Mbrëmjen e ditës së premte, 11 gusht 2021, në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë, u bë ceremonia e promovimit të librit “Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”, i autorëve Nuri Çuni & Kujtim Boriçi si dhe albumit fotografik për Dede Reshat Bardhin. Pjesë e eventit ishin dhe dy ekspozita, enkas për këtë rast. Në këtë aktivitet, morën pjesë klerikë bektashinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia Veriore etj, krerë të besimeve të tjera fetarë të Shqipërisë, funksionarë shtetërorë, studiues, shkrimtarë e publicistë. Në moderimin e aktorit Bujar Asqeriu, aktivitetin e përshëndeti Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Përshëndetën gjithashtu, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Hirësia e Tij e Naltë, Haxhi Bujar Spahiu; në emër të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Profesor Doktor Anastasit, Hirësia e Tij, Zëvendës i Kryepeshkopit, Asti Bakellbashi…
Për vlerat e librit “Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”, foli studiuesi e shkrimtari Ferit Fixha. Në vazhdim, është përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe fjala e studiuesit Ferit Fixha.
FJALA E KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN,SHENJTËRISË SË TIJ, HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirbërësit!
Të nderuar vëllezër të mijë, përfaqësues të lartë fetarë në Shqipëri!
Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë të akredituar në Tiranë!
Motra dhe vëllezër bektashinj, miq dhe të ftuar!
Si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, më lejoni t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë ditë të veçantë dhe lus Zotin e Lartësuar të sjellë kurdoherë paqe e begati në familjet tuaja, në të gjithë trevat shqiptare, në të gjitha komunitetet bektashiane, kudo ku janë, anekënd botës!
Në ditë të tilla gëzimi dhe krenarie të ligjshme, të qenit pranë njëri-tjetrit, më tepër se një traditë e tarikatit tonë, është një thirrje e brendshme për të bashkëndarëçdo emocion, çdo kujtim, çdo histori sakrificash, që na kanë lidhur në udhëtimin tonë të përbashkët në udhën e Hakut. Gjyshër e baballarë, dervish e myhibanë, dashamirës dhe miq të tarikatit, të gjithë së bashku, ne kemi çfarë t’i themi njëri-tjetrit, pa u bërë merak për hierarkinë, sepse në bektashizëm, si edhe kudo brenda familjes së mrekullueshme të Islamit, prej kohësh, gradat, janë devocioni dhe këmbëngulja e sejcilit, për të arritur në lartësitë e vëmendjes së Krijuesit.
Në këtë kontekst, 10 vjetorin e zgjedhjes sime në postin e lartë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, e konsideroj një event për të gjithë ne, klerikë e besimtarë bektashian, i cili duke rritur dimensionet e një gëzimi të natyrshëm, na fton në të njëjtën kohë të ndajmë së bashku edhe përgjegjësinë historike që mbajmë mbi supe. Askush nga ne nuk e ka harruar faktin që Qëndra Botërore Bektashiane, u vendos në këtë vend të bekuar 9 dekada më parë dhe përgjegjësia më e madhe, e imja personalisht por edhe e krejt vëllezërve të mij klerikë bektashianë ishte të ecnim në gjurmët e paraardhësve tanë, duke iu përgjigjur kohërave dhe fatit historik.
Kur flas për “ecjen në gjurmë të paraardhësve” kam parasysh dëshmorin e atdheut, Sali Niazi Dede, i cili sakrifikoi edhe jetën “për fenë e atdheun” duke dëshmuar kauzën e lirisë me të cilën është mbrujtur tarikati bektashian. I ndjekur paskëtaj nga: Ali Riza Dede, Kamber Ali Dede, Xhaferr Sadik Dede, Abaz Hilmi Dede, Ahmet Myftar Dede dhe deri tek myrshidi im dhe i juaji, tek miku i madh për të gjithë ata që e patën njohur, Haxhi Dede Reshat Bardhi. Allahu i Lartësuar e Shenjtëroftë misterin e tyre.
Sot dhe në vitet që do vijnë, vepra e baba Reshatit, do të shndrit si një gur i rëndë në godinën madhështore të tarikatit bektashian. Largësia në kohë, jo vetëm që nuk do venitë shëmbëllimin hyjnor të tij, por përkundrazi, do ta kemi pranë në çdo punë të mirë tonën, në çdo hidhërim e gëzim, nga teqeja më e largët e Azisë, deri në hapësirat e pa mata të Lindjes Evropiane, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Prania e tij shpirtërore, e kudondodhur në teqet tona, lidhet jo thjesht me fjalët dhe porositë e tij, por me forcën dhe durimin që ai përballoi në 70 vitet e tij dhe sidomos me frymën shpirtërore me të cilën na bekoi.
