Datëlindja e ish-Kryegjyshit Botëror, Haxhi Dede Reshat Bardhi! Kryegjyshi Botëror Dede Edmond Brahimaj: Dede Reshat Bardhi, personalitet i shquar i bektashizmit!

Sot mbushen 85 vjet nga lindja e klerikut të shquar. Priten vizita në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë
Qindra besimtarë bektashianë e besimeve të tjera, miq, dashamirës dhe personalitete të ndryshëm sot vizitojnë Selinë e Shenjët të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, për të përkujtuar një datë të shënuar, 85 vjetorin e lindjes së ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat, klerikut të shquar që një jetë të tërë ia kushtoi besimit e kombit, personit i cili ka meritën e padiskutueshme në ringritjen e institucioneve bektashiane pas ndryshimeve të sistemit në vitin 1990. “Përkujtimi i 85-vjetorit të ardhjes në jetë të Dede Reshat Bardhit’ është një ditë e shënuar për miliona bektashinj në gjithë botën. Ai mbetet një figurë e shquar e bektashizmit në qëndrimin e pa lëkundur të udhës së Hakut; kontribuoi dhe ringriti bektashizmin në Shqipëri dhe konsolidoi lidhjet dhe bashkëpunimin me komunitetet bektashiane në botë…”-pohon midis të tjerave Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shkëlqesia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
DEDE RESHAT BARDHI
Dede Reshat Bardhi ka lindur më 4 mars 1935, në fshatin Lusën të Kukësit, në Veriun e Shqipërisë. Në moshën 6 -7 vjeçare, fillon të mësojë shkrim e këndim në gjuhën shqip dhe arabisht nga hoxha i fshatit. Në vitin 1944, familja e tij vendoset në rrethina të Tiranës, shumë pranë vendit ku sot ndodhet Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Reshati vazhdon mësimet në shkollë ndërsa kohën e lirë e kalon me studime të Kuranit. Në fillim të viteve 50 të shekullit të kaluar, Reshat Bardhi ka tërhequr vëmendjen e Kryegjyshit Botëror të asaj kohe Ahmet Myftarit, i cili ka parë tek djaloshi prej Lusnës të largët, jo vetëm prirjet mistike dhe fetare por edhe shembuj të një besnikërie të thellë. Ai bëhet udhëheqës shpirtëror i Bardhit dhe sipas rregullave bektashiane e drejton atë në rrugën mistike të çelur nga Haxhi Bektash Veliu. Në gusht të vitit 1954, Reshat Bardhi vishet dervish. Për arsye se shteti komunist shqiptar, kishte projektuar rrënimin e besimeve fetarë, në vitin 1958 ai e internon në fshatin Drizar të Mallakastrës, Kryegjyshin Ahmet Myftari, së bashku me dervish Reshat Bardhin. Prej 1958 deri 1967, dervish Reshati do të provonte mbi shpinë një varg torturash psikike dhe fizike të kryera nga sigurimi famëkeq i shtetit komunist. Por ai nuk do të largohej nga udhëheqësi i vet shpirtëror dhe as nga praktikimi i riteve fetarë bektashianë. Në teqenë e Drizarit, do të shkonin fshehurazi besimtarë nga Kosova dhe Delvina, nga Kruja dhe Përmeti, nga Dibra e Vlora, nga Tetova dhe Skrapari. Me rrënimin e objekteve të kulteve fetarë në Shqipëri në vitin 1967, dervish Reshat Bardhi do të shkonte në Tiranë, për të provuar të tjera dhimbje fizike dhe shpirtërore. Ka punuar deri në vitin 1991 si punëtor krahu duke mos e humbur për asnjë moment besimin tek Zoti. 
