxhi Dedë Baba, Edmond Brahimaj. Të nderuar besimtarë. Me dhimbje dhe respekt jemi mbledhur sot për të përcjellë për në banesën e fundit Baba Hekuran Nikollarin, një prej personaliteteve më të dashura për të gjithë ne. Baba Hekurani ishte një njeri i përkushtuar ndaj besimit, mbrojtës i identitetit kombëtar dhe përhapës i harmonisë fetare. Ai nuk ishte vetëm një udhëheqës shpirtëror, por një njeri i urtë, i mençur, i cili u bë një pikë referimi për të gjithë, duke frymëzuar harmoni, paqe dhe humanizëm. Me përkushtimin e tij të palodhur, ai ndërtoi Teqenë e Alipostivanit, duke e kthyer atë në një qendër shpirtërore dhe një vatër dashurie për komunitetin. Po ashtu, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ri ngritjen e Teqesë së Frashërit, një monument me vlera të mëdha kulturore dhe historike, emri i të cilës nuk lidhet vetëm me Bektashizmin por me momentet më kyçe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, me Rilindjen Kombëtare, me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e mbi të gjitha me përpjekjet dhe kontributin e saj për gjuhën e shkollën shqipe. Falë punës së baba Hekuranit, kjo vatër e rëndësishme shpirtërore do të mbesë një simbol i historisë, besimit dhe identitetit tonë kombëtar.

…Sot, ndërsa i japim lamtumirën, drita e tij do të vazhdojë të ndriçojë këtë vend dhe zemrat e të gjithë atyre që e njohën dhe e deshën. Në emër të Bashkisë deh qytetarëve, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, besimtarët dhe të gjithë ata që e nderuan…

KLEMENT NDONI, KRYETARI I BASHKISË KËLCYRË

…Që në konsakrimin e tij si baba, ai u vu në provën e vështirë dhe munduese jo

vetëm të ringritjes dhe rimëkëmbjes së teqeve të rrënuara të zonës sonë, duke ruajtur

origjinalitetin dhe vlerat e tyre historiko-kulturore, por edhe te ringjalljes së besimit në

zot, besim qe ishte dëmtuar përdhunshëm prej ateizmit të kohës. Me mençurinë dhe

urtësinë karakteristike të tij, baba Hekurani diti të përcjellë tek ne mesazhet më të

pastra të besimit dhe orientimit mistik, i vetëdijshëm për të ardhmen tonë.

Ai tregoi devotshmërinë karakteristike, të trashëguar ndër shekuj prej baballarëve

dhe dervishëve bektashianë më të dëgjuar, si dhe në mënyrë të veçantë u frymëzua

nga idetë atdhetare e bektashiane të Kryegjyshit Botëror Dede Reshat Bardhit dhe me

bekimin e tij punoi pa u lodhur kudo që e kërkoi detyra ndaj Zotit. Baba Hekurani, gjatë jetës së tij në shërbim të Zotit nuk predikoi dhe përcolli tek besimtarët bektashianë vetëm fjalën e Zotit për paqen, harmoninë, mirëkuptimin, mirësinë, për përkushtimin ndaj besimtarëve, por edhe si mbrojtës i identitetit kombëtar dhe përhapjes së harmonisë ndërfetare. …E gjithmonshme dhe e gjithëkohshme do të mbetet veprimtaria e tij shpirtërore, shoqërore dhe kombëtare, e cila përbën vlerën e madhe kulturore në shërbim të kombit dhe të gjithë shqiptarëve. …Ai do të mbetet në kujtesën tonë kombëtare si një klerik i palodhur, i devotshëm ndaj Zotit, i cili zgjodhi ti shërbente sa më mire komunitetit dhe vendit të tij. Të përjetshme do të jenë kujtimi dhe vepra e tij…

MIRELA KUMBARO, DEPUTETE

Duke ngushëlluar Kryegjyshin Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimajn për humbjen e baba Hekuranit, ndër të tjera, deputetja Mirela Kumbaro tha: “…Baba Hekurani ishte një humanist, ishte një klerik e njeri, që na bekoi e uroi për më mirë në jetën dhe punën tonë. Ky objekt, me përkujdesjen e ti, u realizua siç e shikojmë, dhe do të ngelet si një tempull në historinë e kulturës shqiptare… Baba Hekurani ishte klerik e njeri që përpiqej të përcillte tek njerëzit besimin në Zot, në forcimin e përpjekjeve e dashurisë për atdheun. Ai nuk është sot mes nesh, por ka lënë punën dhe kujtimet e mira tek gjithë besimtarët e trevës e shumë më gjerë. Ngushëllim e dhe një herë Dede Mondi, për humbjen e baba Hekuranit. Faleminderit dhe për ju Kryegjysh, që na flet e bekon sot, që na bën pjesë me zemër, dhembshuri e dashamirësi, në këtë ceremoni, të përcjelljes së baba Hekuranit!”

NGYSHËLLIM NGA ‘SHOQATA KULTUROVE MBARËKOMBËTARE VËLLEZËRIT FRASHËRI’

Ndër dhjetëra urime zyrtare, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, ka marr dhe një telegram ngushëllimi nga Tomorr Kotorri, Kryetar i Shoqatës “Atdhetare kulturore mbarëkombëtare, vëllezërit Frashëri”, Ndër të tjara, në ‘të thuhet: …”Në emër të shoqatës “Atdhetare kulturore mbarëkombëtare vëllezërit Frashëri” ju dërgoj ngushëllimet tona më të sinqerta, ju Kryegjysh Botëror Haxhi i Bektashizmit, Dede Edmond

Brahimaj, për ndarjen jeta të Baba Hekuran Nikollarit. Ndarja e parakohshme, aq e dhimbshme, e Baba Hekuran Nikollarit, hidhëroi të gjithë besimtarët jo vetëm në

Përmet, por në gjithë Shqipërinë. Vëllai Juaj, baba Hekurani, ishte modeli i klerikut atdhetar bektashi. Ai menaxhoi në mënyrë perfekte Teqenë e Alipostivanit, të ardhurat që i dhuronte

populli e ktheu në shërbim të tyre duke investuar Teqenë e Alipostivanit të cilën e

ktheu në një emblemë të bektashinjve. Ky klerik, krahas kompleksit në teqenë e Alipostivanit, të cilën e ndërtoi nga themelet, ka realizuar dhe rikontruksionin e Teqesë së Frashërit, duke e kthyer në një mrekulli dhe emblemë më vete, shumë më të mirë se në kohën që është ndërtuar. … Ngushëllime vëllait, motrave, nipërve, mbesave dhe të afërmve. Ngushëllimet tona Kryegjysh Haxhi Dede Edmond Brahimaj…”

Fotot: Mehdi NAKO

Përgatiti faqet:

Kujtim BORIÇI