Sot, më 24 mars 2022, u festua dita e Sulltan Novruzit në komunitetin Afgan në Shëngjin- Lezhë, e organizuar nga Këshilli Amerikan për edukim me pjesmarrjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili pas lutjes të ditës së Sulltan Novruzit bëri një edhe një përshëndetje të shkurtër.
Festimet u shoqëruan me prezantime të ndryshme nga studentët afganë të mënyrës se si festohet dita e Shenjtë e Sulltan Novruzit në traditën Afgane, shoqëruar me tavolinën e ushqimeve të posaçme dhe kërcimet festive të kësaj dite të re pranverore, të Vitit të Ri persian.
Me rastin e kësaj dite të shenjtë për bektashinjtë dhe ditës së parë të pranverës, Kryegjyshi Botëror, ju çoi një tortë me simbolikën e dy flamujeve, atij shqiptarë dhe flamurit afgan dhe më pas, së bashku mbollën dhe disa pemë ulliri në ambientet e resortit ku akomodohen afganët, në Shëngjin.
Në përfundim, të gjithë bashkarisht u ulën të drekonin së bashku, në shenjë miqësie të kësaj feste të përbotshme.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj:
Bismilahi Rrahmani Rrahim! Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirbërësit! Të nderuar motra dhe vëllezër të mij Afganë! Të nderuar përfaqësues të Këshillave Amerikanë për Edukimin Ndërkombëtar!
Jam shumë i lumtur që gjendem sot pranë jush për të predikuar lutjen, dhe emocionet e shpresat që sjell dita e bekuar e Sulltan Novruzit! Festa e Sulltan Nevruzit shënon fillimin e vitit të ri, dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe. Kjo ditë është dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë, paqësore e të begatë.
Si ndjekës besnikë të tarikateve të Islamit, njëherazi sot, ne festojmë edhe ditëlindjen e Imam Aliut, paqja qoftë me Të, jeta dhe vepra e të cilit, mbeten shembull të një fryme shenjtërie, në gjirin e familjes myslimane. Cilësitë e vyera të skalitura në personalitetin e Tij, mbeten ende sot, pika referimi e frymëzimi jo thjeshtë në qasjen tonë për detet dhe qiejt e mistikës fetare, por edhe në rrafsh të zhvillimeve aktuale njerëzor.
Motra dhe vëllezër!
Në këto kohë të vështira , kur bota po përballet me luftra e makrabitete , në vrasje të rinjsh e foshnje të pafajshëm, djem nënash e baballarë fëmijësh, nga njerëz të etur për okupim e pushtet të përgjakshëm, bëjmë thirrje për paqe, liri, pavarësi, heqje dorë nga bombardime e shkatërrime. Në këtë ditë të re i lutemi Zotit të Lartë për mbrojtje dhe ndihmë, bekim e shpresë .
Mesazhi, lutjet dhe bekimi ynë në këtë ditë të re të Shenjtë shkon për ju, familjet tuaja, fëmijët e të moshuarit, të gjeni qetësinë shpirtërore e shpresën e dëshiruar , që shpirtrat e të dashurëve tuaj të zemrës që nuk janë sot me ne të prehen në paqe ,e që gjysma juaj e zemrës që nuk gjendet pranë jush të bashkohet me ju sa më parë.
Me këtë mesazh lutje, bekimi, pranimi, mikëpritje , dashamirësie, dhe dhembshurie, Ju siguroj se kurdoherë që të jetë e nevojshme Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Selia e Shenjtë, do ti ketë portat e saj të hapura e sofrën e shtruar për të gjitha këto familje që do të kenë nevojë, e zemrat e bektashinjve do të jenë të çelura për këta popuj të shumëvuajtur.
Kjo situatë e vështirë, e dhimbshme, e përgjakshme dhe shkatërruese , jo vetëm për popujt që gjenden në situatë lufte por për të gjithë botën, na bën të jemi shpirtërisht dhe me zemër pranë njeri-tjetrit jo thjeshtë për t`i shprehur ndenjat e solidaritetit, por mbi të gjitha për t`iu gjendur sa më pranë, atyre që humbën të dashurit të tyre, që humbën strehën, dhe sofrën me ushqim, atyre që po vuajnë prej këtyre luftrave.
Jetojmë në një kohë kur popujt duhet të jenë të lirë e të pavarur, familja si embrioni i një shoqërie në zhvillim duhet të jetojë e lumtur dhe jo e ndarë, jo e vrarë dhe e shkatërruar...Ashtu sikundër Imam Aliu thotë "Mos u bë rob i të tjerëve kur Allahu të ka krijuar të lirë..."
Ne po rrëfejmë edhe në këto ditë të vështira, të jemi të bashkuar në të dy familjet, atë biologjike dhe atë shpirtërore, duke lutur Zotin e Madh të na japë forcë dhe shpresë për ditët që vijnë, me lutjet që lulëzimi i kësaj dite të re, do të zgjojë zemrat e do të lulëzojë shpresa të reja!
"Ndihmo dhe do te ndihmoheni....". Imam Aliu. Zoti e bekoftë popullin Afgan dhe shtetin e Afganistanit! Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!
Lutja e Kryegjyshit për të gjithë afganët:
Lavdërim i Zotit.
Në emër të Zotit fuqi madh e mëshirë shumë.
