Ditën e hënë, më 31 korrik 2023, në teqenë Harabati-Baba Tetovë, Maqedonia e Veriut, u zhvillua festa tradicionale e Ashures, që mbahet në përfundim të Matemit. Ceremonia u zhvillua nën përkujdesjen e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Gjyshatës së Tetovës. Për këtë ditë të shënuar, vendasit kishin marrë të gjitha masat, ndërkohë që në këtë ceremoni, përveç klerikëve, myhibeve e besimtarëve nga Maqedonia e Veriut, kishin ardhur edhe besimtarë bektashianë e dashamirës të shumtë dhe nga Kosova, Shqipëria e diaspora etj.
Ritet tradicionale i drejtoi Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj ku pas përshëndetjes së rastit, ai uroi të gjithë ata që mbajtën Matemin, duke evokuar ndërkohë dhe detajet e ngjarjes tragjike të Qerbelasë shekuj më parë, si dhe mesazhet që ka përcjellë e do të përcjellë ajo ndër breza besimtarësh bektashianë, kudo në botë.
Pas riteve tradicionale, të pranishmi shijuan ashuren e përgatitur për këtë rast.