Festa e Ashures që u organizua dje në teqenë e njohur të Alipostivanit në Përmet, përmbante dhe një risi të veçantë, përurimin e një tyrbeje të re, në Bënjë. Në këtë fest të shënuar, që bëhet pas përfundimit të Matemit, në kujtim të ngjarjes dhe martirëve të Qerbelasë, mori pjesë dhe përshëndeti dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Në ceremoninë e organizuar në teqenë e Alipostivanit, merrnin pjesë besimtarë të shumtë, miq e të ardhur jo vetëm nga Përmeti e rrethinat, por edhe nga treva të tjerë të vendit si dhe emigrantë (besimtarë bektashianë) që kanë ardhur për pushime vjetore pranë familjeve të tyre.
Për këto dy evente, ritet tradicionale të Ashures dhe përurimin e tyrbes së re të Bënjës, baba Hekurani kishte marr të gjitha masat e duhura organizative.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj uroi dhe bekoi të pranishmit, për më shuumë dashuri për njëri-tjetrin, më shumë paqe, mirësi dhe besim tek Zoti. Kryegjyshi falënderoi gjithashtu dhe baba Hekuranin për punën e mirë që ka bërë dhe vazhdon të bëj, si klerik i përkushtuar dhe, në rikonstruksionin dhe ndërtimin e objekteve të reja bektashiane në këtë trevë.
“...Si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, ju përshëndes ju që keni ardhur sot këtu në ditën e Ashures, pas 10 ditëve të Matemit, në përkujtim të tragjedisë së Qerbelasë dhe martirëve të saj. Ta gëzoni dhe tyrben e re të Bënjës, që ne e përurojmë së bashku sot. Me këtë rast, unë falënderoj së pari vëllain tim, baba Hekuran Nikollarin, për punën e mirë që ka bërë këtu në Përmet. Është rasti këtu të kujtojmë së bashku dhe kontributin e dervish Hysenit dhe gjithë klerikëve bektashianë që kanë punuan në teqetë e Përmetit ndër dekada e shekuj. …U uroj paqe, dashuri e harmoni në familjet tuaja e komunitet dhe besim të pafund tek Krijuesi. Zoti u bekoftë të gjithëve!...”-pohoi mes të tjerave, Dede Edmond Brahimaj.
Në ceremoni, përshëndeti dhe baba Hekuran Nikollari.
Në vazhdim, nga Alipostivani, dita e djeshme vazhdoi me shkuarjen në Bënjë dhe përurimin e tyrbes së re.
Përgatiti:
Xhorxhi ÇULLHAJ