Një delegacion i përbërë nga përfaqësues të pesë bashkësive fetare, me të cilat shteti shqiptar ka marrëveshje bashkëpunimi, qëndroi në NRW për të përcjellë në Gjermani traditën shekullore të harmonisë fetare.
"Liria e fesë dhe besimit është një realitet praktik në Shqipëri dhe bota mund të mësojë shumë nga përvoja shqiptare në respektimin e lirisë së mendimit, ndërgjegjes, fesë apo besimit dhe arritjen e harmonisë fetare", pohon raportuesi special i Kombeve të Bashkuara për fenë dhe besimin, Ahmed Shaheed.
Jehona e këtij virtyti të shoqërisë shqiptare prej kohësh ka shkuar larg, dhe ndërkohë njihet dhe vlerësohet në çdo cep të botës. Për të përcjellë këtë vlerë të shtuar në landin gjerman të Renanisë Veriore-Vestfalisë (NRW) qëndroi aty nga data 13 deri 16 maj një delegacion i përberë nga përfaqësues të pesë bashkësive fetare, me të cilat shteti shqiptar ka marrëveshje bashkëpunimi, komuniteti mysliman, kisha autoqefale ortodokse dhe kisha katolike, kryegjyshata botërore bektashiane dhe vëllazëria ungjillore.
Duke theksuar rendësinë e vizitës, organizatorja e këtij eventi, konsullja e nderit e Shqipërisë në Gjermani (NRW), Anduena Stephan thotë, se „për herë të parë në landin NRW mes kryetarëve të bashkive të qyteteve të Essenit, të Bocholtit, të Duisburgut dhe të Düsseldorfit, të gjitha të marra së bashku me një zonë, që mbledh rreth 4 milionë banorë, dhe një përqendrim të lartë të diasporës, komitetet fetare dhe komiteti i kulteve të Shqipërisë patën mundësi të komunikonin për këtë vlerë të shtuar shqiptare, që ne e kemi përditë mes nesh, por që këtu nuk është një gjë që është e vetëkuptueshme."
NRW landi ku takohen shumë kultura mirëpret shembullin e Shqipërisë
Në NRW, me numrin me të lartë të popullsisë në Gjermani, që në kohën e industrializimit janë takuar aty kulturat e ndryshme, dhe më pas fetë e ndryshme që nga ardhja e gastarbeitereve të parë nga Turqia, në vitet 60-të. Në një land me një larmi të tillë demografike, kulturore dhe fetare, ku dëshmohet toleranca, harmonia fetare shqiptare është një shembull i mirëpritur.
Në pritjen në bashkinë e qytetit të Düsseldorfit kryebashkiaku, Dr. Stephan Keller duke theksuar rëndësinë e lirisë së fesë, që në Gjermani mbrohet me kushtetutë si pjesë e të drejtave themelore, tha se njerëz nga të gjitha fetë dhe besimet mund të shpalosin këtu të lirë besimet e tyre. „Para pak ditësh festuam festën e krishterë të Pashkës; besimtarët myslimanë festuan Bajramin dhe besimtarët hebrenj festën e Pesës. Këtu në Düsseldorf ne e jetojmë këtë liri dhe harmoni në një shoqëri të lirë, plotësisht siç e përshkruan edhe motoja e vizitës suaj në Gjermani".
Me rastin e meshës solemne për 800 vjetorin e qytetit të Bocholtit, kryegjyshi Dedebaba Hajji Edmond Brahimaj pati mundësinë të bënte një bekim për paqen dhe harmoninë në gjuhën shqipe, që u mirëprit nga besimtarët e krishterë. Mbresëlënës për delegacionin shqiptar ishte edhe vizita në xhaminë e Merkezit në qytetin e Duisburgut, e cila është kthyer në një atraksion si objekt, ku zhvillohen tryeza dialogu mes të gjithë besimeve fetare. Një shembull se si komuniteti katolik, protestant dhe islam bashkërendojnë punët në shërbim të qytetarëve.
Në simpoziumin e organizuar në qytetin e Essenit delegacioni shqiptar përcolli shembullin e jetuar në shekuj të harmonisë së besimeve të ndryshme në një vend. Duke shpjeguar funksionimin e marrëdhënies shtet-besim në Shqipëri kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulteve Klodian Bulku shpjegoi pavarësinë e bashkësive fetare nga shteti, të cilat vetëadministrohen sipas parimeve, rregullave dhe kanoneve të tyre. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (Neni 10:1) përcakton se shteti nuk ka një fe zyrtare dhe se ai është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes, njeh barazinë e bashkësive fetare dhe se palët respektojnë në mënyrë të ndërsjellë pavarësinë e njeri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve.
