Ditë aktivitetesh për 135-vjetorin e lindjes dhe 75-vjetorin e ndarjes nga jeta, të Abaz Hilmi Dede


Ditën e premte, 18 mars 2022, në mjediset e Odeonit, në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, u përkujtua me një sërë aktivitetesh, 135 vjetori i lindjes dhe 75-vjetori i vrasjes së ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Abaz Hilmi Dede. Në ritet e kësaj dite, merrnin pjesë klerikë bektashianë, përfaqësues të besimeve të tjerë fetare në Shqipëri dhe besimtarë të shumtë.
Në fillim, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, përshëndeti të pranishmit, duke u ndal tek personaliteti dhe kontributi i njohur fetar e atdhetar, Abaz Hilmi Dede.
Ndër të tejra, Dede Edmond Brahimaj, theksoi: “…Ne sot evokojmë shpirtin e vetmohimit të Dede Abaz Hilmiu, i cili i përket plejadës së shkëlqyer të baballarëve bektashianë, të cilët nuk i ndanë asnjëherë Zotin në qiell dhe Atdheun në tokë. Përkujtimi dhe vlerësimi i jetës dhe kontributit të Dede Abaz Hilmiut sot, përkon me një situatë të ëvshtirë, për shkak të luftës së përgjakshme në Ukrainë, me pasoja globale, por dhe për disa probleme ekonomike e sociale që kishim në vend, por që po rëndohen nga kjo situatë tejet e vështirë. Ndaj, këshillojmë shkaktarët e kësaj lufte tragjike që të ndalojnë dorën vrastare mbi gra e fëmijë të pafajshëm dhe i lutemi të Madhit Zot që të ndalë sa më parë këtë dorë gjakatare, në mënyrë që njerëzimi ti rikthehet paqes, mirësisë e dashurisë. Duke kujtuar sot Dede Abaz Hilmiun, ne erspektojmë një nga klerikët bektashinj, që dha kontribut të vyer për bektashizmin dhe atdhetarinë. Dede Abaz Hilmiu, i mëkuar qysh në fëmijërinë dhe më pas në rininë e tij, me dashurinë e Frashëllinjve për trevat shqiptare, ndonëse jetoi për disa vite në Egjipt, ai do të vinte si pëllumb i Haxhi Bektash Ve;iut në viset e bukura të Shqipërisë së jugut. Në Prishtë, në Sukë, në Frashër, ai do të hynte në zemrat e mijra besimtarëve bektashianë, duke ndriçuar ato, me dritën hyjnore të mirësisë dhe urtësisë sonë tradicionale. Në mënyrë të veçantë, devotshmëria e këtij kleriku të shquar, do të shquhej në vitet 1920-1940, në Shqipërinë e mbushur plot trubullira politike. Ndërkohë që shteti i pavarur shqiptar po rritej përmes mërive të egra etnike,përmes rreziqeve të panumërt që vinin prej orekseve aneksioniste, Dede Abaz Hilmi, vazhdonte të përcillte nëpër oborret e teqeve, mesazhin e madh të bashkimit të shqiptarëve Dede Abaz Hilmiu edhe në kohën e qëndrimit të tij në postin e udhëheqësit të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane , u dallua për dashurinë e thellë të tij ndaj besimtarëve shqiptarë, të çdo besimi. Ai eci në gjurmët e të parëve të tij, duke e konsideruar bektashizmin si një urtësi dhe besim për besimtarët në të gjitha trevat shqiptare, në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe deri në vise të Çamërisë. Ai mbeti besnik deri në fund i parimeve dhe kodeve zakonore bektashianë. Pjesëmarrës në të gjitha kongreset bektashianë, ky klerikë i shquar, u kujdes që doktrina bektashiane të fitonte vizione të reja, por pa trazuar dlirësinë e zbritur prej 800 vjetëve.
Në këtë event, dua të prek shkurt jetëshkrimin, punën dhe aktivitetin e Dede Abazit. lindi më 13 mars të vitit 1887 në fshatin Mërtinjë të Përmetit në një familje bektashiane dhe patriotike. Fëmijërinë e kaloj pa prindër, babai i vdiq dhe e ëma e la të vogël. Me të afërmit e familjes shkonte shpesh tek mekami i Bënjës dhe të dielave shkonin në Teqenë e Këlcyrës, Sukës etj. Në takimet dhe bisedat me baballarë e dervishë të teqeve të Dëshnicës Abazi u njoh dhe mësoi për rrugën e besimit bektashian dhe mësimet e ndritura të Haxhi Bektash Veliut. Në vitin 1905 mori dorë dhe sipas