Ditën e sotme, më 9 dhjetor 2022, në Qeverinë e Kosovës është diskutuar plotësimi dhe ndryshimi i projektligjit aktual për liritë fetare përmes të cilit funksionon liria e besimit në vend.
Në këtë dëgjim publik me propozimet e Qeverisë për ndryshimet në këtë projektligj morën pjesë edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, krerë të institucioneve të larta të vendit, prijës të institucioneve fetare në Kosovë dhe ambasadorë të vendeve të huaja në vend.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova qëndron mjaft mirë sa i përket respektimit për liritë fetare.
Ai tha se siç është bërë e ditur para dy muajsh, Kosova renditet e para në rajon për sundimin e ligjit dhe e dyta në botë për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit në vitin 2022 sipas “World Justice Project”.
Kurti tha se një ndër kategoritë që Kosova shënoi performancën më të mirë në vitin 2022 ka qenë pikërisht kategoria e garantimit efektiv të lirisë së mendimit dhe të fesë.
“Liria fetare e zë një vend të veçantë në një shoqëri të lirë dhe të hapur siç është Kosova. Kjo për dy arsye, së pari nga një shoqëri e tillë secili arrin të gëzojë lirinë e fjalës dhe të tubimit dhe të drejtën për të shprehur dhe shkëmbyer mendime të ndryshme dhe së dyti një shoqëri e hapur si Kosova mirëpret brenda kufijve të saj qytetarë nga çdo kënd i botës edhe si vizitorë afatshkurtër edhe si banorë afatgjatë. Kjo do të thotë se mendime dhe besime të ndryshme vazhdimisht po hynë dhe qarkullojnë lirshëm midis qytetarëve tanë, tërë kohën”, theksoi Kurti.
Kurti tha se një ndër qëllimet e diskutimit për projektligjin për liritë fetare, është ruajtja e pluralizmit fetar, derisa tha se ndryshimet në këtë projektligj tregojnë se Qeveria e merr seriozisht detyrimin për të garantuar lirinë e plotë fetare dhe për të gjithë qytetarët pa dallim.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se praktimi i religjionit, shfaqja publike e tij dhe respektimi i tij janë të garantuara edhe me të drejta ndërkombëtare, por edhe mes kushtetutave dhe ligjeve të veçanta të shteteve ku praktikohen besime të caktuara fetare.
Konjufca tha se në Kosovë asnjëherë nuk ka pasur konflikte të karakterit fetar për të cilën tha se “është një shembull për t’u globalizuar”.
Ai bëri me dije se propozimi i cili është formuluar nga Qeveria do të shkojë në Kuvend shumë shpejtë për miratim.
“Kjo është me rëndësi që të bëhet, me qenë se ajo çfarë ka munguar deri më tani për bashkësitë fetare është personaliteti i tyre juridik, pra, ky është thelbi i projektligjit. Për shkak të kësaj mangësie në legjislacionin tonë të deritanishëm ka munguar zotësia juridike e bashkësive fetare për t’i ushtruar disa të drejta të tyre fundamentale që janë madje edhe si standarde ndërkombëtare aty ku garantohet liria fetare”, theksoi Konjufca.
Konjufca tha se këto të drejta lidhen me statusin juridik të vetë bashkësisë fetare e cila duhet ta ketë të drejtën e zotërimit juridik të pronës, të marrjes me qira të pronës, mbajtjes së llogarisë zyrtare bankare, punësimin e punëtorëve, sigurimin e tyre dhe mbrojtjen ligjore të komunitetit, anëtarëve dhe pasurisë së tyre, por, po ashtu edhe të drejtën e bashkësive fetare për të themeluar institucione të ndryshme të karakterit humanitar, edukativ dhe të ngjashme.
Ndryshimet në këtë projektligj përfshijnë edhe formimin e një komisioni i cili enkas do të merret me punët praktike për të drejtat dhe liritë e bashkësive fetare dhe i përcakton kriteret përmes së cilës bashkësitë e reja fetare që duan të regjistrohen në Kosovë.
Projektligji për liritë fetare u miratua për herë të parë më 24 gusht 2006. Një prej qëllimeve të projektligjit është përditësimi i kornizës ligjore për liritë fetare për të rritur përputhshmërinë me të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutën e Kosovës.
Neni 38 i Kushtetutës së Kosovës përcakton se “Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar” dhe “Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë ngërthen të drejtën për të pranuar dhe manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale dhe të drejtën për të pranuar ose refuzuar për të qenë anëtarë i një bashkësie ose grupi fetar”.