Fundjava ka qenë ditë e pelegrinazhit tradicional bektashian, në Tyrben e Baba Kamberit, në Drisht të Shkodrës. I ngarkuar nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, në ritet e kësaj dite të shënuar, ishte dhe një grup nga Selia e Shenjtë Bektashiane, kryesuar nga dervish Hasan Carkanji. Përveç besimtarëve, në këtë pelegrinazh, merrnin pjesë dhe klerikë e përfaqësues, nga gjyshata Bektashiane e Krujës dhe besimtarë vendas dhe nga zona për rreth.
Kjo tyrbe e njohur, është themeluar në periudhën e sundimit turk. Në fletoren-epistolar të Shkodrës të vitit 1702, jepet një e dhënë për emërimin e një rojtari në tyrben e Kamber Babait. Veprimtaria e këtij babai, sipas dokumentit të mësipërm, në repartet e jeniçerëve dhe në popull, është e njohur për urtësinë dhe mirësinë bektashiane që përhapi në zonën e Drishtit dhe të Shkodrës. Tyrbja, është shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe, është rindërtuar pas çlirimit, aty ku ishte dikur, në një shpat mali të pyllëzuar. Ballkonin para tyrbes, sheshi dhe elementët e objektit bektashian, paraqesin një arkitekturë karakteristike: harqe piramidalë, dhoma për pritje, ndenje dhe biseda. Poshtë saj, nga rruga kryesore hyrëse në këtë tyrbe, është ndërtuar një shkallare me një shesh pushimi në formë çardhaku. Kjo tyrbe, ka përballë tyrben e ‘Gishtit të hapur’, në majë të Kodrës, ndërtuar me mur guri. Historia e saj lidhet me legjendën e prerjes së gishtit, baba Kamberit. Besimtarët mblidhen në çdo maj në këtë objekt kulti, në ditën e pelegrinazhit dhe shprehen: “Ne i lutemi Zotit dhe baba Kamberit, që të duam njeri-tjetrin, pa dallim bindje dhe besimi, për të sotmen dhe të ardhmen.” Kjo teqe, u mbyll në vitin 1967 dhe u rihap në vitin 1995. Me porosi të kryegjyshit Botëror, Dede Edmond Barhimaj, në maj të vitit 2019, u ribë çezma e baba Kamberit me këtë mbishkrim: “O njerëz të uruar. Pini ujë të bekuar. Nga baba Kamberi i shenjtëruar!”. Në këtë objekt, shërben si kujdestar, Qazim Tyrbetari.