Po çfarë kishte ndodhur që ky djalosh prej Lusne, përballë Korabit madhështor, në ato bjeshkë me ujëra kristali, të pinte në burimet e mrekullueshëm të dijes islame?
Në filozofinë bektashiane, sikundër edhe atë të tarikateve të tjerë, jo rrallë fatet njerëzore mund të përceptohen vetëm prej mendimeve transhedent, apo qiellorë. Sepse në substancë të çdo tarikati, qëndron misioni, ai i paracaktuar dhe sakrificat për t’u ngritur në lartësitë e mekameve. Fati kish caktuar që edhe ai djalosh meditativ, të anashkalonte me vetëdijen më të lartë gjerat e përkohshme të kësaj bote, duke iu dorëzuar sakrificave të përjetshme, të cilat sidoqoftë i falën myrshidit tonë, mirësi e kënaqësi në të dy botët.
Më tej rinia e tij, po aq sa librat e rrëfimet mbi Islamin, u tërhoq prej një dashurie skajshmërisht hyjnore, siç ishte ajo e dede Ahmet Myftarit, i cili asaj kohe ishte në udhëhëqje të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Marrëdhënia e tyre prej myrshidi dhe myridi, besoj se do të mbetet një shembull model në vëllazërinë bektashiane, sepse kanë ndarë së bashku deri në fund, jo thjesht sakrificat për të ruajtur të dëlirë rrugën e çelur prej Haxhi Bektash Veliut, por edhe kohët e tyre shpirtërore dhe fizike, kurdoherë në të mirë të doktrinës sonë. Dhe mendoni të nderuar miq, se kjo doktrinë mbahej gjallë me aq sakrifica në trevat shqiptare, ndërkohë që në vitet ku lindi, teqetë bektashiane ishin mbyllur dhe kishin mbetur si ca relike fetare të panevojshme. E vërteta është se regjimi që kemi lënë pas, nuk i donte njerëzit që donin Zotin dhe i shërbenin atij. Ai regjim donte njerëzit që donin Partinë dhe i shërbenin asaj, qoftë edhe me çlirimin që këta të urrenin njerëzit e Zotit. Regjimet e mbrapshta gjithmonë kanë pjellë kohë të mbrapshta. Pikërisht, sepse nuk veproi si “besnik” i Partisë, dede Ahmet Myftari, përmes gjykimeve dhe vendimeve farsë, u largua si post-mbajtës i Selisë së Shenjtë Bektashiane në vitin 1958 dhe u dërgua në internim, në teqenë e fshatit Drizar në Mallakastër. Tamam në këto momente, shfaqet tipari i vyer i besnikërisë së dhënë në mejdanin bektashian. Dervish Reshat Bardhi, përkundër porosive të ndahej nga myrshidi i tij se e prisnin detyra të reja, vendosi i qetë dhe plot bindje se jeta e tij ish e vlershme, vetëm nëse jetohej pranë dede Ahmetit.
Për bektashizmin shqiptar dhe atë botëror, teqeja e Drizarit në Mallakastër, në kuptimin e sakrificave njerëzore për hir të dashurisë së besimit, do të mbetet padyshim një pikë referimi për të gjithë brezat e kësaj udhe. Sigurisht përpara këtyre, të tjerë baballarë shqiptarë, ishin internuar, burgosur apo masakruar nga pushtues të huaj, duke u shndërruar në simbole të qëndresës bektashiane, por në rastin e dede Ahmetit dhe dervish Reshati, ishin vetë mekanizmat vrastarë të diktaturës, që donin të fiknin këtë dritë të kandilit të urtësisë së imamëve tanë dhe të Pir Haxhi Bektashit. Prandaj edhe dhimbja e tyre ishte më e thellë, prandaj edhe besnikëria e tyre ndaj doktrinës bektashiane dhe ndaj njëri-tjetrit u ngrit në qiejt e epërm të Shpirtit. Lidhur, me nëntë vitet e qëndrimit të këtyre dy myrshidëve të mëdhenj në teqenë e Drizarit 1958-1967, ndofta historiografia e tarikatit nuk e ka thënë si duhet fjalën e saj. Personalisht e gjykoj se ky mision kërkon studime dhe hulumtime të thella. Por një mësim i vyer , tanimë ka mbërritur. Sado që partia-shtet , u përpoq të lëkundte besimin në Zot nga shpirtrat tanë, jo vetëm që nuk ja arriti qëllimit por edhe u bë qesharake në sytë e të gjithëve. Teqeja e Drizarit, u shndërrua në ato vite, në një vend emblematik pelegrinazhi, ku për çudi, nuk kanë munguar besimtarë edhe nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia Perëndimore e më gjerë. Me këtë akt, pelegrinët rrëfenin se nuk i hiqnin nga zemra myrshidët e tyre, ndërsa Zoti i Lartësuar, se nuk i harronte kurrë bijtë e vet të devotshëm.
