
Në mbledhjen e parë për vitin 2026, Bordit i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, zgjodhi Kryetar të Bordit (funksion me rotacion), Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Shenjtërinë e Tij, Haxhi Dede, Baba Edmond Brahimajn. Kjo zgjedhje u shoqërua me një analizë të detajuar për realizimin e detyrave të vitit 2025 dhe miratimin e programit për vitin në vazhdim.
Mbledhja e Bordit të Presidencës të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë u zhvillua ditën e hënë, 5 janar 2026, në mjediset e Odeonit, të Selisë së Shenjtë Bektashiane.
Në këtë mbledhje, muarën pjesë, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Kryegjyshatës Bektashiane; Haxhi Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë; Fortlumturi e Tij Joani, Kryepeshkop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë; Mons. Gjergj Meta, President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe, Pastor Erion Sylari, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.
Mbledhja është hapur fillimisht nga i zoti i shtëpisë Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili i ka uruar Bordit mirëseardhjen pjesëmarrësve. Më pas Mons. Gjergj Meta, kryetari në detyrë i KNFSH-së, bazuar në statutin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe rotacionit të miratuar nga Bordi i Presidencës, i ka dorëzuar detyrën Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili do të kryesojë Bordin e Presidencës për periudhën 1 janar 2026, deri më 1 janar 2027.
Në vijim të rendit të mbledhjes, Sekretari i Përgjithshëm i KNFSH-së, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja ka prezantuar fazën finale të Planit Strategjik të KNFSH-së, të hartuar nga grupi i punës për periudhën 2026-2028. Plani përcakton orientimet kryesore të veprimtarisë së Këshillit Ndërfetar për tre vitet e ardhshme, me fokus forcimin e dialogut ndërfetar, promovimin e bashkëjetesës paqësore nëpërmjet edukimit me vlerat universale, si dhe rritjen e rolit të të rinjve dhe grave në shoqëri. Pas shqyrtimit dhe diskutimeve, Plani Strategjik u miratua unanimisht nga Bordi i Presidencës, i përbërë nga krerët e pesë komuniteteve fetare.
Më pas Av. Sheldiana Jano Agaraj, ka prezantuar aktivitetin financiar dhe më pas, Bordi ka miratuar buxhetin për vitin 2026, i cili do të shërbejë për mbështetjen e aktiviteteve dhe projekteve të planifikuara në kuadër të zbatimit të Planit Strategjik.
Gjatë mbledhjes u zhvilluan diskutime dhe propozime nga anëtarët e Bordit të Presidencës mbi çështje të aktualitetit shoqëror dhe rolin e komuniteteve fetare në adresimin e sfidave sociale, edukative dhe kulturore.
Në përfundim, u firmosën vendimet e marra dhe u trajtuan çështje të tjera me interes për veprimtarinë dhe angazhimin e mëtejshëm të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në shërbim të dialogut, harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare në vend.