Tolerancë, që bazohet më shumë te dialogu
Kjo përvojë respekti dhe bashkëpunimi u konfirmua edhe zonja Efgjeni Pici, përfaqësuese e besimtarëve ortodoksë nga diaspora në Mbretërinë e Bashkuar dhe Motra Fatmira Matoshi, përfaqësuese e motrave françeskane të Zojës së Papërlyer në Shqipëri. Duke sjellë përvojën e saj motër Fatmira tha, se është e vetëdijshme se cilat janë të vërtetat e kishës katolike dhe se respekton të vërtetat e besimit islam, apo ortodoks dhe beson që mbi këto baza edhe funksionon vërtet paqësisht pa asnjë sforcim bashkejetesa fetare në Shqipëri: „Toleranca fetare shkon përtej asaj, që unë jam mirë në punën time dhe ti je mirë në punën tënde. Është një tolerancë, që bazohet më shumë te dialogu. Në dialog dëgjojmë dhe flasim, pra është një bashkëjetesë më e vetëdijshme. Nuk tjetërsohet identiteti personal i asnjërit besim, nuk kemi të bëjmë me imponim të besimeve as me rrafshim të ndryshimeve. Por me një vetëdije që njohim veten, respektojmë tjetrin dhe në këto baza ndërtohet bashkëjetesa fetare", përfundon motra françeskane Fatmira Matoshi.
Në Shqipëri ardhja e besimeve dhe feve të reja historikisht nuk është shoqëruar kurrë me konflikt dhe luftë fetare. Falë kësaj tolerance të popullit shqiptar, kanë bashkëjetuar në harmoni të plotë dhe paqe të gjitha bashkësitë e ndryshme. Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulteve, Klodian Bulku shpjegoi, se edhe në momentet e shfaqjes së mosmarrëveshjeve ndërfetare klerikët intelektualë dhe besimtarët kanë ditur t`i zgjidhin paqësisht ato, duke përmendur për ilustrim shembullin e At Gjergj Fishtës, i cili në vitet 30 të shekullit të kaluar, në një çast tensioni mes myslimanëve dhe katolikëve, kambanoren e kishës katolike dhe minaren e xhamisë në qytetin e Shkodrës i lidhi me një kordon vezullues dritash elektrike, çka nënkuptonte paqen ndërmjet besimeve dhe shuarjen e mosmarrëveshjeve.
Duke qenë se ndjenja e përbashkët kombëtare ka qëndruar tradicionalisht mbi dallimet e besimit, toleranca ndërfetare i ka rezistuar të gjitha momenteve të turbullta, që ka kaluar vendi. Dedebaba Hajji Edmond Brahimaj kreu i Kryegjyshatës Botëroresë Bektashiane thotë, se asnjë kërcënim nuk ka mundur ta errësojnë tolerancën. Njerëzit në Shqipëri e jetojnë dhe e çmojnë mirëkuptimin.
„Nuk ka rrezik që toleranca të dëmtohet" pohon ai „sepse shqiptarët janë një dhe duke qenë një pavarësisht se vijnë rryma të ndryshme në Shqipëri, siç kanë ardhur, por nuk e kanë gjetur atë shtratin e ngrohtë për të vepruar. Kjo është një meritë e të gjithë neve dhe e të gjithë kombit shqiptar. Bashkarisht e kemi ruajtur këtë mrekulli të shqiptarëve."
Edhe për përfaqësusein e Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare, Jeton Keqani ndjenja ndërfetare, që kanë shqiptarët, nuk vjen nga teologjia, por nga ndjenja e përbashkët si komb. "Ne nuk e njohim që tek shqiptarët feja të ketë luftuar kundër fesë. Nuk është teologjia, që na mban ne në harmoni fetare, por është kombi, dashuria vëllazërore, siç thotë Bibla, duaje tjetrin si vetveten".
Panorama e bashkëjetesës fetare nuk është fasadë, por realitet, ajo është mbase edhe më e bukur se ç`duket dhe ne jemi komodë në punën tonë, shton Servet Gura, anëtar i Komitetit Shtetëror të Kulteve, që mbulon marrëdhëniet me komunitetin mysliman.
Duke marrë parasysh kohën e gjatë të mohimit të fesë dhe periudhën e ateizmit në regjimin komunist në Shqipëri, në simpoziumin e mbajtur në Essen u diskutua edhe nëse indiferentizmi ndaj besimit, i ardhur si rezultat i rritjes së brezave pa edukatë fetare, ka ndikuar në shtimin e tolerancës. Servet Gura mendon, se nuk është ky fakt që ka luajtur atë rol, që i atribuohet. „Nuk mendoj se harmonia fetare në Shqipëri është produkt i indiferentizmit fetar të shqiptarëve, ose i ateizmit të imponuar nga regjimi komunist, sepse është një bashkëjetesë ndërfetare e trashëguar ndër breza. Ndër vite kleri fetar në Shqipëri ka punuar për të ndërtuar këtë harmoni dhe vijojmë të punojmë, me qëllim që t'ia lëmë trashëgimi edhe brezave të ardhshëm."