Fundjavën që shkoi, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mori pjesë në pelegrinazhin tradicional vjetor, në teqenë “Teqenë e Baba Isufit-Bllacë”, Dibër. Me këtë rast, Ai drejtoi ritet tradicionale të pelegrinazhit, përshëndeti dhe bekoi besimtarët e shumtë të trevës të pranishëm, miq e të ardhur nga Tirana, Dibra e Madhe etj.. Në fjalën e Tij përshëndetëse, ndër të tjera, Dede Edmond Brahimaj pohoi: “Të nderuar besimtarë e dashamirës, të pranishëm sot në “Teqenë e Baba Isufit-Bllacë”, në pelegrinazhin tradicional vjetor! Në fakt, dita e pelegrinazhit tradicional në këtë objekt bektashian, është 10 qershori i çdo viti. Por arsye objektive, (sikundër kjo e këtij viti), mund të çojnë në ndryshimin e kësaj date, por mbeten të pandryshueshme: Emri dhe vepra e mirë e kësaj teqeje dhe klerikëve që kanë punuar e drejtuar këtu; rritja e forcimi i bindjes e devocioni tonë, në udhën e Haxhi Bektash Veliut dhe shtimi i dashurisë, besimit e adhurimit tek Zoti i Madh; shtimi i radhëve të besimtarë të kësaj treve tek besimi i paqtë bektashian. Ndaj, me këtë rast, si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, u bekoj e uroj ju e familjeve tuaja, gëzim, lumturi, paqe e dashuri! Çdo ditë, por sidomos kur mblidhemi në dit të tilla, është momenti të kujtojmë së bashku, pak nga historia e kësaj teqeje, që na bën të gjithëve krenarë.
...Teqeja e Bllacës, mbart historinë e vet, histori e lavdishme të besimit të palëkundur në Zot, por edhe të dashurisë së pakufishme për këto troje. Historia e themelimi për herë të parë të saj, lidhet me baba Sufa, i parë nga fisi Tasha i fshatit Bllacë, në vitin 1800. Ishte me virtyte të rralla kishte dhunti shenjtërie. Është veshur baba, në Haxhi Bektash. Mbante lidhje me teqetë e Dibrës së Madhe, Tetovës me baba Fejzë Bulqizën. Ai hapi mejtepin e parë në Bllacë, në mesin e viteve 1830. Por masat e mara nga otomanët mbas viteve 1826, në persekutimin e bektashinjve, teqeja u shkatërrua dhe për një periudhë të gjatë, nuk funksionoi. U ringrit në themelet e para, në vitin1893 me tyrben e baba Sufës parë, nga baba Sufa i dytë. Baba Sufa i ri ka lozur një rol të madh në përhapjen e bektashizmin në trevën e Dibrës, mësimin e gjuhës shqipe, kontribut në rilindjen kombëtare. Edhe sot mbahen mend thëniet e tij: “Evlaë, me shkollë do të shikoni edhe natën!“ Në teqe në vitin 1908 hapi shkollën e parë shqipe. U persekutua nga autoritet turke dhe serbe, ndërroi jetë në vitin 1915. Teqeja u dogj në vitin 1923, e ringriti baba Zenjeli nga Skrapari në vitin 1930. Pas tij, deri në vitin 1940, këtu drejtoi dervish Abdulla Gurra. Më pas, deri më 1938, shërbeu Dede Ahmeti. Vazhduan të punojnë në këtë teqe disa baballarë dhe dervish si: baba Muharrem Metalla (1950-1954), baba Xhemal Rapush Dinollari (1954-1963) deri në vitin1967. Teqeja u shkatërrua nga shteti monist në vitin 1967 dhe u rihap në vitin 1995 dhe, e drejtoi baba Ismail Jangulli, i cili me përkushtim të jashtëzakonshëm, ringriti këtë teqe të mrekullueshme.. I jemi mirënjohës dhe e nderojmë edhe sot, në këtë ditë të shënuar për veprën që la. E përkujtojmë me respekt e dashuri të pakufishme. Falënderoj me këtë rast, baba Halil Curri dhe sekretarin, Bektash Jangulli, që po punojnë dhe vazhdojnë traditën e kësaj teqeje me histori të madhe dhe rrugën e baba Ismailit. Në dit të tilla pelegrinazhi, zakonisht, takohemi e llafosim, qajmë hallet me njeri-tjetrin, rrisim dashurinë për njeri-tjetrin dhe shpresën e besimin, tek i Madhi Zot. Por, mendoj se është momenti dhe të prekim disa gjëra, që na shqetësojnë ne si bektashinj, e me gjithë porositë e angazhimin tonë, nuk po gjemë zgjedhjen e duhur. Kjo trevë, e njohur historikisht si trevë bektashiane për prej shekujsh, si trevë atdhetare, ka të drejtën e ligjshme që të krenohet. Por si Kryegjysh, unë kam një shqetësim e dua ta ripërsëris, për ta ndarë me ju, me shpresën se do ecim ashtu si duhet në angazhimin tonë. Jeni shumë prapa, për të mos thënë neglizhent, në nismën mbarëkombëtare e më gjerë, me regjistrimet si bektashinj, sikundër në fakt, jeni brez pas brezi. Është e pafalshme kjo neglizhencë, e duhet të marrë fund. Të rregjistrohemi si bektashinj, se kështu fitojmë peshën reale që kemi në komunitet. Se të dokumentuar si bektashinj, i zgjidhim më mirë, më shpejt e më cilësisht së bashku, hallet e shumta që kemi. Shpresoj dhe duhet ta bëjmë, sa më shpejt se koha nuk pret. Kam besim për këtë, kam besim tek populli i mrekullueshëm i kësaj treve bektashiane, kam besim e shpresë tek ju të gjithë. Unë përshëndes me këtë rast dhe vëllanë tim, baba Halil Curri e sekretarin Bektash Jangulli, Paçi mirësi e begati në familjet tuaja! Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin!”
Përgatiti:
Xhorxhin ÇULLHAJ