Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: “Vendosja e bustit, vlerësim për kontributin e dede Reshatit dhe bektashizmit për paqe, mirësi, dashuri e atdhe!”
Si rrallë herë, ditën e djeshme, më datë 2 shtator 2021, teqeja e Kuzum Babait dhe gjithë besimtarët e Vlorës, kanë përjetuar një ditë të veçantë festive që lidhet me dy evenimente të rëndësishme, ceremonia tradicionale e ashures në teqenë bektashiane të Kuzum Babait si dhe ceremoninë e vendosjes së bustit të ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, dede Reshat Bardhi në këtë teqe.
Kanë marrë pjesë në këtë ditë të shënuar në ambientet e teqesë së “Kuzum Babait”, autoritetet të larta, përfaqësues të politikës, drejtues të komuniteve fetare në Vlorë, besimtarë si dhe të tjerë të pranishëm.
Pas një agjërimi që zgjat 10 ditë të muajit hënor të Muharremit (Muaji Muharrem është fillimi i vitit të ri Hixhri sipas kalendarit myslyman), ku përkujtohen në shenjë zie e respekti 72 dëshmorët që ranë heronj në Qerbela, me në krye Imam Hysenin, ditën e dhjetë të Matemit, për t’i dhënë fund kësaj periudhe agjërimi, zhvillohet në teqe një ceremoni gjatë së cilës, besimtarët pijnë ujin e jetës, sherbetin dhe mbas kësaj, vazhdon “Dita e Ashures”. Dita e dhjetë do të thotë Ashure, e cila shënon përvjetorin e vdekjes së Imam Hysenit në Qerbela.
Në të dy ceremonitë, fjalën përshëndetëse, e mbajti Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili, mes të tjerave tha: "Të nderuar vëllezër të mi klerikë! Vëllezër dhe motra besimtarë të pranishëm sot në teqenë Kuzum Baba, në ditën e ashures! Jam i gëzuar që ndodhem këtu me ju dhe më lejoni që, si Kryegjysh Botërorë Bektashian t’ju bekoj e t’ju uroj fat dhe mbarësi në familjet tuaja! Paçi gjithmonë shëndet dhe mbarësi! Zoti qoftë i kënaqur me vëmendjen dhe devocionin tuaj ndaj Qerbelasë dhe Imam Hysenit! Evokimi i ngjarjeve të Qerbelasë, nuk është thjeshtë një “udhëtim” në historinë e imamatit. Më tepër se kaq, kjo ngjarje tronditëse, lidhet me moralin, lartësinë shpirtërore dhe dlirësinë Hyjnore të miliona besimtarëve bektashianë të të gjitha kohërave dhe të të gjitha vendeve. Një mësim i tillë kaq i vyer, një veprim kaq i guximshëm si ai i Imam Hysenit, ndonëse dihej çmimi i minutës së fundit, na jep të kuptojmë se ja vlen të sakrifikohesh për pastrimin dhe lartësimin e shpirtit. Festa e Ashures, është një ceremonial i thjeshtë në dukje, por i pa zëvendësueshëm për traditën tone bektashiane… Kemi agjëruar së bashku dit të matemit, kemi biseduar e përcjellë së bashku ngjarjet tragjike të Qerrbelasë. Kemi kujtuar dhe sjellë ndër mend aktin sublim të 72 dëshmorëve dhe kalorësin e pavdekshëm Imam Hysenin, paqja qoftë mbi ‘Të. Kemi parë dhe kemi folur se deri në çfarë mase mund të shkojë djallëzia dhe ligësia njerëzore e trupëzuar tek Jezidi dhe Mavija. Mallkimi i Zotit të Lartë i përcjelltë ata dhe ndjekësit e tyre! Dhe kemi mësuar se duke qenë të bashkuar vëllazërisht të gjithë, mund ta mposhtim të ligën dhe mirësinë, ta kemi moto të punës dhe jetës sonë! Dhe apeli jonë mbetet, më shumë mirësi, paqe dashuri e unitet mes njerëzve, pa dallim race, ngjyre, ideje apo feje. Duke kuvenduar sot së bashku në këtë ditë të shënuar, ne bëhemi më të ndërgjegjshëm për adhurimin e të Madhit Zot, na shtohet shpresa për përballimin e vështirësitë e sotme që po kalojmë, na shtohen forcat për të ecur në udhën e mirësisë! Një falenderim i veçantë shkon sot për autorin e bustit, skulptorin e talentuar z. Henri Mimani. Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin!