22 qershori 2024, është dita e pelegrinazhit tradicional në teqenë e njohur të Melçanit, Korçë.
Që në orët e para të mëngjesit, dita nisi me lutjet dhe përuljet kundrejt Krijuesit, duke i kënduar El-fatiha të rënëve të kësaj porte dhe vazhdoi me festimet në lëndinat plot lule dhe bimësi, në ambientet e jashtme të teqesë.
” Në këtë ditë të shenjtë, përkujtojmë kontributin e shquar të baballarëve dhe dervishëve në këtë teqe me famë historike. Për kontributin e shquar në Rilindjen Kombëtare, mbeten edhe sot simbol i bektashizmit, jo vetëm në trevën e Korçës por për gjithë jugun e Shqipërisë e më gjërë. Nuk mund të harrohen Hysen Dede Horasani, baba Abdullahu,, baba Hysen Vërleni, baba Bektash Kozeli, baba Zylfua, baba Zeqiri, baba Kadri Mukollari etj;, të cilët bënë hsistorinë e kësaj teqeje në shekuj deri më sot. ” – pohon ndër të tjera Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.
Pak nga historia e saj:
Teqeja e Melçanit ndodhet në një kodër të bukur mbi fshatin Melçan të Njësisë Administrative Bulgarec, Bashkia Korçë. Në këtë vend kanë kaluar misionarë të ndryshëm që kanë predikuar për bektashizmin gjatë shek. XIV, por themelimi i saj lidhet me Hysen Dede Horasani, i cili filloi punimet e teqesë së Melçanit në vitin 1640, kur ndërroi jetë. Veprën e tij e pasuan Sali Dede Horasani, i cili e pasuroi teqenë, mbas kalimit nga jeta për një periudhë kohe teqeja ka qenë pa dervish dhe baballarë deri në shekullin e XIX-të, kur erdhi baba Abdulla me origjinë nga Kruja. Me ndikimin e Shememi Babait nga Kruja dhe ndihmën e Ali Pashë Tepelenës u bë një teqe kështjellë. Baba Abullau e zgjeroi teqen edhe me dy ndërtesa të mëdha madhështore me harqe e zbukurime. Ai drejtoi teqenë për 40 vjet deri në vitin 1852. Teqeja u dogj në vitin 1826 nga misionarët e Sulltan Mahmudit të II. Shumë baballarë të shquar punuan në këtë teqe. Erdhi baba Hamiti, punoi me përkushtim punoi vet një ha tokë qilizmë dhe mbolli bajame, ai ishte punëtor dhe i sakrificës, mbas tij erdhi baba Ademi i Backës, i cili zgjeroi pronat, solli dhe ujin e pijshëm me tubacione. Mbas tij erdhi baba Hysen Vërleni një shpirt madh dhe i ditur, bashkëpunonte me patriotët rilindës, me vëllezërit Frashëri, me baba Meleq Shëmbërdhenjin, hapi shkollë shqipe, vinin fëmijët e fshatrave Melçan, Porodinë e Vinçan. Në rilindjen kombëtare u shqua për mësimin e gjuhës shqipe dhe strehimin e luftëtarëve të lirisë. Këtu u formua çeta e parë në vitin 1906 prej Bajo Topullit, ndihmoi i shquari baba Hysen Vërleni. Në çetë ishin dervishët: dervish Bektash Kozeli, dervish Qazim Llaka. Në vitin 1914 teqeja u bastis e grabitën andartët grekë. Në këtë periudhë baba Hyseni i dëshpëruar shkoi te miku i tij, në teqenë e Shëmbërdhenjit të baba Meleqit, këtu ai kaloi atje nga jeta. La amanet dervishin e tij, baba Zylfon edhe ky u internua në Gjirit, vazhdoi drejtimin e teqesë baba Qazim i Kuçit (1914-1930). Në të gjitha periudhat e historisë kjo teqe la gjurmë historie në shërbim të kombit. Në muajin gusht 1930 me VKM, më 2 gusht 1930, nr. 659 i vendimit, u bë qendër e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane e drejtoi Sali Niazi Dede. Në vitin 1944 u dogj nga gjermanët. Teqe e pasur dhe me prona të mëdha, ka patuar dhe Hanin e saj në qytetin e Korçës. Drejtuan teqenë: Gjysh Zylfo Vërleni (1940-1944), në vitin 1940: dervish Abdulla Pacomiti, dervish Kamber Starja, dervish Muhamet Dede, dervish Xhemal Melçani, dervish Hysen Greshica, dervish Nebi Çezme, dervish Zejnel Glina, dervish Qebir Lekdushi. U rindërtua në vitin 1949 nga baba Zeqiri dhe drejtoi teqenë deri në vitin 1962, bëri shumë myhib dhe kishte 250 të tillë, dhe dervish Samit Zboqi, dervish Izet Lumani. Më pas baba Kadri Mukollari (1963-1967). Me ndalimin e fesë nga shteti monist ajo u mbyll më 1967. U rihap në vitin 1991. U bë meremetimi i tyrbes së baba Abdullait dhe u hodhën themelet e tyrbes së Hysen Dedeit në vitin 1996. Por u bënë ndryshime rrënjësore me ndërtesa të mëdha me mur guri e rreshta të rregullt e ndërtuar tipike e stilit bektashian me të gjitha dhomat e nevojshme tradicionale, mure me harqe dhe zbukurime. Sot janë ndërtuar tre tyrbe të baballarëve, tip kupolë, me mur guri të skalitur. U rindërtua plotësisht me mur guri me një arkitekturë e bukur dhe ringjallur ndërtesën që e bëri Ali Pashë Tepelena nga Haxhi Baba Sadik Ibro, 2018-2020.
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