Në kuadrin e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, u organizua në Vlorë dhe Kaninë, seminari i Trashëgimisë Kulturore nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, 29 Shtator 2021, në Pallatin e Kulturës “Labëria”. Mori pjesë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, si gjatë seminarit dhe në Kaninë. Fjala Përshëndetëse dhe informimi i mediave në lidhje me implementimin e projekteve të DRTK-Vlorë, nga Drejtori z.Orgest Feimi dhe temat e studjuesve ishin interesante; Implementimi i projekteve të DRTK-Vlorë me fonde të huaja, Roli i Muzeve në turizmin kulturor rajonal, Sfidat e Muzeut Historik dhe Arkeologjik si dhe Muzeut Etnografik, Vlorë, Restaurimi i teqesë dhe tyrbes së Kaninës, ngjallën interes në këtë seminar. La mbresa tek të gjithë, kur në Kaninë nga DRTK-Vlorë, z. Orgest Feimi, u dorëzuan çelsat e teqesë dhe tyrbes së Kaninës. Kryegjyshi u ndal në këtë ceremoni, duke falenderuar për punën e mrekullushme që ka bërë DRTK-Vlorë në restaurimin e teqesë dhe tyrbes duke e sjellë në indetitet dhe funksionalitetin e saj, e cila do tu shërbej besimtarëve, dashamirësve dhe vizitorëve vendas dhe të huaj, ku midis të tjerave Kryegjyshi u ndal: …” Më lejoni në radhë të parë, t’ju uroj shëndet juve dhe familjeve tuaja, si edhe në emër të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Zoti ju plotësoftë dëshirat tuaja! Është kënaqësi e veçantë për mua të marrë pjesë në këtë event në dorëzimin e teqesë së Kaninës e restauruar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. E zbatuar projekti nga Firma “Leon Konstruksion” të kësaj teqeje të hershme jo vetëm në Vlorë por edhe në Shqipëri. Evlija Çelebiu, në verën e vitit 1670, përshkruan teqenë e Kaninës si më poshtë: “Këtu gjendet edhe një teqe e Haxhi Bektash Veliut, gjithashtu e themeluar nga Sinan Pasha. Kjo teqe është e dëgjuar në mbarë Turqinë, Arabinë dhe Persinë. Aty gjenden edhe shumë njerëz të dhënë pas dijeve mistike dhe pas jetës së përkorë prej dervishi… Pranë teqesë, në një tyrbe madhështore, prehet themeluesi i saj, Gazi Sinan Pasha… Shkurt, ajo është nje teqe e pasur dhe e dëgjuar dhe unë nuk gjej fjalë për ta përshkruar”. Kanë shërbyer në këtë teqe baba Xhevheri dhe baba Ali Horasani, në shekullin e XVI. Sulltan Mahmud i II-të urdhëroi mbylljen e teqeve bektashiane më 1826, u mbyll edhe teqeja e Kaninës. Ajo vazhdoi të funksionoj një periudhë kohe. Pastaj kanë shërbyer kujdestar të ndryshëm në vite. E kanë vizituar teqenë personalitete vendas dhe të huaj: Më 1850 konsulli astriak, Johann Georg von Hann, shkrimtari Friedrich Wallisch në vitin 1930, kurse Machiel Kiel e vizitoi në vitin 1983, Franc Babinger në vitin 1962. Në oborrin e teqesë u vendos varri i Ismail Qemalit në vitin 1919. Kurse në vitin 2014 u sollën eshtrat e Eqerem bej Vlorës. Vlen të përmendim se treva e Vlorës ka shumë teqe, tyrbe, mekame dhe vende të shenjta, si: teqenë Kuzum Baba, teqe e Shkozës, Gjormit, Kurorës së Malit Sevaster, Golimbasit, Gorishtit, Borshit, pothuajse në të gjitha fshatrat e Vlorës. Ku dervishët dhe baballarët kanë lozur një rol të rendësishëm në bashkimin dhe vëllazërimin e popullit me devizën se “Pa atdhe nuk ka fe”, harmoninë dhe tolerancën fetare. Me këtë rast falenderoj Institutin e Monumenteve të Kulturës znj. Arta Dollani, Drejtorinë Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, z. Orgest Feimi dhe firmën “Leon Kostruksion” që e restauroi teqenë e Kaninës dhe tyrben duke ruajtur trashëgimin e saj të hershme, arkitekturore. Pra kjo teqe e mrekullueshme ia vlen të jetë një vend i vizitueshëm, vend pelegrinazhi dhe rituali për të gjithë besimtarët dhe dashamirësit për vetë vlerat që mbart për turizmin fetar. Urime, të gëzojmë të gjithë bashkë.”
Më pas Kryegjyshi, Dede Edmond Brahiamj ndau disa Mirënjohje dhe në vazhdim vizituan ambjentet e teqesë dhe tyrbes së Kaninës. Bisedat gjatë kokteit u gjallërua dhe me ngrohtësi e dashuri kaluan këtë ditë të larmishme, në ditën e trashëgimisë kulturore.