Ditën e diel, 22 tetor 2023, në mjediset e Selisë së Shenjtë, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, zhvillohet aktiviteti në përkujtim të 85-vjetorit të lindjes së Pëllumb Katroshit, ‘Dervish Nderi’. Aktiviteti nis në orën 18:00.
Jeni të ftuar të merrni pjesë.
* * *
Pëllumb Katroshi lindi në Tiranë, më 22 tetor 1938. Shkollën 7-vjeçare e mbaroi në vitin 1952. Pasioni i tij, ishte kënga. Në vitin 1957 mbaroi shkollën e mesme “Jordan Misja”. Aktivizohet si solist pranë Ansamblit të Ushtrisë, në vitin 1966. Fiton konkursin për kanto dhe fillon studimet në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), me pedagog zëri Artistin e Merituar, basin Lluk Kaçaj. Pasi mbaron studimet e larta, në ILA në 1971, emërohet solist në sektorin e lirikës, pranë Teatrit të Operas dhe Baletit. Në jetën e tij të gjatë artistike, Pëllumb Katroshi, ka interpretuar me mjeshtëri, në dhjetëra skena, si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Ka lënë gjurmë në koncerte, në grup dhe në recitale. Ka qenë pjesëmarrës në disa festival të këngës në RTV. Ndër sukseset e interpretimit në rolet e operave tona dhe të huaja, mund të përmendim operat: “Skënderbeu”, “Mrika”, “Komisari”, “Travjata”, “Karmen”, “Kavaleria Rustikana” etj. Kryerolet e tij mbeten Kostë Bardhi, në operën “Zgjimi”, Tuç Marku në “Toka Jonë”, Bartolo në “Berberi i Seviljes”, Benua në “Bohema”, Alfio në “Kavaleria Rustikane” të Pietro Maskanjit etj. Ramiz Kovaçi, “Artisti i Popullit” shkruan për të: “Zëri i tij prej bas-baritoni, me një timbrikë të pastër tingëlluese, me regjistër të plotë, ka përballuar të gjitha rolet që i janë ngarkuar nga opera. Është karakterizuar nga vërtetësia e rolit, sinqeriteti në interpretim. Ka ditur të japë karaktere të ndryshme, qofshin këto në operat tona, apo edhe në ato të huaja.”
Në këtë jetë të gjatë skenike, Pëllumbi është nderuar me çmime, medalje, si dhe me urdhrin “Naim Frashëri” të kl. I. Në vitin 1990 del në pension, por qëndroi përsëri në TOB deri në vitin 1992. Familja e tij, me traditë në besimin bektashian, i dha Pëllumbit kulturën bektashiane. Si myhib dhe “Dervish Nderi”, ka dhënë ndihmesën e vet në njohjen dhe përhapjen e bektashizmit. Nga viti 2000 deri 25 maj 2008, punoi në Arkivin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Është aktivizuar në të gjitha veprimtaritë ceremoniale fetare dhe kulturore. Është mbledhës i këngës tradicionale bektashiane dhe përpunues i tyre si muzikolog. Me përkushtim për këngën bektashiane ka punuar me pasion në përgatitjen e grupeve artistike e folklorike të fëmijëve dhe të rriturve në çdo ceremoni e pelegrinazh fetar, lokal dhe kombëtar, duke i dhënë vlerat e njohura traditës së këngës bektashiane tek besimtarët e dashamirësit, në të gjitha aktivitetet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut etj. Kaloi nga jeta 25 maj 2008, në teqenë e Turanit Korçë. Më punën e tij filloi krijimi i fondit arkivor, fonotekës, si të thuash është themelues i saj.
Me këtë rast mesazhi i Kryegjyshit Botëror bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj në 85 vjetorin e lindjes, përkujtojmë, artistin, “Dervish Nder”, Pëllumb Katroshin, që me nefeset, këngët bektashiane mbledhur, sistemuar edhe në pentagram me librin e njohur “Gurgullima shpirti”, jepet mistika, në gjuhën e shpirtit, në to shpërthen zëri i shpirtit tonë, mendja, dija, urtësia e mirësia e të Madhit Zot.
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