rregullave kanonike të bektashizmit u bë dervish në Teqenë e Prishtës, tek Baba Shabani dhe Baba Ali Turabiu. Atje punoi me përkushtim dhe mësoi e mori gjithë kulturën dhe praktikën e dervishit, frymën e ndjenjën e vendosmërisë së misionarit fetar, u pajis me kulturën dhe mësimet e para të doktrinës bektashiane… Kur u shpall Pavarësia dhe u krijua shteti i pavarur shqiptar, dervish Abazi ishte në teqenë e Prishtës. Ngjarjet tronditëse dhe makabre në vitet 1913-1914, bënë që dervish Abazi, bashkë me dervish Aliun dhe baba Shabanin, të shkonin në Vlorë dhe prej andej emigruan në Egjipt, në teqen e Kajuzës Sulltanit. Aty, ku qëndroi 3 vite, ai mori kulturë e dije më të gjera dhe i pasuroi më tej njohuritë mbi bektashizmin. Në vitin 1916 u kthye në Prishtë, ku punoi dhe dha një ndihmesë të çmuar për rindërtimin e teqes së Prishtës e cila ishte bërë shkrumb e hi nga andartët grekë. Baba Abaz Hilmiu, ishte jo vetëm drejtues fetar por edhe organizator kur e kërkonte interesi i Atdheut dhe i kombit, lider i masave dhe i popullit, kur prekeshin interesat e Atdheut. Në vitin 1920 dervish Abazi organizoi dhe udhëhoqi vullnetarët e zonës së Këlcyrë-Përmetit në luftimet kundër pushtueve italianë në kalanë e Tepelenës dhe bashkëpunoi ngushtë me baba Ahmet Turanin në vazhdimin e luftimeve deri në çlirimin e Vlorës. Gjatë periudhës 1920 deri më 1939, ai mori pjesë aktive në gjithë përpjekjet që bënte shteti dhe populli shqiptar për demokraci, për konsolidimin e mbrojtjen e pavarësisë, për zhvillimin e ekonomisë të arsimit, kultures etj. Ai kontribuoi për ngritjen e shkollës në fshatin e lindjes së tij dhe në zona të tjera të krahinës e të vendit. Abaz Hilmiu, dha ndihmesa të veçanta në organizimin e Kongreseve bektashiane që nga Kongresi i Prishtës i janarit 1921, në Kongresin bektashian të korrikut 1924 në Gjirokastër, në Kongresin e tretë bektashian të shtatorit 1929 në Korçë. Në teqenë e Frashërit ku shërbeu deri më 1945. Por personaliteti, autoriteti dhe roli i tij jo vetëm fetar, por edhe si atdhetar i madh, u shfaq dhe spikati gjatë periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur ai e ktheu teqenë e famshme të Frashërit, ku shërbente, në qendër të sigurtë strehimi dhe ushqimi për luftëtarët e luftës çlirimtare të Atdheut të pushtuar nga nazifashistët. Ai kontribuoi dhe ndihmoi në aksionet dhe luftimet për çlirimin e Zonës së Frashërit. Për këto merita dhe si një klerik me përvojë të gjatë, Gjysh Abaz Hilmiun, në moshën 58 vjeçare, më 2 shtator 1945, Këshilli i Përgjithshëm Gjyshnor e zgjodhi Kryegjysh Botëror të Bektashinjve. Shënjtëria e tij, Abaz Hilmi Dede punoi me këmbëngulje për organizimin, drejtimin dhe fuqizimin e bektashizmit në Shqipëri dhe në botë, për përhapjen e mbrojtjen e parimeve të doktrinës bektashiane dhe për zbatimin e përpiktë të parimeve të saj për të mirën e brezave të shoqërisë njerëzor. Aktiviteti i Abas Hilmi Dedei, ish-Kryegjysh Botëror i Bektashizmit ka lënë gjurmë në kohë, si klerik bektashian dhe si atdhetar. Ai është dekoruar me tituj Nderi nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë me Urdhëri (mbas vdekjes) për veprimtari Patriotike të Klasit I-rë dhe Nderi i Kombit. Lavdi veprës së pavdekshme të Abaz Hilmi Dede.
Në vazhdim, përshëndetën Bujar Harasani, Kryetar i Tarikatit Kadri të Shqipërisë; Skënder Elezi e Kujtim Elezi, nipër të Dede Abazit. Gazetarja Brunilda Gorovelli, interpretoi për të pranishmit një poezi kushtuar Abaz Hilmi Dedeit.

Në vazhdim, u ndoq filmi dokumentar “Jeta dhe vepra e Dede Abazit”, realizuar nga Nuri Çuni dhe dokumentari i shkurtër, për ditën e homazheve në Mërtinj të Përmetit, vendlindjen e Dede Abazit.
Një koklej, mbylli këtë aktivitet të rëndësishëm.

Përgatiti:
Kujtim BORIÇI