O Zot Ti që je i pari dhe para teje s’ka gjë.- Ti që je i fundit dhe pas teje s’ka gjë. – Ti që je i dukshëm dhe mbi Ty s’ka gjë.- Ti që je i brendshëm dhe pa ty s’ka gjë.- Ti që je i urtë dhe i mendshëm.-Ti që ke qenë para çdo gjëje.-Ti mbetesh pas çdo gjëje. –Ti bën ç’dëshiron dhe hyn në zemrën e Njeriut. –Ti je i padukshëm në lartësi dhe në hapësirë.- Ti ndigjon dhe shikon çdo gjë. –Ti je Zoti i çdo gjëje. Mbarona dëshirën dhe largona mërzinë, ndihmona të plotësojmë detyrimet tona për hir të profetit dhe bijvet të tij të uruar, të pastër dhe të bekuar. Ty të qofshim falur.
“Thirrje Aliut”.
“Në emër të Zotit të Madh Mëshirëplotë”
O Zot Ti që je Ay që plotëson kërkesat tona dhe nga Ti kemi përkrahje, Tek Ti kemi mbështetjen O Shpëtimtarë.
O Zot për hir të thirrjes të të madhit Ali, që është treguesi i çudirave e gjejmë në ndihmën tonë në kohën e rrezikut, të thërrasim për çdo hidhërim e dëshpërim, të na i zhdukësh për hir të madhes dritës tënde, O Zot, O Zot, Ozot dhe për hir të dritës të Profetizimit të Profetit tënd ; O Muhammed, O Muhammed, O Muhammed dhe për hir të dritës shenjtore tënde, O Ali, O Ali, O Ali; Arrim, Arrim, Arrim, O Ali Ati i Hasanit i Hysejnit e i Dheut, zgjidhmë ngatërresat e dëshpërimet që më rrethojnë, O Mbrojtës i të gjithave në ditën e gjykimit, O Zotnues i bukurisë, i Pjekurisë, O Zotnues i Autoritetit e i seriozitetit, O Zot për hir të Hysejnit, të Gjyshit, të Atit, të Mëmës, të vëllajit e të bijve të Tij, shpëtomë nga çdo rrezik, hidhërim e dëshpërim që më kërcënohet.-
O Zot me fuqinë tënde të padukshme dhe me mëshirën tënde të pafundme, O Më i madhi ndihmës, O Ndryshues i zemrave dhe ndryshyes i pamjeve, e i çdo hijeje e i çdo kohe, ndryshona jetesën në më të mirat për hir të të pëlqyervet, të eturvet e të mallëngjyerve Tuaj.
S’ka trim qëndrues si Aliu, S’ka shpatë përveç Zylfikarit.
O Zot pranona këto të sipër përmendurat për hir të Profitit Kryeshenjtërisë së Tij Muhammed dhe imamit Ali.
Të qofshim falë. –
Hyy Doost.
Me emrin e Zotit Mëshiruesit Mëshirëbërësit
Të falemi O Zot që këtë ditë e ke bërë ditë gëzimi, për të gjitha krijatyrat në këtë planet, me lindjen e dritës së shkëlqyer të Alijjyl Myrtezajt, në Qaben e madhnueshme, luani i yt i vërtetë, mbrojtës i rrugës tënde, shkatërrimtarë i të pabesëve, përfaqësues i yt në të gjithë faqen e dheut, i pajisuri me cilësitë dhe diturit Hyjnore.
Për hir të tij dhe të veprës së Tij dhe të trashëgimtarëve të Tij, O Zot falna gabimet dhe të metat pa qëllim. Shpëtoje gjithë njerëzinë nga frika dhe tmerret.-
Bëj o Zot që të lindin burra e udhëheqësa të mirë që të qeverisin me drejtësi në mes të Popujve dhe neve bëna besnikë të pandarë nga drita e Ali Myrtezajit, nga ajo dritë që ti vetë O Zot me madhërinë tënde e ke hijeshuar dhe shenjtëruar.
O Shenjtorë, O Shpëtimtarë, O Bujar, O i bindur e i kulluar, O Bashkëshok i dritës së Fatime Zehrasë, O trashëgimtarë i Profitit dhe flamurtar i tij, O Zotnues i diturisë së dukshme e të padukshme, O Shkatërrues i fortesës së Hajberit, O Mbrojtësi i të gjithëve në ditën e gjykimit, O Zotnues i Bukurisë e i pjekurisë, O Zotnues i Autoritetit dhe i Seriozitetit, O Ati i Hasanit dhe i Hysejnit, O Ati i Dheut, O Drita e shenjtërisë e së vërtetës, O Ti që prej Qielli zbriti lavdërimi.-
“La Fetta il – la Ali, me përulësi të falemi dhe të lutemi mos na ndaj nga drita e jote dhe bën që gjithë njerëzia e merituar nga lindja e gjer në Perëndim të shtrohem nën flamurin tënd, që është paqja, Lirija, bashkimi dhe vëllazërimi për të gjithë.-
Pamëshira jote rëndoftë mbi ata që duke ditur tradhëtojnë dhe shkelin ligjet dhe traditat e tuaja.
Pamëshira jote rëndoftë mbi ato që për egoizmin e tyre, terrorizojnë dhe mbysin në Gjak njerëzinë.-
O Dritë e Shënjtërisë e pajisur prej vetë Perëndisë në këtë gjithësi: Ndihmtarë, flamurtarë dhe zëvendës i Profetit Muhammed: drita e dymbedhjetë imamëve dhe e gjithë shenjtorëve në Botë; me përulësi të falemi.
Përgatiti:
Sheldiana Jano ( Agaraj )