CEREMONIA TRADICIONALE NË MALIN E TOMORRIT

U mbajt sot, më 22 gusht 2023, ceremonia tradicionale e pelegrinazhit të përvitshëm në Malin e Shenjtë të Tomorit.
Ky pelegrinazh disa ditor mbledh së bashku mijëra besimtarë bektashi dhe qytetarë nga Shqipëria, vendet e rajonit dhe me gjerë.
Të pranishëm në ceremoninë e rastit ishin edhe, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, klerikë të tjerë bektashinj, personalitete nga fusha të ndryshme, besimtarë dhe qytetarë të shumtë.
Pelegrinazhi në Malin e Tomorit që organizohet në datat 20-25 gusht bashkon mijëra besimtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe vende të tjera.
Festa që njihet edhe si festa e Abaz Aliut në Malin e Tomorit shoqërohet me therjen e kurbaneve, që i sjellin besimtarët dhe me aktivitete të ndryshme artistike.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror, Dede Edmond Brahimaj:
“Në emër të Zotit Mëshiruesit , Mëshirëbërësit,
Të nderuar besimtarë, pelegrinë të ardhur nga të katër anët e botës , Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Italia, Greqia e deri nga SHBA për të nderuar ditët e shenjta të pelegrinazhit në malin e Tomorrit,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore qëndrore e vendore,
Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë,
Ju uroj mirëseardhjen në ditët e festimeve të pelegrinazhit në Malin e Shenjtë të Tomorrit. Këto ditë nderimi, përulje e lutje në këto mezare të shenjta e vende të shenjtë janë për të gjithë qetësim shpirti , ndihmë për një të ardhme të paqtë e me begati, me energji të reja për një familje të shëndoshë, punë të pastra të ndershme e me bereqet. I drejtohemi Abaz Aliut e këtij Mali të Shenjtë e Mistik, të na ndriçojë rrugën e të na udhëheqë në drejtimin e duhur, kundër çdo të keqe, negativiteti, xhelozie, pangopësie, djallëzie, e të na bëjë njerëz të denjë e pastër përballë njëri tjetrit dhe  Zotit. Jeta është e përkohshme, por veprat tona të mira janë përgjithmonë. Emri i Abaz Aliut është më i hyjnizuari, më i lartësuari, më i shenjti, hero i mbikohshëm, hero i përjetshëm, hero i idealeve më të larta njerëzore më i adhuruari ndër besimtarët e jobesimtarët e trevës së Skraparit dhe në Shqipëri e më gjerë, qysh herët e deri në ditët e sotme. Abaz Aliu ishte në fluturimin e tij mistik drejt malit të Tomorit ku erdhi dhe qëndroi për jetë të jetëve. Abaz Aliu, si luftëtar që ra për lirinë, erdhi dhe gjeti prehje tek mali ynë i shenjtë Tomorr. Luftoi për të vërtetën , lirinë, pavarsinë , denjësisht, e kjo për ti treguar të gjithë besimtarëve pelegrinë të këtyre ditëve që e vërteta është mbi gjithçka, edhe mbi jetën , e vdekja me dinjitet është përpara çdo gjëje tjetër.
Porositë dhe thëniet e Abaz Aliut janë një pikë e rëndësishme referimi, mbi të gjitha në kohët e vështira që po jetojmë, duk filluar nga vështirësitë në mardhëniet familjare, shoqërore , e më gjerë në shërbimin e kombit që gjithësecili prej nesh duhet të ofrojë. Të gjitha këto duhet të priren nga besimi në Zot , si vlera më e lartë njerëzore e shpirtërore. Besimi është themeli i veprave tona dhe drita që na udhëheq në udhëtimin tonë. Jini përherë mirnjohës ndaj mirësisë së Zotit…
Kushdo që nuk ka mirënjohje për bekimet e vogla, nuk do të ketë kurrë mirënjohje për gjëra më të mëdha , sepse përulësia është çelësi i suksesit në këtë jetë dhe në botën tjetër. Mos urreni askënd, sepse urrejtja është një sëmundje që do t’ju gllabërojë. Besimtar i vërtetë është ai që përhap paqen dhe dashurinë kudo që shkon. Forma më e madhe e bamirësisë është të japësh pa pritur asgjë në këmbim. Bëhuni të mirë me prindërit, sepse janë ata që ju sollën në këtë botë dhe ju rritën. Jini të ndershëm në marrëdhëniet tuaja, sepse ndershmëria është themeli i të gjitha marrëdhënieve të mira. Mendo para se të flasësh, sepse fjalët e thëna nuk mund të kthehen mbrapsht. Suksesi nuk matet nga sa pasuri grumbullon, por nga sa të mira bën. Gjuha është një armë e vogël, por e fuqishme, përdoreni atë me mençuri dhe me kujdes. Përkujtoni Zotin në kohë të mira dhe në të këqija, sepse Ai është burimi i vetëm i ngushëllimit dhe mbështetjes së vërtetë.
Puna është arsye për të larguar nga të gjithë të këqijat ,punoni për një jetë më të mirë sikur do të jetoni përgjithmonë,dhe punoni në heshtje për të mirën tuaj dhe të familjes suaj,  përmes durimit arrihen gjëra të mëdha.
Besimtarë! Mundohuni të jeni të sinqertë, sepse Zoti është ndihmuesi i njerëzve të ndershëm. Shmangni të thoni gënjeshtra pasi kjo do t’ju shkatërrojë besimin. Dijeni se njerëzit e ndershëm janë njerëz fisnikërisë dhe të nderit, ndërsa gënjeshtarët janë në prag të rrënimit dhe shkatërrimit së pari të vetëvetes. Nëse dikush ju lëndon, atëherë mos u mërzitni, pasi është ligji i natyrës që pemët me frutat më të ëmbla goditen më së shumti.
Të duash atdheun tënd është po aq e natyrshme sa të duash babanë ose nënën tënde – në fund të fundit, vendi yt të ushqen, të mbron dhe në shumë mënyra të bën ai që je. Ashtu siç është një virtyt të nderosh prindërit e tu, është një gjë e mirë dhe e admirueshme të nderosh tokën që e quan shtëpi. Atdheu nuk është një valixhe që mund ta merrni kudo ku emigroni, studioni, punoni, jo Shqipëria ka nevojë për të gjithë ne këtu, të kontribuojmë për të, ta njohim e zhvillojmë atë. Në vend që të pyesni veten se ku është destinacioni i ardhshëm për një jetë më të mirë larg mëmëdheut, mbase duhet të krijoni një jetë nga e cila nuk keni nevojë të ikni….Shqipëria ka nevojë për të gjithë ne.
Këto janë disa nga mesazhet e mistikut e shenjtorit tonë të Madh Imam Ali dhe Abaz Ali që sot duhet të shërbejnë si një mësim për të gjithë, si një këmbanë që duhet të dëgjohet në të katër anët e botës, për të na treguar se lartësimi i vlerave si mirënjohja, përulësia, besimi, ndershmëria, paqja, solidariteti , bamirësia, fjalët që thuhen duhet të burojnë nga zemra, puna e ndershme, dashura për atdheun, janë vyrtyte që burojnë nga besimi i pakushtëzuar në Zot., e që shërbejnë për rregullimin e mardhënieve familjare, shoqërore e mbi të gjitha në njohjen e vetvetes.
Zoti i lartësuar qoftë me të gjithe ne , e na udhëheqtë në rrugën e duhur! Amin! “

FOTO-ALBUM NGA PELEGRINAZHI NË MALIN E SHENJTË TË TOMORRIT: