Ditën e shtunë, 22 mars 2025, në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë, u festua Dita e Sulltan Nevruzit. Mjediset e Selisë së Shenjtë, ku u mbajtën ritet e këtij aktiviteti , ishin mbipopulluar si rrallë ndonjëherë nga besimtarë, klerikë bektashianë nga Shqipëria e vende të tjera, drejtues e përfaqësues të besimeve të tjerë fetarë, drejtues shtetërorë e lokalë, ministra, deputetë, politikanë, njerëz të artit, kulturës, teologë, studiues të njohur etj, në ditën e shënuar të Sulltan Nevruzit. Ritet e kësaj dite, u drejtuan nga Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj. Në këtë aktivitet, përveç klerikëve bektashianë e të besimeve të tjerë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Kosova, merrnin pjesë dhe: Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, z. Elisa Spiropali; deputetja Jorida Tabaku; Ministri i Brendshëm; Ministrja e Bujqësisë; Kryetarja e Njësisë Bashkiake Nr 1, Tiranë; Kryetari i Njësisë Bashkiake Nr 2 Tiranë; Përfaqësuesi i Ambasadë Amerikane nëTiranë; përfaqësuesi i Ambasadës së Bullgarisë; ai i Ambasadës së Hungarisë; Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut; Kryetari i Kishës Ortodokse të Shqipërisë, Kryepeshkopi Joan; Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu; Aqipeshkvi Metropolitan, Monsinjor Arjan Doda; Sekretari i VUSH, poetja franceze Laure Cambau, muzikologia italiane Liciana Manca. .. Në ritet e këtij eventi, ishin ingranuar dhe interpretimet e aktorëve Bujar Asqeriu e Dritan Boriçi.
PËRSHËNDETJE E KRYEGJYSHIT:
Në emër të Zotit , Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Të nderuar klerik bektashinj, dhe të komuniteteve fetare të tjera fetare në Shqipëri dhe jashtë saj! Të nderuar besimtarë e dashamirës të bektashizmit! Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore në vend! Të nderuar përfaqësues të trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë!
Jam i nderuar që me praninë tuaj ndajmë këto momente të gëzueshme të kësaj ceremonie fetare dhe feste kombëtare të Sulltan Novruzit, ditëlindjes së Imam Aliut. Duke cituar Profetin Muhamed ‘Aliu është ‘si shpirti im’ (ka-nafsi). Ai i tha ‘Aliut: ‘Ti je prej meje dhe unë jam prej teje’ “Vërtet, ‘Aliu është prej meje dhe unë jam prej tij dhe ai është vali (mbrojtësi/mjeshtri shpirtëror) i çdo besimtari pas meje.
Përkujtojmë në këtë ditë të shënuar Imam Aliun, në këtë ditë festive të ekuinoksit pranveror një figurë të shquar të bektashizmit Imam Aliun. Në këtë ditë reflektimi të thellë shpirtëror të historisë së Imam Aliut dhe dashuria e madhe që Profeti Muhamed kishte për të, duhet të kuptojmë se jeta e përkohshme materiale duhet jetuar duke bërë vepra të mira , duke treguar dashamirësi me njëri tjetrin e duke besuar në Zot. “Asgjë nuk ndodh në këtë tokë dhe në qiell përveçse me shtatë fazat e mëposhtme: Vullneti, nijeti, kaderi, dekreti, lejimi, libri dhe zbatimi. E kush mendon se mund ta zvogëlojë ndonjërën nga këto faza, ai me të vërtetë ka mohuar krijuesin.” – Imam Xhafer Sadiku, Usul el Kafi, vëll. 1, fq. 149. Ditëlindja e Ima Aliut është e rëndësishme në qiej dhe në tokë, pasi dielli dhe hëna kanë shumë ndikim në jetën tonë në tokë. “Dielli dhe Hëna ndjekin saktësisht kurse të llogaritura.” Kurani 55:5
Profeti ynë i dashur Muhamed (paqja qoftë mbi të) ka thënë për Imam Hazret Aliun:
“Ti do ta shohësh Zotin tënd ashtu siç e sheh hënën natën kur është e plotë”. ‘Aliu është me Kur’anin dhe Kur’ani është me ‘Aliun. Ata nuk do të ndahen nga njëri-tjetri derisa të kthehen tek unë”. “O Ali, ti je prijës (sejjid) në dynja dhe në ahiret. I dashuri yt është i dashuri im dhe i dashuri im është i dashuri i Perëndisë; armiku yt është armiku im dhe armiku im është armiku i Perëndisë. Mjerë ata që ju urrejnë pas meje (pasi të kem kaluar nga kjo jete).’
Profeti ynë i Shenjtë tha: O Ali! shumë shpejt unë do të largohem nga kjo botë, por Ti do t’i udhëzosh fëmijët e Ademit deri në Ditën e Gjykimit. Allahu i Gjithëmëshirshëm vë në duart e Tua të Bekuara fatin e kësaj bote dhe të botës tjetër!
Mesazhi që sot dua të ndaj me ju të nderuar është, ta doni më shumë njëri tjetrin dhe Zotin, sepse vetëm të mira vijnë prej tij. Të ecni përgjatë jetës suaj në rrugën e drejtë të së vërtetës, e të jeni falënderues e mirënjohës ndaj bekimeve të Zotit. Këto ceremoni fetare janë bekime që na bashkojnë, në mënyrë që ta ndjejmë njëri tjetrin më afër, në dhimbje, lumturi, sëmundje, shëndet, hidhërime e gëzime. Zoti na do të bashkuar, jo vetëm sot por gjithmonë, “Njeriu më i mençur është ai që di të falë, pavarësisht se e ka mundësinë e hakmarrjes” do të citonte Imam Hyseni. Ndaj kjo jetë ju është dhënë nga Zoti për të qenë të vërtetë , të denjë, të pastër me veten dhe Zotin. Uroj në këtë ditë të shenjtë që paqja dhe siguria e jetës të mbizotërojnë në të gjithë botën , i lutemi Zotit që të shpëtohet çdo jetë e të prehet në paqe çdo shpirt i humbur padrejtësisht në luftë. Imam Aliu na qoftë ndihmë në këtë ditë të shënuar ! Zoti i Lartë na bekoftë të gjithëve ! Amin!”.
Përgatiti:
Shelda AGARAJ-JANO
Fotot:
Nuri ÇUMANI