Ditën e enjte, Kryegjyshin Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i ftuar nga Kryetari i Bashkisë Librazhd, z. Kastriot Gurra, ishte dje në Librazhd në promovimin e dy librave të fundit të publicistit e shkrimtarit të njohur, Kujtim Boriçi dhe ceremoninë e dhënies së autorit Kujtim Boriçi, titulli “Qytera Nderi i Librazhdit”. Para aktivitetit, Kryegjyshi Botëror u takua me Kryebashkiakun Gurra dhe pati një bisedë me ‘të, ku i dhuroi ndër të tjera librat “Naim Frashëri, Apostull dhe bilbil i shqiptarizmës” dhe “Haxhi Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmës. Takim, pjesë e të cilit u bënë dhe historianë të njohur, akademikë, shkrimtarë e artistë.
Në vazhdim, në Pallatin e Kulturës “Sadi Halili”, të sapo rikonstruktua, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Kastriot Gurra, deputeti Damian Gjiknuri e të tjerë, Dede Edmond Brahimaj vizitoi ekspozitën me mbi 30 libra të autorit Boriçi, nën shpjegimet e organizatorit, Dr. Skënder Karriqi. Në vazhdim, Kryegjyshi ndoqi aktivitetin ne sallën e Pallatit të Kulturës. Në përshëndetjen e tij, Dede Edmond Brahimaj, ndër të tjera, theksoi: “Të nderuar studiues, historianë, studiues, shkrimtarë dhe artistë! Të nderuar vëllezër, të pranishëm sot në këtë event të rëndësishëm jo vetëm për Librazhdin por dhe më gjerë! Jam shumë i lumtur që ndodhem sot këtu mes jush, në këtë aktivitet të organizuar nga Bashkia Librazhd, në promovimin e dy librave të fundit të autorit Kujtim Boriçi, “100 personalitete të Librazhdit” dhe monografisë “Tahir Hoxha i Çermenikës”!.
Si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit ju uroj dhe bekoj të gjithëve ju për më shumë dashuri, harmoni mes njeri-tjetrit, mirësi e vëllazëri, për më shumë besim tek i Madhi Zot! Paçi gjithmonë shëndet dhe lumturi në familjet tuaja! Por ardhja ime sot këtu, përveçse një obligim për autorin, aktiviteti që po bëhet, lidhet dhe dashurinë e respektin e veçantë që personalisht kam dhe ruaj për këtë qytet e banorët e tij të mrekullueshëm, ku e mes të cilëve, dikur dhe unë kam jetuar e punuar pak vite. Qyteti i Librazhdit, ndonëse me një histori jo shumë të gjatë si qendër administrative, si qytet, ka një histori tejet të pasur shekullore si trevë. Treva e Librazhdit dhe personalitetet që ajo ka nxjerrë në udhën e shekujve, gjithmonë kanë qenë në kahjen e duhur të historisë, si atdhetarë të flakët e mësimdashës, si mikpritës e fisnikë, për paqe e harmoni. Jam i lumtur kur shikoj e konstatoj se tek ky vend e banorët e tij, është materializuar më së miri, deviza e besimit tonë të paqtë bektashian, “Pa atdhe, nuk ka fe!”. Në krijimtarinë e bollshme si publicist e shkrimtar, të Kujtim Boriçit, ndër të tjera, përfshi dhe dy librat që promovojmë sot, një vend të rëndësishëm kanë zënë dhe Librazhdi e banorët e tij. Unë nuk dua të ndalem në vlerat e autorit në këtë fushë, pasi profesorë e specialistë këtu po e bëjnë këtë, por dëshiroj që të theksoj dhe tu garantoj, se ashtu si deri tani, unë i kam mbështetur dhe do i mbështes dhe në të ardhmen, me të gjitha format e mundësitë, këto projekte që i shërbejnë shoqërisë e njerëzimit. Për më tepër, kur në këtë rast, bëhet fjalë për Librazhdin dhe banorët e tij fisnikë, pjesë të të cilëve unë e kam konsideruar dhe e konsideroj edhe veten time. Urime të mëtejshme autorit Kujtim Boriçi në këtë rrugë! Zoti u bekoftë të gjithëve ju e familjet tuaja!
Në këtë aktivitet, përshëndetën e kumtuan dhe Prof. Dr. Zaho Golemi; inxhinieri Maksut Balla; studiuesi Ferit Fixha; Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë; Prof. Dr. Bernard Zotaj, drejtues i Shoqatës së Historianëve Ushtarakë të Shqipërisë; Prof. Xhevat Lloshi; kolonel Thoma Kondurin, President i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë; inxhinieri e pedagogu Eduart Abazi; studiuesja dhe shkrimtarja e njohur, Nadire Nuro-Buza; Lindita Roçi, titullare e Drejtorisë Arsimore në Librazhd; Prof. Dr. Ferit Balla etj…
Interptetuan artistët e njohur Rakipe Karaj, Hatixhe Lushi e Hysni Hoxha, që me këngët që interpretuan, ja shtuan hijeshinë këtij aktiviteti; aktori i njohur Kliti Roshi.
Pas fjalës së tij, Kryebashkiaku Kastriot Gurra, ftoi në skenë deputetin Damian Gjiknuri, i cili i dorëzoi publicistit Boriçi, titullin “Qytetar Nderi i Librazhdit”, akorduar me Vendimin e Këshillit të Bashkisë Librazhd Nr. 15, datë 28.02.2022.
Moderatore e aktivitetit ishte Silvana Braçe.
Përgatiti:
Nuri ÇUNI