Edhe pas vitit tragjik 1967, kur u rrënuan nga themelet kisha, xhami e teqe, këta dy klerikë bektashinj nuk do t’i dorëzoheshin trishtimit të fatit. Përkundrazi, ata e perceptuan këtë kohë si një sprovë e madhe durimi e sakrifice, përtej së cilës do të lindte sërish drita e besimit. Shtëpitë ku ata jetuan në Tiranë, sikundër shtëpi të tjera të ndjekësve të Haxhi Bektashit në Tiranë, Krujë, Elbasan e gjetkë, me veprimtarinë e tyre të fshehtë në shërbim të tarikatit dhe kodeve zakonorë, mund të quhen sot me plot gojën “kështjella të qëndresës bektashiane”. Një ndër këto shtëpi ka qenë edhe ajo e imja, në të cilën kam pasur fatin e madh të njihem së pari dhe nga afër me dede Ahmetin dhe besnikun e përjetshëm të tij, dervish Reshatin. Më tepër se përkujtimet e ditëve të shenjta të Islamit dhe bektashizmit, këto shtëpi të sipër përmendura shpërndanë nëpër terrin e asaj kohe mesazhet shpresëdhënës për ditë të bardha, mbajtën të gjallë frymën e vëllazërisë dhe mirësisë, duke na kujtuar të gjithëve se Ai, i gjithëdijshmi, shumë herë naka porositur: “Hyni mes robërve të mijë, hyni në xhenetin Tim!”
Me kalimin nga kjo botë të dede Ahmet Myftarit në korrikun e vitit 1980, pesha e mbajtjes dhe e ruajtjes të traditave më të mira bektashiane, binte mbi supet e dervish Reshatit. Si rrallëherë në historinë tonë 800 vjeçare, ky shenjtor dijti jo vetëm të mbajë këtë përgjegjësi të pa matë, por duke u mbështetur në masën e gjerë të besimtarëve, ndonëse në kushte të një fshehtësie të plotë, mundësoi mbijetesën epokale të tarikatit përmes sakrificave të pashembullta njerëzore. Historiografia shqiptare dhe ajo e Selisë së Shenjtë Bektashiane i kanë borxhe besimtarëve tanë të çdo feje dhe besimi, pikërisht për ata shembuj frymëzues të besimit që tronditën për vite me radhë regjimin ateist, sipas modelit kinez.
Me vullnetin e palëkundur qysh në natën e mejdanit në vitin 1954, me energjinë e jashtëzakonshme për moshën, në fillim të viteve 90-të të shekullit që lamë pas, myrshidi im dhe i juaji, dede Reshati, u vu në krye të klerikëve bektashianë, të myhibëve dhe besimtarëve besnikë, së pari për t’u rënë “trumpetave të zgjimit” e mandej për të bashkuar vullnetarët dhe forcat në udhëtimin ngazëllyes për në udhën e Hakut. Shumë prej jush, që jeni sot të pranishëm, mbani mend se vetë fjala e sinqertë dhe vështrimi i ngrohtë i dedeit tonë, të ftonin në atë udhëtim të vështirë, duke transmetuar tek seicili dëshirën, jo thjesht si një besim i verbër, por si një tarikat që afron, vëllazëron, të bën të dobishëm dhe të vetëdijshëm për familjen, për kombin, për arritjen e virtyteve më të lartë njerëzorë dhe hyjnorë.
