Ditën e sotme, më 23 mars 2022, në Gjyshatën Bektashiane në Gjakovë, u zhvillua ceremonia tradicionale e Sulltan Novruzit.
Ceremonia u drejtua nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e tij, Haxhi Dede, Edmond Brahimaj.
Në vëmendje të lutjeve ishin mirëqënia e shtetit të Kosovës, prijësit dhe popullin e Republikës së Kosovës, Ukraninën dhe gjithë shqiptarët.
Sipas historisë së besimit bektashi, kjo ditë që përkon me lindjen e Imam Aliut në Qabe, simbolizon lindjen e shpresës dhe rigjallërimin e natyrës. Me filozofinë, përpjekjet dhe sakrificat e tij sublime, si dhe roli e kontributet e qenësishme të bektashinjve shqiptarë në rrjedhën e historisë, shembulli i Imam Aliut përbën garanci për të tashmen dhe të ardhmen jo vetëm të këtij besimi, por edhe të gjithë shoqërisë sonë. Dita e Sulltan Novruzit njihet si dita e fisnikërisë bektashiane. Sipas traditës, besimtarët e nisin ditën me urimet më të mira për mbarësi, mirëqënie dhe paqe.
Kjo ditë e shënuar pati dhe një ngjarje të veçantë, pasi në radhët e bektashinjve u pranuan edhe dy myhib të rinj.
Pas fjalës së rastit dhe riteve tradicionale, Kryegjyshi Botëror i bekoi vëllezërit e sapo pranuar për misionin e tyre në Udhën e Hakut, të Haxhi Bektash Veliut.
Në këtë ceremoni, morën pjesë dhe klerikë të tjerë bektashianë, të cilët i uruan vëllezërit e tyre të sapo pranuar.