Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mori pjesë ditën e sotme, 22 mars 2021, në ceremoninë e vlerësimit të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta.
Dekorata e lartë “Nderi i Kombit”, u dha me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të gjithanshëm në ruajtjen dhe promovimin e frymës së harmonisë, mirëkuptimit e bashkëjetesës midis feve në Shqipëri. Për mesazhet e qarta drejtuar besimtarëve e politikës shqiptare që të synojnë paqen, bashkimin, përparimin e orientimin drejt vlerave atdhetare për një jetë të përbashkët e optimiste; si dhe për rolin e rëndësishëm në lartësimin e modelit shqiptar të dialogut ndërfetar në arenën ndërkombëtare”.
Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu rolin e liderëve fetarë në vend dhe rëndësinë e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.
“Harmonia shpirtërore, kulturore e fetare e popullit tonë është e lidhur me tiparet më të mira të Tij, me besimin ndaj Zotit, si dhe dashurinë për lirinë e fjalës, të besimit dhe të mendimit.
Përgjatë gjithë historisë së tyre besimtarët shqiptarë, kanë bashkëjetuar jo vetëm në festa e trishtime, por edhe në të gjitha betejat për liri, për pavarësi si dhe në momentet më të shënuara të kombit tonë.
Shpata e diktaturës do të binte njëlloj e pamëshirshme mbi të gjithë prijësit e institucioneve të besimeve, duke vendosur njëkohësisht kazmët edhe mbi xhamitë, kishat e teqet.
Ndaj ringritja e objekteve të kultit, 30 vite më parë pas ndalimit brutal e të pashembullt 23 vjeçar të besimit, i parapriu edhe Lëvizjes së Dhjetorit ‘90 dhe i bashkoi sërish shqiptarët e të gjitha besimeve për rrëzimin e diktaturës.”
Më pas, fjalën e mori Kreu i Këshillit Ndërfetar për vitin 2021 Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili vlerësoi dekorimin e KNFSH-së me medaljen e lartë “Nderi i Kombit” duke theksuar se: “Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është themeluar pikërisht për të promovuar harmoninë ndërfetare dhe vëllazërinë tonë kombëtare nga katër liderët e komuniteteve tradicionale në Shqipëri. Sfidat janë të shumta, por ne mund t’ia dalim përmes rrugëve shpirtërore të afrimit te Krijuesi. Me frymën tonë të derisotme ne do ta pasurojmë këtë traditë, duke trokitur në dyert e Evropës, shpresojmë për çeljen e tyre, por kurdoherë me identitetin tonë fetar, kulturor dhe njerëzor”.
Më poshtë, fjala e plotë e Kryegjyshit Botëror në këtë ceremoni:
Ceremonia e plotë: