Ditën e dielë, Kryegjyshi Botëror Bektashian, mori pjesë në promovimin e librit “Atdheu në zemrën e klerikëve myslimanë”, të imamit të xhamisë së Golemit, Gëzim Abdishahi. Në këtë aktivitet që u zhvillua në Golem, ishte i pranishëm dhe Presidenti i Republikës z. Ilir Meta, klerikë, shkrimtarë dhe besimtarë. Ky libër që mbështetet kryesisht mbi shembullin e jetës dhe veprës së klerikut patriot Hafiz Ibrahim Dalliut, është një përpjekje serioze për të pasqyruar detaje të rëndësishme të rolit historik që kanë luajtur klerikët shqiptar, si predikues së besimit dhe atdhetarë të vijës së parë, në çdo etapë të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar.
Presidenti Ilir Meta, lidhur me vlerat e këtij libri, ndër të tjera u shpreh: “…Ne shqiptarët, prej çfarëdo lloj feje qofshim, jemi të tanë vëllezër gjaku dhe vëllezër vatani. Libri është një kontribut i vyer për evidentimin e patriotizmit të të gjithë klerikëve myslimanë shqiptarë, të cilët mbi gjithçka vunë Atdheun, si gjënë më të shenjtë, duke u lënë brezave një porosi tepër të çmuar. Libri është një manual për kontributin e vyer të udhëheqësve tanë të ndritur fetarë, të cilët e paguan me gjak dhe sakrifica të jashtëzakonshme çmimin e lirisë dhe demokratizimit të vendit, që dhe kur u gjendën para togave të pushkatimit e në qelitë e errëta, thanë: “Rroftë Shqipëria!”.
Për Kryegjyshin Botëror Bektashian, Hirësiën e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, libra të tillë, që sjellin jetën dhe kontributin e klerikëve si predikues e atdhetarë, që kanë ndikuar e ndikojnë ndjeshëm në historinë e kombit tonë shqiptar. “…Libri ‘Atdheu në zemrën e klerikëve myslimanë’, i Gëzim Abdishahit, imami i xhamisë së Golemit, është një kontribut me shumë vlera në vazhdën e shumë botimeve serioze të kësaj natyre, që evokon e dokumenton ndër të tjera rolin atdhetar të klerikëve shqiptar, ndër të cilët dhe Hafiz Ibrahim Dalliut, subjekt kryesor në këtë libër. Është rasti që të përmend dhe rolin historik që kanë luajtur besimi bektashian dhe klerikët bektashinj në mbi tetë shekuj të ekzistencës së këtij besimi, për kombin, duke qenë besnikë të paepur në besimin në Zot dhe në kauzën “Pa atdhe, nuk ka fe!’. Heroi ynë kombëtar Skënderbeu, ka qenë myhib bektashi dhe si i till, ai erdhi në Shqipëri dhe u doli zot fatit të vendit. Baba Ali Tomorri, klerik bektashi, erudit dhe historian, e ka dokumentuar e dhënë mjaft mirë këtë shembull që përmenda. Me rastin e këtij libri, unë e përshëndes autorin, imamin e xhamisë së Golemit, Gëzim Abdishahin, për punën e bërë dhe i uroj suksese të mëtejshme…!”