RINGRITJA E BEKTASHIZMIT
Dede Reshat Bardhi ka një meritë të padiskutueshme për ringritjern e bektashizmit. Në vitin 1991 Reshat Bardhi riorganizon bektashizmin në Shqipëri me gjithë strukturat. Reshat Bardhi është shpallur Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, në Kongresin e VI bektashian të vitit 1993. E gjallëroi besimin bektashian, ringriti nga themelet objektet e kultit brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë. Dha një shembull të shkëlqyer të tolerancës fetare. Ai ka marrë pjesë në konferenca e takime ndërkombëtare të niveleve të lartë fetarë si në: Më 22 mars 1991, ka pritur në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Nënë Terezën dhe disa motra të urdhrit të saj nga Kolumbia dhe Spanja; në nëntor 1991, në Mekë, pritet nga autoritete të lartë fetarë të Arabisë Saudite, në shkurt të vitit 1992 shkon në komunitetin bektashian në Detroit të SHBA-së, ku pritet nga Baba Rexhepi; në gusht 1993 viziton teqenë-muze të Haxhi Bektash Veliut në Turqi ku pritet nga mijëra besimtarë bektashianë të ardhur nga Azerbaxhani, Kazakistani, Pakistani etj. U prit gjithashtu në drekë të veçantë nga Kryetari i Bashkisë së qytetit, Haxhi Bektash etj… . Që nga viti 1991 dhe deri në ikjen nga kjo jetë; në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Dede Reshat Bardhi ka pritur në çdo festë fetare, Presidentin, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ministrat dhe të gjithë ambasadorët e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Në vitin 1994-1995 shkon dy herë në Iran ku pritet nga drejtuesi më i lartë i fondacionit të Ehli-Bejtit, Z. Hossein Miri si dhe personalitete të lartë fetarë nga Irani, India dhe Kuvajti. Në mars të vitit 2001 ftohet në audiencë të veçantë nga Papa Gjon Pali në Vatikan; në gusht të vitit 2002, në Haxhi Bektash të Turqisë pritet midis të tjerëve nga Kryeministri turk, Eçevit; në tetor të vitit 2002 merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të OSBE-ODIR, në Azerbajxhan, n tetor të vitit 2003 ftohet në Vatikan, ku merr pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës, e pritet sërish nga Papa Gjon Pali; në shkurt 2004 merr pjesë në Konferencën Botërore për Paqe dhe Tolerancë të organizuar nga Patriarkati Ekumenal; në prill të vitit 2004 merr pjesë në simpoziumin e alevi-bektashinjve në Gjermani; në tetor të viçi 2005 pret në Tiranë me rastin e Kongresit VIII Botëror të Bektashinjve, Ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Z. Atilla Koç, Prefektin e Nevshehirit, dhe Kryetarin e Bashkisë së qytetit Haxhi Bektash; në dhjetor të 2005 përshëndet në Prishtinë Kongresin e Lidhjes Shqiptarë në Botë; në maj 2006 ka pritur në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, Sekretarin e Shetit të Vatikanit, Z. Xhovani Lajola; në qershor 2006, pret në Selinë e Shenjtë në Tiranë Kryetarin e Parlamentit të Turqisë, Z. Bylent Arinç; ka marrë pjesë në Konferencën Botërore të Liderëve Fetarë në Kioto të Japonisë; në tetor 2007, pritet në Stamboll nga lideri mysliman i Turqisë, Prof. Ali Bartokogly si dhe Kryemyftiu i Stambolli Mustafa Cagrici. Në nëntor 2007 pritet nga Kryeministri i Maqedonisë, Z. Gruevski; në shtator 2008 është pritur në Tiranë nga Kryeministri i Turqisë Tahip Erdogan; më 13 tetor 2009, u prit nga Senatori Kanadez Noel A. Kirsella, gjatë vizitës së tij në Tiranë; në maj të vitit 2010, në Çorum të Turqisë, pritet nga Ministri i Shtetit i Turqisë dhe i jepet statuja simbolike e paqes, për kontributin e tij të shquar, në rrafsh të tolerancës fetare etj… Dede Reshati ndërroi jetë më 2 prill të vitit 2011. Është dekoruar me medaljen: “Pishtar i Demokracisë” dhe urdhrat “Naim Frashëri i Artë” e “Flamuri Kombëtar”. Dede Reshati është qytetar nderi i Tiranës, Krujës, Kukësit, Beratit, Frashërit, Kavajës, Bulqizës, Gjirokastrës, Mallakastrës.
“Dede Edmond Brahimaj: Përkujtimi i 85-vjetorit të ardhjes në jetë të Dede Reshat Bardhit’ është një ditë e shënuar për miliona bektashinj në gjithë botën. Ai mbetet një figurë e shquar e bektashizmit në qëndrimin e pa lëkundur të udhës së Hakut; kontribuoi dhe ringriti bektashizmin në Shqipëri dhe konsolidoi lidhjet dhe bashkëpunimin me komunitetet bektashiane në botë…”