Dje, në teqenë e Gjakovë, u festua Dita e Ashures

Ditën e enjte, datë 18 gusht 2022, në Teqenë Bektashiane në Gjakovë, ku është dhe selia e Komunitetit Bektashian të Republikës së Kosovës, u festua Dita e Ashures, ditës së shënuar për besimtarët bektashian. Sikur e do rregulli, dhe bektashinjtë e Kosovës agjëruan zinë e Matemit dhe pas saj gatuan gjellën e përbotshme të Ashures në përkujtim dhe nderim të sakrificës së Imamit të tretë, nipit të profetit Muhamed, i cili u martirizua në fushën e Qerbelasë bashkë me anëtarë të familjes dhe me miq besnikë.
Ceremonitë fetare për nder të Ashures, në Gjyshatën Bektashiane të Kosovës i drejtoi Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, të cilit në krah i qëndruan dervishët nga Gjakova dhe nga Gjermania, dervish Rrauf Radoniqi dhe dervish Ilir Axhanela.
Besimtarët dhe dashamirët e shumtë morën pjesë në këto ceremoni, duke dëshmuar se amaneti i ruajtjes së besimit sipas mësimeve të Ehli Bejtit është i gjallë dhe kultivohet ndër besimtarët në Kosovë.
Kryegjyshi Botëror BektashiaN, Dede Edmond Brahimaj, i shoqëruar nga klerikët bektashianë, dhe u takua me qindra besimtarë bektashinj që erdhën nga anë të ndryshme të Kosovës, Gjakova, Prishtina, Prizreni, Kaçaniku, Peja, Rahoveci, Mitrovica e të tjera, duke pritur edhe shqiptarë nga Kosova që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kanë krijuar një komunitet të fuqishëm dhe prosperues.

Përgatiti:
Lorik BAKIJA
Gazetar i RTV-21, Prishtinë