Në një ditë solemniteti të lartë fetar dhe bashkimi shpirtëror, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, mori pjesë më 26 prill 2025 në Meshën e Dritës, të kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, në nderim të jetës dhe veprës së Papa Françeskut.
Ceremonia liturgjike, e udhëhequr nga dekani i Kolegjit Kardinalor, kardinali Giovanni Battista Re, mblodhi rreth 980 bashkëkremtues – kardinaj, ipeshkvij dhe meshtarë nga mbarë bota – si dhe delegacione politike dhe fetare nga shumë vende, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.
Në këtë kontekst të thellë lutjeje dhe përkujtimi, prania e Kryegjyshit Botëror, në zemrën e Kishës Katolike, shënoi një akt të fuqishëm të dialogut ndërfetar, respektit reciprok dhe përkushtimit ndaj vlerave universale të paqes, dashurisë dhe shërbimit ndaj njerëzimit.
Në qendër të altarit të Bazilikës qëndronte ikona e shenjtë “Salus Populi Romani”, një simbol i veçantë për Papën e ndjerë, duke i dhënë një dimension edhe më të thellë shpirtëror kremtimit të Meshës.
Pas përfundimit të ritit liturgjik, ceremonia vijoi me varrimin e Papës Françesku në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, pranë ikonës që ai kishte dashur dhe nderuar gjatë gjithë papatit të tij.
Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, me pjesëmarrjen dhe lutjet e tij në këtë akt historik, përcolli në emër të gjithë komunitetit bektashian mesazhin e fortë të bashkimit, shpresës dhe besimit të përbashkët në vlerat hyjnore që i japin dritë rrugës së njerëzimit.
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