Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj merr pjesë në homazhet në nder të Mbretëreshës Elizabeth II, zhvilluar në Ambasadën Britanike në Tiranë, që nisi në orën 10:00 të së premtes, 9 shtator 2022. Mbretëresha Elizabeth II, ndërroi jetë të enjten, në moshën 96-vjeçare. Në këto homazhe morën pjesë qytetarë, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, përfaqësues të politikës e të institucioneve shtetërore e fetare dhe rezidentë britanikë në Shqipëri, që vendosën kurora me lule e përcollën ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të monarkes më jetëgjatë të Britanisë së Madhe.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, pasi shprehu ngushëllimet me të sinqerta familjes mbretërore, ambasadorit britanik në Tiranë Alastair King-Smith dhe gjithë qytetarëve të Mbretërisë së Bashkuar, la dhe shënimin e tij në librin e ngushëllimeve për Mbretëreshën.
Pas mbylljes së homazheve, ambasadori i Britanisë në vendin tonë risolli në vëmendje marrëdhënien e Mbretëreshës me Nënë Terezën.
“Në Shqipëri dhe në këtë rajon, Madhëria e saj, Mbretëresha do të kujtohet për Urdhrin e Meritës që i dorëzoi Nënë Terezës, në Nëntor të vitit 1983, si njohje për shërbimin e saj të jashtëzakonshëm për njerëzimin”-shtoi mes të tjerave në fjalën e tij, Ambasadori King-Smith.
Përgatiti:
Xhorxhin ÇULLHAJ