DEDE EDMOND BRAHIMAJ, MERR PJESË NË SEMINARIN “VIZIONI DHE PROGRESI I ARRITUR PËR RESPEKTIMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT NË SISTEMIN PENITENCIAR SHQIPTAR”

Ditën e hënë, 10 nëntor 2025, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, ishte i ftuar në seminarin kombëtar, “Vizioni dhe progresi i arritur
për respektimin e të drejtave të njeriut në sistemin penitenciar shqiptar”. Në këtë aktivitet që organizohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, merrnin pjesë dhe krerë e përfaqësues të besimeve të tjerë fetarë në Shqipëri, përfaqësues të organeve shtetërore, organizatave joqeveritare, përfaqësues të medies etj.
Takimi u zhvillua në mjediset e Kolegjit Universitar “Motrat Qiriazi”, Tiranë, ishte i programua të zhvillohej në dy dit, përkatësisht në datat 11 dhe 11 nëntor 2025.
Përveç Kryegjyshit Dede Edmond Brahimaj, përshëndetën dhe krerë apo përfaqësues të krerëve fetarë në vend.
Takimi nisi me prezantimin e Klevis Qoses, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve rreth “Vizionit dhe progresit të arritur në funksion të respektimit të të drejtave të njeriut në sistemin penitenciar shqiptar”.
Në vazhdim, në program u vazhdua me prezantimet e: Znj. Klotilda Kareçi, Drejtor i Drejtorisë së Çështjeve Sociale, me “Zhvillimi shpirtëror, si një komponent kyç drejt procesit të rehabilitimit të të burgosurve”; Znj. Irena Progni, Drejtor i Qendrës së Trajnimit, me “Ngritja profesionale e punonjësve të sistemit të burgjeve, detyrë kryesore për sigurinë, trajtimin dhe rehabilitimin social të të burgosurve”; Z. Bujar Spahiu, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.; fjala përshëndetëse nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joan Pelushi; fjalë përshëndetëse e Sh.T Imzot Arjan Dodaj, F.d.C, Arqipeshkëv Tiranë-Durrës; fjala përshëndetëse e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj ; fjala përshëndetëse e Z. Ergest Biti Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë; Bledar Kryemadhi- Aleksandër Toma nga Qendra e Trajnimit, për “Aspekte ligjore, parimi i konfidencialitetit dhe respektimi i të drejtave të njeriut në burgje”.
Data 11.11.2025, përfshiu në vizitë e përfaqësuesve të komuniteteve fetare në IEVP Reç, Shkodër.

FJALA E DEDE EDMOND BRAHIMAJT
“Bismilahi Rrahmani Rahim! Në emër të Zotit Mëshiruesit, Mëshirëbërësit. I nderuar Z. Klevis Qose, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve; e nderuar Znj Klotilda Kareçi; e nderuar Znj. Irena Progni! Të nderuar Krerë të Komuniteteve fetare zyrtare në Shqipëri, Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe fetare, përfaqësues të sistemit penitenciar, studiues, të ftuar dhe bashkëpunëtorë të nderuar.
Jam i nderuar sot, që marr pjesë në një event shtetëror në bashkëpunim me komunitetet fetare, kushtuar shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në mbështetje të shtetasve në konflikt me ligjin. Kjo nismë, që ndërthur dimensionin ligjzbatues, shpirtëror me atë shoqëror, është një dëshmi e gjallë e përpjekjeve të përbashkëta për ta bërë shoqërinë tonë më të drejtë, më njerëzore dhe më pranë Zotit. Në themel të mësimeve bektashiane qëndron dashuria, drita dhe mëshira. Bektashizmi e shikon njeriun si krijesë të përsosur të Zotit, të pajisur me dritën e brendshme hyjnore, një dritë që kurrë nuk shuhet, edhe pse ndonjëherë errësohet nga gabimet, sprovat apo rrethanat e jetës. Në këtë kuptim, njeriu në konflikt me ligjin nuk shihet si i përjashtuar, por si një shpirt që ka nevojë të rigjejë ekuilibrin e tij shpirtëror dhe moral, për t’u kthyer sërish në rrugën e dritës dhe të drejtësisë.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka qenë dhe mbetet e angazhuar në ofrimin e mbështetjes shpirtërore për çdo individ që kërkon paqe dhe falje. Përmes teqeve tona, baballarëve, dervishëve dhe udhëheqësve shpirtërorë, ne përpiqemi të përcjellim mesazhin se pendesa është rruga e rilindjes, dhe se dashuria është forca që shëron shpirtin. Besimi dhe reflektimi shpirtëror janë çelësi i transformimit të brendshëm, që i mundëson çdo njeriu të ngrihet mbi gabimin dhe të ndërtojë një jetë të re me dinjitet e përgjegjësi. Në traditën tonë, Haxhi Bektash Veliu thotë: “Njeriu është pasqyra e Zotit; kush pastron shpirtin, pastron pamjen e Zotit brenda vetes.” Kjo urtësi e thellë na kujton se çdo përpjekje për rehabilitim është një akt hyjnor, një mënyrë për ta ndihmuar njeriun të njohë veten dhe Krijuesin.
Për këtë arsye, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve fetare dhe atyre shtetërore në fushën e rehabilitimit është një rrugë e bekuar, që synon jo vetëm korrigjimin ligjor, por edhe shërimin shpirtëror të njeriut. Bektashizmi ofron një frymë tolerance, mirëkuptimi dhe dashurie universale, që e sheh rehabilitimin si një proces të thellë transformimi moral dhe shpirtëror, i cili kontribuon në forcimin e themeleve të paqes dhe bashkëjetesës. Në këtë mision të shenjtë, Kryegjyshata Botërore Bektashiane mbetet e hapur për të ndarë përvojën e saj shumëvjeçare në edukimin shpirtëror, për të bashkëpunuar me institucionet përkatëse të vuajtjes së dënimit, dhe për të krijuar ura të qëndrueshme komunikimi që sjellin fryte konkrete për individin dhe për shoqërinë. Le ta udhëheqim këtë përpjekje me dashuri, durim dhe përkushtim, duke e parë secilin njeri si mundësi për t’u bërë më i mirë. Sepse vetëm përmes dritës së dashurisë hyjnore dhe të mëshirës, shoqëria jonë do të mund të arrijë harmoninë e vërtetë shpirtërore dhe shoqërore. Edhe në errësirën më të madhe, drita e besimit mund të ndriçojë shpirtin.
Zoti i bekoftë të gjithë ata që me përkushtim e ndershmëri i shërbejnë njeriut, paqes dhe drejtësisë! Paçi dritë në shpirt dhe paqe në zemër! Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!”