Ditën e sotme, 28 tetor 2020, për më shumë se dy orë, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Selia e Shenjtë nën përkujdesin e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizuan veprimtarinë: “Profeti Muhamed, Lavdia që udhëhoqi Njerëzimin, në një rrugë të vërtetë të Paqes dhe Dashurisë”.
Ato u zhvilluan pranë Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërorë Bektashiane, në mjedisin e Odeonit të Madh (qendër Fetaro-Kulturore).
Mevludi dhe Ceremonia e faljes u drejtua nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe kryetari i KMSH Haxhi Bujar Spahiu.
Të dy klerikët përcollën mesazhet e tyre të paqes, dashurisë dhe prosperitetit.
Fjala e plotë Kryegjyshit Botëror Bektashian:
Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Shumë të nderuar vëllezër të mijë, përfaqësues të lartë të Komunitetit Mysliman në Shqipëri!
Të nderuar klerikë dhe besimtarë bektashianë!
Mevludi i sotëm, në ditën e bekuar të kujtimit të lindjes së Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi ‘Të, më jep rastin e shkëlqyer t’ju sjellë urimet e sinqerta të miliona besimtarëve bektashinjve në gjithë botën. Qofshi gjithmonë të lumtur dhe të ndriçuar në mirësitë e Profetit tonë!
Zoti i Lartë u plotësoftë çdo dëshirë që i shërben vëllazërimit!
Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi ‘Të, me jetën dhe veprën e tij, ka qenë dhe mbetet një model unik për të gjithë brezat e besimtarëve myslimanë. Ai diti të transformojë veten, ndjekësit e tij dhe më pas gjithë shoqërinë arabe aq të prapambetur, vetëm e vetëm përmes sakrificave, durimit, dashurisë për dije, vendosmërisë për unitet dhe vëllazëri në fiset e përçara. Ai mundi të kultivojë në mendjet e njerëzve që përbënin familjen e madhe myslimane, mëshirën universale, larg luftërave dhe betejave të verbra për pasuri. Ai diti të dallojë gjërat kalimtare dhe të vdekshme të kësaj bote, për t’iu bashkuar të vërtetave të mundimshme, por të përjetshme.
Shoqëria jonë njerëzore, e djeshmja dhe e sotmja, dëshmojnë se mësimet profetike, thëniet, qëndrimet dhe sidomos filozofia e Tij, mbeten gurë të rëndë themeli në godinën e fesë islame, e cila përveç ditëve të lavdishme dhe plot dritë të saj, ka pasur edhe stuhi gjithfarësh, të ardhura prej civilizimeve të tjerë. Por nëse kjo godinë u bëri ballë sizmikes së nëndheshme të këtyre civilizimeve, nëse ajo erdhi duke u rritur e zhvilluar, kjo ka të bëjë në mënyrë të veçantë me traditën profetike të dialogut, mirësisë, urtësisë dhe dashurisë vëllazërore. Në këtë këndvështrim, ne të gjithë mendojmë se jemi duke ecur në gjurmët e prijësit tonë largpamës.
Motra dhe vëllezër të mijë!
Kur çdokush nga ne dëshmon dorëzimin tek Allahu Fuqiplotë dhe kërkon të ngrihet në piedestalet e adhurimit tek Ai, detyra e parë që na kujtohet është pikërisht të ecim në rrugën e drejtë, në rrugën e mirësisë, të urtësisë, të besimit të palëkundur dhe veprave të mira. Prandaj në çdo rrahje të zemrës sonë, në çdo veprim që ndërmarrim, në çdo fjalë që nxjerrim prej buzëve, ne kemi kurdoherë nevojë për ndihmën dhe mëshirën e përjetshme të Krijuesit, prandaj thërrasim kurdoherë me mendje fjalën e urtë dhe të bukur të Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi ‘Të!
Kryefjala e çdo mendimi e çdo thënie tonën është: “Udhëzona në rrugën e drejtë. Ajo është rruga e të dërguarve, me të cilën Allahu i dritësoi ata!” Rruga e drejtë, padyshim, është e vështirë. Ajo nis me besën e dhënë myrshidit, me dorëzimin pa kushte, me flijimin e gjërave të përkohshme për hir të dashurisë së përjetshme, me zbatimin e të gjitha detyrave të përcaktuara aq kthjellët në Kuranin Qerim. Ajo udhë ka qenë dhe do të mbetet udha e sakrificave të mëdha e të përjetshme. Por ne nuk do të lodhemi kurrë së udhëtuari, sepse kemi një model të ndritur si Profeti ynë. Çdo përpjekje për të ironizuar Profetin tonë, aq më tepër çdo krim për gjoja mbrojtje të dinjitetit të Profetit, asnjëherë nuk kanë pasur dhe nuk do të kenë lidhje me fenë. Feja është thirrje për një familje të madhe dhe të lumtur
Fjala e Kryegjyshit Botëror Bektashian,
Hirësisë së Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj