“Dashuria dhe paqja është lumturia jonë, lumturi tjetër nuk ka”

"Dashuria dhe paqja është lumturia jonë, lumturi tjetër nuk ka"

Disa përfaqësues të komuniteteve fetare shqiptare vizituan Gjermaninë. Kryegjysh Dedebaba Hajji Edmond Brahimaj kryetar i kryegjyshatës botërore bektashiane për DW flet mbi rezonancën e tolerancës fetare ndër shqiptarët.

DW: Për katër ditë me rradhë, ju promovuat në përbërje të delegacionit ndërfetar nga Shqipëria në landin gjerman të Renanisë Veriore - Vestfalisë tolerancën dhe harmoninë fetare si vlerë të shtuar të popullit shqiptar? Çfarë rezonance pati kjo përvojë shqiptare?

Kryegjysh Dedebaba Hajji Edmond Brahimaj: Gjermanët janë një popull me kulturë, këtë e treguan nga mikpritja, që na dhuruan në të gjitha takimet tona, na respektuan duke filluar nga personalitetet por edhe nga populli gjerman, me shumë respekt me shumë dashuri, plus edhe shqiptarët që punojnë këtu, që janë një pjesë e integruar në Gjermani, punojnë me ndershmëri dhe kjo është një gjë e mirë, që ne shohim në këtë shtet të bekuar, i cili është lokomotiva e Evropës. Dhe kjo ardhja dhe pritja jonë këtu ka vlerë për kombin tonë, që ata të krijojnë një përshtypje të mirë për kombin shqiptar. Kjo është e rëndësishme për ne.

Në simpoziumin në Essen folët për tolerancën, bëtë shumë vizita, zhvilluat takime me kryebashkiakët e katër qyteteve, Essen, Bocholt, Duisburg dhe Düsseldorf. Si i përjetuat këto takime?

Ne na pritën me shumë dashuri, dëgjuan me shumë vemendje të gjitha ato programet fjalimet tona. Në meshën simbolike me rastin e 800 vjetorit të qytetit të Bocholtit unë mbajta një fjalë dhe një lutje bashkërisht me të krishterët, që ishin aty. Ata i pranuan dhe mirëpritën fjalët që unë thashë aty, dhe kjo ishte e veçantë, se mua më përkthente një evangjelist, unë isha bektashi, ata katolikë dhe një evangjelist përkthente fjalën time dhe kjo tregon një harmoni, dashuri një paqe midis nesh.

Dhe kjo është e mundshme që të ndodhë gjithmonë...

Dhe ka një mrekulli Shqipëria, që besoj se këta nuk e kanë, martesën që ne kemi mes besimeve, pa pasur probleme për besimin e tjetrit, ne e respektojmë njeriun dhe kjo është gjëja më kryesore e kësaj jete të përkohshme. Shiko këtu në këtë guidë të qytetit të Düsseldorfit në qendër kanë vënë njeriun, figurën e njeriut. Njeriun e respektojnë e duan dhe e vlerësojnë. Edhe ne në Shqipëri po mundohemi, ne bektashinjtë dhe të gjitha komunitetet fetare dhe gjithë besimtarët të kemi dashuri për njeri-tjetrin, vëllazëri dhe paqe, sepse dashuria është ajo, që i bashkon njerëzit.

Bashkëjetesa në harmoni e besimeve të ndryshme është një virtyt i njohur dhe krenari e shoqërisë shqiptare, por a ekzagjerohet pak me termin tolerancë?

Jo, ajo ruhet edhe nga ne klerikët, ne kemi një këshill ndërfetar, një qendër, ku i gjithë kleri mblidhet për çdo problem, që ka kombi, për çdo problem, që kanë besimet tona, për të mos patur përçarje luftë me njeri-tjetrin, por të kemi dashuri dhe paqe dhe ky këshill ndërfetar punon që të gjendet gjuha e përbashkët e të mos ketë sherre, se kjo botë është e përkohshme nuk është e përhershme.

Kryegjysh Babadede Edmond Brahimaj, Anduena Stephan, konsulle nderi e Republikës së Shqipërisë në Gjermani dhe autorja, Angjelina Verbica.

Nga se mund të kërcënohet toleranca fetare, a ka rrezik të lëkundet kjo harmoni?

Nuk ka rrezik, se shqiptarët janë një dhe duke qenë një pavarësisht se mund të vijnë rryma të ndryshme në Shqipëri, siç kanë ardhur, por nuk e kanë gjetur atë shtratin e ngrohtë për të vepruar në kundërshtim të rregullave njerëzore. Kjo është një meritë e të gjithë neve dhe e të gjithë kombit shqiptar. Pra bashkarisht e kemi ruajtur këtë mrekulli të shqiptarëve.

Për dekada në Shqipëri pati ndalim të besimit, ateizëm të imponuar nga regjimi komunist. A ka ndikuar ky fakt në tolerancën fetare?

Ajo ndihmoi për këtë unitet, që kanë shqiptarët mes besimeve, nuk i prishi punë.

Tani është kthyer liria e besimit dhe të jetuarit bashkarisht vazhdon?

Edhe tani ne vazhdojmë të martohemi me njeri-tjetrin. Në një familje ka katër besime.

A sjell largimin e pjesëtarëve e besimeve të ndryshme prej njeri-tjetrit, thellimi në praktimin e fesë së vet?

Absolutisht jo, rrymat ekstreme kanë ekzistuar dhe nuk kanë gjetur shtrat në Shqipëri. Mbesën time e kam ortodokse, çfarë t`i them, se jam unë më i mirë. Njeriu është i lirë të zgjedhë edhe para Zotit edhe para ligjit. Të gjithë besojmë te Zoti. A zgjedh Krishtin apo Muhametin, ajo është e drejta jote. Mirepo shqiptarët duhet të kenë një gjë parasysh, duhet t`i kthehen punës, e dyta të merren me veten, jo me komshiun ose me tjetrin, siç themi ne. Duhet të interesohem, se çfarë bën familja ime, çfarë bëj unë personalisht. Parimi dhe motoja jonë është, që të mos jemi asnjëherë në krahun e së keqes, por përherë në krahun e së mirës, dashurisë e paqes. Sepse dashuria dhe paqja është lumturia jonë, lumturi tjetër nuk ka.

 

Referenca: