Mali i Tomorrit ‘pushtohet’ këto ditë të peligrinazhit, 20-25 gusht, nga qindra e mijëra pelegrinë nga Shqipëria, diaspora dhe mbarë bota, të cilët udhëtojnë drejt teqesë së Kulmakut, për të kremtuar festën e Abaz Aliut, pavarësisht besimeve fetare që i përkasin.
Si çdo vit, nën përkujdesin e veçantë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Selia e Shenjtë, Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Gjyshatës Skrapar, me sekretar z. Zalo Qato dhe shumë bashkëpunëtorëve të tjerë, nën masa të plota të ruajtjes nga pandemia, u zhvillua sot, më datë 22 gusht 2021, ceremonia tradicionale, kulmore, e pelegrinazhit të përvitshëm në Malin e Shenjtë të Tomorrit, në Berat, me rastin e festës së Abaz Aliut.
Të pranishëm në ceremoni ishin edhe z. Kadri Morina , sipërmarës i suksesëshëm dhe bamirës, klerikë, personalitete fetarë e shtetërorë, diplomatë e besimtarë të shumtë.
Si gjithmonë, ceremonia u çel me Himnin Kombëtar. Më pas fjalën e mori, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond, i cili në përshëndetjen e rastit, dha mesazhe paqeje, urimi, bekimi, mëshire, duke bërë me dije se " këto ditë të shenjta të pelegrinazhit në malin mistik të Tomorrit, në këtë rit tradicional, që na mbledh në këtë vend të shenjtë, përkojnë me përvjetorin e 105-të të ngritjes së teqesë së Kulmakut nga dervish Ilias Qafoku, i cili ka lënë gjurmë si klerik, atdhetar e bamirës, jo vetëm në Jugun e Shqipërisë, por shumë më gjerë, ndaj është kujtuar, vlerësuar e do kujtohet ndër breza…
Ballkani, Europa po përjetojnë vështirësi komplekse, ku në botë ka trazira deri në luftë me viktima shoqëruar me tragjedi botërore si në Afganistan duhet të na bëjë të gjithëve më të paqtë, më reflektues, më të ndërgjegjshëm e më optimistë dhe këtë ta reflektojmë tek vetja, familja e kudo që jemi"
Kryegjyshi e vuri theksin gjithashtu edhe te numri në rritje i besimtarëve dhe pelegrinëve, nga viti në vit.
"Sheshet e kësaj teqeje, që mbushen kurdoherë me besimtarë që rriten nga viti në vit, e kthejnë këtë vend të shenjtë, në një qendër të rëndësishme të faljes, mëshirës dhe afrimit me Krijuesin, duke përcjell frymën e shënjtërisë së këtij vendi, për të gjithë pelegrinët."
Po ashtu, Shenjtëria e Tij, Dede Edmond Brahimaj, u ndal edhe te figura e Abaz Aliut, këtij shenjtori të madh.
“Në lartësinë e këtij mali, ne kemi gjithashtu shenjtorin tonë, Abaz Aliun. Pavarësisht legjendave shumë shekullore që tregohen e transmetohen për ‘Të’ nga brezi në brez, Ai vetë është një realitet i mrekullueshëm i burrërisë përpara frikës, i jetës përpara vdekjes, i dashurisë para urrejtjes, i pastërtisë shqiprtërore përballë shpurës së Jezidëve. Ai ka qenë dhe do të mbetet modeli i burrit dhe i trimit që u identifikua deri në fund me vetë ndërgjegjen e shkëlqyer të Imam Hysejnit, paqja e Zotit qoftë me ‘Të!’ Emri dhe vepra e Abaz Aliut, i kanë falur këtij kryemali të shqiptarëve, jo vetëm shenjtërinë e historisë, por edhe vlera të jetës që kemi jetuar dhe jetojmë, Ato kanë qenë dhe do të mbeten burime të kristalta të mendimeve dhe qëndrimeve tona, përballë realiteteve aq problematik që po kalon Shqipëria, Ballkani e më gjerë sot, duke na bërë të reflektojmë që të gjithë, për më shumë shpresë e dashuri, paqe e mirësi, besim e adhurim për Krijuesin.
Jeta e Abaz Aliut, sikundër jeta dhe vepra e krejt dervishëve dhe baballarëve tanë nëpër vite, është dhe do të mbetet një model për çdo besimtar, për çdo ndjekës dhe dashamirës të udhës së ndritur të Haxhi Bektash Veliut.”
Sipërmarrësi i njohur dhe bamirësi z. Kadri Morina, në fjalën e tij përshëndetëse, në këtë ditë të shenjtë, uroj të gjithë besimtarët për më shumë mirësi e begati në çdo familje.
Më pas, aktiviteti vazhdoi me grupe të ndryshme polifonike, kryesisht të trevës së Skraparit, të cilët krijuan një atmosferë festive dhe të gëzueshme, duke e bërë akoma më të këndëshme këtë ditë të shenjtë.