Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, udhëhoqi ceremoninë dhe priti ambasadorë, krerët e besimeve fetarë dhe zyrtarë të lartë.
Qindra besimtarë dhe dashamirës të bektashizmit, që në orët e para të ditës së djeshme, 19 gusht 2021, ishin në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, në ceremoninë tradicionale të Ashures, që u organizua pas ditës së dhjetë të agjërimit të Matemit, në kujtim të 72 martirëve, luftëtarëve të Qerbelasë.
Të gjitha aktivitetet dhe organizimi, në përputhje me masat përkatëse të ruajtjes nga covid-19, në këtë ditë të shënuar, u realizuan nën përkujdesjen e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Ceremonia e ditës se Ashures u shoqërua me pjesmarrje të personaliteteve të lartë të institucioneve shtetërore në vend dhe përfaqesuesve të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, Drejtoresha e Qendrës Kundër Ekstremizmit të dhunshëm znj. Lejdi Dervishi; Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri; Përfaqësues nga Ambasada e Francës znj. Claire Nantier; Zëvendes Ambasadori Gjerman z. Jannis Von Oy; Ambasadori i Egjiptit; Ambasadori i Republikës Çeke; Përfaqësues nga Ambasada e Hungarisë; Përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë; Nënkryetari i Bashkisë Tiranë; Përfaqësues të Komitetit Shtetëror të Kulteve; Përfaqësues të Komuniteteve fetare, nga Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, Hirësi Asti Bakallbashi; Kisha Katolike Mons. George Frendo; Komuniteti Mysliman, Z. Dorian Demetja dhe Zëvendës Presidenti i OKB për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve dhe pakicave në botë.
Kryegjyshi, Dede Edmond Brahimaj, pas fjalës së rastit, ku uroi besimtarët dhe shqiptarët për më shumë paqe, dashuri, vëllazëri për të ecur në rrugën e Zotit, zhvilloj një ritual të veçantë në kujtim dhe nderim të Imam Hysenit dhe 72 dëshmorëve të Qerbelasë.
“Të nderuar pjesmarrës, të ftuar, besimtarë myhybë e klerikë! Sot festojmë ditën e Ashures, pas dhjetë ditëve të zisë dhe argjërimit të matemit në nder të të rënëve të Qebelasë. Të martirëve që e sakrifikuan jetën e tyre për paqe, mirësi ,të vërtetën, dhe dashurinë vëllazërore mbarënjerëzore. Festa të tilla bashkojnë jo vetëm besimtarët, por mbarë njerëzit, ndaj është e rëndësishme që ato të kalohen në harmoni dhe me personat e dashur. Festa e Ashures, është një ceremonial i thjeshtë në dukje, por i pa zëvendësueshëm për traditën tonë bektashiane. Kemi agjëruar së bashku dhjetë ditë të matemit, kemi biseduar e përcjellë së bashku ngjarjet tragjike të Qerrbelasë. Kemi kujtuar dhe sjellë ndër mend aktin sublim të 72 dëshmorëve dhe kalorësin e pavdekshëm Imam Hysenin, paqja qoftë mbi ‘"Të" . Kemi parë dhe kemi folur se deri në çfarë mase mund të shkojë djallëzia dhe ligësia njerëzore e trupëzuar tek Jezidi dhe Mavija. Mallkimi i Zotit të Lartë i përcjelltë ata dhe ndjekësit e tyre! Dhe apeli jonë mbetet, më shumë mirësi, paqe dashuri e unitet mes njerëzve, pa dallim race, ngjyre, ideje apo feje”. Në këto kohë të vështira duhet të hapin zemrat tona e të jetojmë në paqe vëllazërore me njëri tjetrin dhe me Zotin.Pas dhjetë ditëve të sakrificës për të rënët e Qerbelasë, një filiz i ri çel, dhe lind një shpresë e re për të gjithë ne. Ta duam e rrespektojmë njëri tjetrin, familjen, shoqërinë dhe mbi çdo gjë vendin ku ne jetojmë. Përballë sfidave e mundimeve gjithnjë ka një dritë shprese që rilind e duhet të lulëzojë në zemrat e të gjithëve ne! Dëshmorët e Qerbelasë na qofshin ndihmë të gjithëve e Zoti i Lartë na bekoftë! Amin!"
Dita ka vijuar mes urimeve, vizitave të shumta të besimtarëve bektashinj, shpërndarjes së ashures, e cila, për 10 orë është zier në Kryegjyshatë me këndime të ajeteve kuranore.
Matemi
…Deri ditën e Ashures bëhet Matemi, i cili është agjërimi i zisë, ose zija përkujtimore. Agjërimi i bektashinjve dhe i të tjerë tarikateve alevian, që zgjat 10 ditë të muajit hënor të Muharremit ( Muaji Muharrem është fillimi i vitit të ri Hixhri sipas kalendarit mysliman). Gjatë këtyre ditëve, besimtarët bektashian, mysliman dhe alevian kudo që ndodhen në botë, për 10 ditë me radhë, përkujtojnë në shenjë zie e respekti, 72 dëshmorët që ranë heronj në Qerbela, me në krye Imam Hysenin (afërsisht 20 tetor të vitit 680 pas Krishtit, në Irak). Këto ditë bektashinj e të tjerë mblidhen në teqetë e ndryshme ku drejtuesit lexojnë me zë të lartë Hadikanë, bëjnë ritualin e përditshëm duke përkujtuar vuajtjet e profetëve e ngjarjen tragjike të Qerbelasë, për shërbimin e tyre të shenjtë në të mirë të njerëzisë, duke predikuar rrugën e drejtësisë, paqes, vëllazërisë dhe përsosmërisë njerëzore. Natën e parë u kushtohet vuajtjet e profetëve: Ademin, Nuhun, Ibrahimin, Jusufin, Musain dhe Krishtin; të dytën për Profetin Muhamet; të tretën për Imam Aliun; të katërtën për Imam Hasanin; të pestën për Imam Hysenin ( lindja dhe jeta e tij); të gjashtën për Imam Hysenin ( ikja e tij nga Medina në Mekë); të shtatën për Myslym Akilin (vrasja e tij dhe dy djemve të tij, Myftarin dhe Ibrahimin); të tetën për Imam Hysenin (nisja e tij për në Kufë); të nëntën për Imam Hysenin (mërritja në Qerbela) dhe, natën e dhjetë, për Imam Hysenin ( martirizimi i tij dhe dëshmorët e tjerë). Në këto ditë nuk pihet ujë, etj.
Ashurja
Ditën e dhjetë të Matemit, për t’i dhënë fund kësaj periudhe agjërimi, zhvillohet një ceremoni e fundit në teqe. Kjo ceremoni fillon në fund të natës së dhjetë. Besimtarët pinë ujin e jetës, sherbetin dhe mbas kësaj, vihet ashurja në zjarr dhe nga ky çast,vazhdon të nesërmen “Dita e Ashures”. Ashurja është ëmbëlsira e posaçme që merr emrin e kësaj dite – Dita e dhjetë do të thotë Ashure. Ashurja të dhjetën ditë të muajit Muharrem shënon përvjetorin e vdekjes së Imam Hysenit në Qerbela. Ashurja gatuhet me grurë, ujë, niseshte, fasule, bathë, misër, fiq të thatë, rrush të thatë, arra, sheqer (ose mjaltë, pekmez, musht), kanellë. Në ceremoninë fetare recitohet me zë të lartë (nerthije) bëhen lutje fetare në një heshtjeje zie. Pastaj bëhen vizita, dhe besimtarët, hanë ashuren.