DEKLARATË PËR SHTYP

I lutemi Zotit, të na mbajë larg urrejtjes së politikës!
Selia e Shenjtë Bektashiane, po ndjek me vëmendje zhvillimet më të fundit politike në Tiranë, në mënyrë të veçantë ekspozimin e fotove të dëshmorëve apo heronjve të Luftës së Dytë Botërore, në bulevardin “Skëndërbej”. Ne nuk mund të fshehim faktin se jemi ende sot, pas më shumë se shtatë dekadave, po aq të ndjeshëm ndaj politikës, sa në vitin 1944. Të ndarë tanimë në fitimtarë dhe të mundur, shqiptarët e mij, sa herë që duan të fitojnë kapitale politike, rinxjerrin nga fototekat e historisë fytyrat e pafajshme të heronjve të cilët, dhanë jetën për kombin, por që mbetën ende sot pengje propogandistikë të partive politike.
Imazhit të martirëve katolikë, të dhunuar, dënuar e pushkatuar nga diktatura komuniste, në shumë raste krah për krah me klerikë të tjerë syni, bektashi apo të krishterë ortodoks, tani duan t’i mbivendosin nje sfond tjetër historik, që jo vetëm nuk mund të sjellë paqe në shpirtra, por përkundrazi hedh benzinë në zjarrin e politikave të sotme përçarëse të unitetit të kombit tonë.
Pak mëri kemi ne, në gjirin tonë? A nuk ishin të djathtët që hoqën nga puna të majtë të ndershëm?  A nuk janë të majtë që u heqin sot bukën e gojës, të djathtëve të ndershëm? A nuk jemi rrahur e vrarë për pushtet? A nuk po na friksojnë largimet e qinda mijra shqiptarëve me shpresën e vrarë, me mallkimin në buzë? A nuk mjafton kjo histori luftërash e këtyre tri dekadave të fundit, po do të thërrasim në ndihmë edhe heronjtë e dikurshëm, për t’u kacafytur edhe një herë në festat e nëntorit?
O Zot i Lartë!
Jepu politikanëve tanë vullnetin dhe qetësinë për të larguar mëritë dhe urrejtjet brenda familjes!
Jepu besimtarëve të kombit tim shpresën për një të ardhme më të mirë

KRYEGJYSHI BOTËROR
HIRËSIA E TIJ
HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