DEDE BABA EDMOND BRAHIMAJ: 14 VITE NË SHËRBIM TË BESIMIT DHE PAQES

Në një atmosferë të ngrohtë dhe të gëzuar, sot më 11 qershor 2025, në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, u zhvillua ceremonia përkujtimore me rastin e 14-vjetorit të zgjedhjes së Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, në detyrën e lartë si Kryegjysh Botëror i këtij komuniteti të paqtë dhe të përhapur në mbarë botën.
Më 11 qershor 2011, pas ndarjes nga jeta të Dede Reshat Bardhit, udhëheqësit që ringjalli bektashizmin në Shqipëri pas periudhës së errët të ndalimit të fesë, komuniteti bektashian ia besoi drejtimin Dede Edmond Brahimajt, një klerik me përkushtim të thellë dhe vizion të qartë për të çuar përpara vlerat e traditës dhe të harmonisë ndërfetare.
Gjatë këtyre 14 viteve, Shenjtëria e Tij ka luajtur një rol kyç jo vetëm në forcimin dhe konsolidimin e institucioneve bektashiane brenda vendit, por edhe në përhapjen dhe njohjen ndërkombëtare të këtij besimi që predikon paqe, dashuri dhe mirëkuptim mes njerëzve. Me qindra takime ndërkombëtare, bashkëpunime ndërfetare dhe veprimtari kulturore janë zhvilluar nën drejtimin e tij, duke e bërë Kryegjyshatën Botërore një qendër të rëndësishme të dialogut shpirtëror dhe njerëzor.
Në ceremoninë e zhvilluar sot në Selinë e Shenjtë morën pjesë qindra besimtarë bektashianë nga Shqipëria dhe diaspora, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, personalitete të jetës publike, akademikë dhe miq të bektashinjve. Me këtë rast, u drejtuan mesazhe urimi dhe vlerësimi për punën dhe misionin që Dede Baba Edmond Brahimaj ka kryer gjatë gjithë këtyre viteve, duke ruajtur gjallë trashëgiminë shpirtërore të këtij tarikati dhe duke e përshtatur atë me sfidat e kohës moderne.
Ky përvjetor shënon jo vetëm një datë simbolike në historinë e bektashizmit bashkëkohor, por edhe një moment reflektimi për rrugën e gjatë që ky komunitet ka ndjekur në emër të vlerave universale të dashurisë, tolerancës dhe bashkëjetesës.

Përgatiti: Xh. CULLHAJ

Fotot: Nuri ÇUMANI