Kësisoj, nisëm të ngremë tyrbet e para dhe vendosëm në mezaret e tyre eshtrat e atyre dervishëve dhe baballarëve, që regjimi i kaluar ua pati hedhur grykave, për mos t’u gjendur më. Nisëm të ringremë ato teqe të lavdishme, me të cilat dikur ishim krenuar të gjithë dhe që kishin qënë vatra të bekuara të lëvizjes për liri e mbrothësi të kombit tonë. Më vullnetin e të Gjithëmëshirshmit përpara, ngritëm teqe të reja, atje ku besimtarët e rinj kërkuan të gjenin paqen e shpirtit dhe ku do të takoheshin e bisedonin me shenjtorët e mëdhenj, paraardhës të tyre. Nuk ka as më të voglin dyshim, se në gjithçka të ringritur dhe të arritur në vitet 1990-2011, është mendja, zemra, vullneti dhe vetëdija hyjnore e dede Reshat Bardhit. Zoti i Lartësuar e Shenjtëroftë misterin e tij!
Të nderuar të pranishëm!
Eventi i sotëm, në asnjë rrethanë nuk mund të jetë vetëm i imi personalisht. Çdo arritje e jona në këtë dhjetëvjeçar, në çdo aspekt, shpirtëror, ndërtimor, organizativ, etj, është një gëzim i përbashkët, me krejt ata besimtarë brenda dhe jashtë Shqipërie, të cilët kanë qenë dhe mbeten nxënësit dhe mësuesit tanë. Një falënderim i veçantë shkon sot, për vëllezërit e mijë, klerikë bektashianë, në Kosovë, Maqedoninë Veriore, Shqipëri e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me të cilët, së bashku jemi përballur me lloj-lloj sakrificash por ja kemi dalë. AND-ja e tarikatit tonë është dashuria e Zotit dhe e vëllait që ke në krah, qoftë ky i barkut apo i Hakut, ndaj kemi qenë dhe mbetemi të bashkuar në çdo sprovë, të vetëdijshëm për këtë mision deri në amshim.
Ajo që unë ju siguroj sot, në cilësinë e Kryegjyshit Botëror Bektashian, është pikërisht se të bashkuar në dashurinë tonë për Haxhi Bektash Veliun, së bashku me këta klerikë, vëllezër prej Haku, do të dimë të ecim në gjurmët e arta të paraardhësve tanë, për të qënë kurdoherë në lartësitë morale të përgjegjësisë historike. Selia e Shenjtë Bektashiane ka një mision të lavdishëm ndonëse tepër të vështirë, por kjo nuk na tremb. Përkundrazi shërben si një lloj thirrje për frymëzime të reja dhe për të përmbushur sa më mirë misionin që na caktoi Zoti dhe koha fizike. Ne do të mbetemi jetë e mot, simbol i urtësisë dhe paqes, në të mirë të besimit që i përkasim dhe vlerave më të vyera të shoqërisë njerëzore.
Edhe një herë ju faleminderit të gjithëve!
Zoti ju bekoftë!
Amin!
STUDJUESI FERIT FIXHA PËR LIBRIN “DEDE EDMOND BRAHIMAJ, 10 VJET KRYEGJYSHBOTËROR I BEKTASHIZMIT”
Hirësia juaj, Haxhi Dede Edmond Brahimaj,
Të nderuar personalitete, diplomatë e të pranishëm!
Më lejoni që të shpreh shkurt disa mendime në këtë event të rëndësishëm, në promovimin e kësaj monografie interesante të autorëve të spikatur në publicistikën shqiptare Kujtim Boriçie Nuri Çuni, kushtuar Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, si pasardhës i denjë i Haxhi Dede Reshat Bardhit, i cili ringriti bektashizmin pas vitit 1990 dhe bërë ringjalljen shpirtërore të bektashianëve në Shqipëri dhe nëpër botë.
Si i 39-i udhëheqës i bektashizmit në periudhën 800- vjeçaredhe i 9-i kryegjysh shqiptar, Dede Edmond Brahimaj, qëi përket elitës së kësaj udhëheqësie, vjen në këtë botinku reflektohen njohuritë, përkushtimi, veprat, studimet, fjalimet, mesazhet e tij fetare e atdhetare, të gdhendura në shpirtin dhe memorjen e besimtarëve të këtij besimi të paqtë dhe mbarë njerëzimit.
Ai sot njihet si urë lidhëse shpirtërore ndërfetare jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën.
Mjafton të përmendim marshimin e harmonisë të përfaqësuesve të besimeve fetare shqiptare në Paris, si një rast i rrallë, unikal e rrezatues për harmoninë dhe paqen e njerëzimit. Ndaj në bulevardin e Parisit ushtruan thirrjet dashamirëse, emocionuese: “Baba Mondi, Baba Mondi!”
Haxhi Dede Edmond Brahimaj mishëron vlerat më të larta të besimit bektashian të 800 milionë besimtarëve në Botë, si posedues i dashurisë së madhe për këtë besim, si vizionar për kohën, si vëllazërues në diversitetin harmonik të besimeve të ndryshme fetare. Manifeston vizion Perëndimor jo vetëm brenda shoqërisë shqiptare, por edhe në atë ndërkombëtare, ndaj është bërë shpesh pjesëtar i podiumeve e takimeve ndërkombëtare, i konferencave ndërfetare dhe është vlerësuar me çmime prestigjoze si “Ambasadori i Paqes”, etj. Është pritur me ngrohtësi e respekt nga klerikët më të lartë si Papa etj dhe nga personalitete të larta shtetërore, akademike, kulturore e shkencore.Në Shqipëri është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” në disa qytete, me Urdhrin e Lartë “Kalorësi i Skënderbeut” etj. Aktualisht, duke qenë kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, ky këshill është nderuar me medaljen e lartë “Nderi i Kombit”.
Bektashizmi përfaqëson një besim emancipues, përparimtar, spiritualist. Sipas Naim Frashërit, rilindasit të shquar shqiptar dhe poetit të madh kombëtar, që shkroi “Fletorja e bektashinjve” dhe “Qerbelaja”, që ndërtoi simbiozën kulturore, fetare dhe atdhetare, duke i dhënë fizionominë atdhetarizmit shqiptar:
“… Në ke shpirtmirësinë
Ta dish që ke Perëndinë”.
Profesor Doktor Bardhosh Gaçe në vlerësimet e tij për librin shqiptar, shprehet se bektashizmi është jo vetëm besim, jo vetëm veneracion ndaj një kulti të lashtë, por kulturë, kauzë shpirtërore kombëtare, dashuri njerëzore, krenari dhe dinjitet i kombit dhe i shqiptarëve në përgjithësi.
Vetë Elsie, shkruan: “Pa bektashinjtë, Shqipëria nuk do të ishte kjo që është sot”.
Për bektashizmin, kanë shkruar shumë studiues të huaj: Max Choublier, Gabriel Luis-Jaray, Frederik Hasluck, Justin Godard, Margaret Hasluck, Franz Babinger, John Kingsley Birge etj.
Në hartimin e kësaj monografie plot vlera, autorët kanë shfrytëzuar dokumente arkivore, dëshmi mediatike, pamje filmike, albume origjinale fotografish. I kanë pasqyruar në libër, bukur estetikisht, strukturuar me profesionalizëm, shprehur me ndjenjë e nivel artistik. Në ‘të, vijnë natyrshëm të gërshetuar e të pandarë, roli i pazëvendësueshëm dhe kontributi i çmuar i Dede Reshat Bardhit në ringritjen e bektashizmit, hedhjen e hapava dhe punën që bën Dede Edmond Brahimaj për konsolidimin e çuarjen përpara të kësaj tradite të vyer.
Në faqet e këtij libri evidentohet e vërteta historike e aktivitete me vlera të bektashizmit në ditët e sotme, që padyshim, do të shërbejnë në edukimin e formimin e brezave të sotëm e të ardhshëm.
Nuk është monografi e një protagonisti, por një monografi e hapur për mistikën, humanizmin e spiritualizmin e këtij besimi fetar, bashkëkohor e demokratik, frymëzuar nga udhëheqësit e tij fetarë të 800 vjetëve, me devizën, thënien lapidare të profetit Muhamed (aleqym selam): “Pa atdhe nuk ka fe”.
Mendoj se nuk jam emocional kur shprehem se ky libër është një ndër perlat e kolonës së botuar në shqip deri më sot në këtë fushë, i cili qëndron dinjitoz krahë librave “Bektashinjtë shqiptarë” të Robert Elsie, “Mistiçizma Islame dhe Bektashizma” të Baba Rexhepit e ndonjë tjetri.
Urime Kryegjyshit Botëror në misionin e tij fisnik!
Urime dhe dy autorëve, Nuri Çuni e Kujtim Boriçi për këtë libër me vlera të veçanta!