
Pasditen e së martës, 28 tetor 2025, në Vatikan u zhvillua ceremonia madhështore e kremtimit të 60-vjetorit të deklaratës historike “Nostra Aetate” të Koncilit të Dytë të Vatikanit, dokumenti që përcaktoi marrëdhëniet e Kishës Katolike me ndjekësit e feve të tjera.
Në këtë ngjarje të rëndësishme për dialogun dhe bashkëjetesën ndërfetare në mbarë botën, mori pjesë me ftesë zyrtare edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, duke përfaqësuar komunitetin bektashian dhe traditën fetare shqiptare të paqes, tolerancës dhe dashurisë njerëzore.
Para fillimit të ceremonisë, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj mori pjesë në pritjen e veçantë të Atit të Shenjtë, Papa Leo XIV, ku u zhvillua një bashkëbisedim i ngrohtë mbi rëndësinë e forcimit të dialogut ndërfetar në kohët sfiduese që po kalon bota.
Në këtë veprimtari ishin të pranishëm gjithashtu gazetari Ferdinand Samarxhi dhe Sekretari i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Geni Kruja, të cilët nënvizuan kontributin e Shqipërisë si model i harmonisë fetare.
Dikasteri për Dialogun Ndërfetar i Vatikanit organizoi këtë përvjetor të shënuar në kuadër të Vitin Jubilar – Pelegrinazhi i Shpresës, duke theksuar se, edhe pas gjashtë dekadash, “Nostra Aetate” mbetet një dritë udhërrëfyese për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe bashkëpunimit mes feve.
Në të njëjtin kuadër, Audienca e Përgjithshme e datës 29 Tetor, e drejtuar nga Ati i Shenjtë Papa Leo XIV, do t’i kushtohet temës së dialogut ndërfetar dhe bashkëpunimit për paqe në botë.
Gjatë këtyre 60 viteve, ky dialog ka dëshmuar se është një forcë e fuqishme për shërimin e plagëve, parandalimin e konflikteve dhe ndërtimin e urave të mirëkuptimit midis popujve dhe besimeve të ndryshme.



