FESTA E SULLTAN NEVRUZIT NË KORÇË, BASHKON KRERËT LOKAL TË POLITIKËS

Kryegjyshi Botëror bektashian, Dede Edmond Brahimaj, uron: “…Bekim paçi kurdoherë në veprat tuaja të mira. Zoti ju dhëntë shkëlqim dhe dritë në udhën tuaj. I lutemi Zotit të na lartësojë e të na mbushë me dashuri. Të na mundësojë përkushtimin moral e atdhetar duke përbuzur egoizmin, veset e huaja dhe falim dashuri njeriut për njeriun dhe lumturi familjare”.

Ditën e djeshme (25 mars 2021), shënoi zhvillimin e ceremonisë së Sulltan Nevruzit në teqenë e Turanit në Korçë. Edhe pse kohë e vështirë pandemie, kjo festë tradicionale e bektashinjve, mblodhi këtë ditë në teqenë e njohur të Turanit, qindra besimtarë nga treva e Korçës, ato fqinje, të ardhur nga Tirana, Elbasani, Kruja, nga Dibra, nga Maqedonia etj, për të kryer së bashku ritet, me shpresën e adhurimin tek i Madhi Zot, për më shumë paqe, mirësi e dashuri. Ritet tradicionale u drejtuan nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili priti ndërkohë dhe përfaqësuesit e lartë shtetërorë, ministra, deputetë,  personalitete e miq të respektuar që ishin në këtë event. Në ceremoni dhe në ritet përkatëse të kësaj dite, ishin të pranishëm dhe krerët e besimeve të tjera fetare të Korçës.
Ishin të pranishëm dhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, Kryetari i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filto; ish-deputetët Edmond Spaho e Indrit Brahimllari, Kryetarja e Këshillit të Qarkut të Korçës, Ana Verushi, krerët të forcave politike etj… Edhe pse në kohë fushate, festa e Sulltan Nevruzit i mblodhi politikanët e të dy krahëve (pozitë e opozitë), të citët në harmoni e së bashku, përkujtuan këtë ditë të shënuar, duke dhënë ndërkohë dhe mesazhe paqe, urtësie e harmonie.
Ishte Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj, që pasi uroi besimtarët e miqtë e ardhur, drejtoi ritet e festës së Sulltan Nevruzit. Në përshëndetjen e tij, ndër të tjera tha: “Më lejoni që t`ju uroj e bekoj! Paçi dritën e Zotit të Madh në udhëtimin e mrekullueshëm drejt besimit, paçi fat e lumturi të përjetshme në jetët tuaja! Sulltan Nevruzi, ka qenë dhe do të mbetet një date unikale, në kalendarin e miliona njerëzve të tarikateve, si edhe sufijve në mbarë botën islame. Personifikimi i një dite të re, plot diell e dashuri hyjnore, ka bashkudhëtuar me këtë datë, duke kaluar nga shekulli në shekull, idenë lume të një jete që rilind prej dashurisë së Krijuesit. Duke pasur në substance të jetëve tona shpirtërore, pikërisht këtë dashuri, ne u largohemi çdo ditë gjerave vdekatare, ne u afrohemi mirësive dhe begative, duke dashur e respektuar njeri-tjetrin, duke ngritur mbi themele të shëndoshë familjen, duke bashkuar fatet tanë njerëzorë me fatet e kombit. Kjo ditë e shënuar, ku jemi të gjithë së bashku,  shpresoj e uroj që të na gjej kështu të gjithëve, në punë e jetë, për të përballuar sfidat që po kalojmë në këtë kohë të vështirë nga pandemia e problemet e tjera të jetës… Bekim paçi kurdoherë në veprat tuaja të mira. Zoti ju dhëntë shkëlqim dhe dritë në udhën tuaj. I lutemi Zotit të na lartësojë e të na mbushë me dashuri. Të na mundësojë përkushtimin moral e atdhetar duke përbuzur egoizmin, veset e huaja dhe falim dashuri njeriut për njeriun dhe lumturi familjare”.
Në ceremoni, përshëndeti dhe Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. “…Le të jetë kjo ditë e shënuar që na ka mbledhur këtu, ditë mesazhi shprese e harmonie, ashtu siç është në traditën e Korçës sonë. Urimet e Dede Mondit, apeli për qetësi e harmoni, je të jetë për ne një këshillë e  përhershme, qoftë në këto dit të ngarkuara, ashtu dhe në ditët e tjera në përmbushje të detyrave tona. Gëzuar festën e Sulltan Nevruzit, festë e cila ka mbledhur, sot këtu, përveç besimtarëve bektashianë edhe të besimeve të tjerë. Lumturi paçim të gjithë…!”– pohoi ai. Përshëndeti në vazhdim dhe ish-deputeti Edmond Spaho, i cili, ndër të tjera tha: “…Korça, e ka pasur dhe e ka në traditë kulturën e bashkëjetesën, gjë e cila konfirmohet dhe sot në këtë ceremoni të bektashinjve, ku nuk ka dallime përkatësie partiake, por biseda e diskutime normale, jetësore dhe shpresë e besim tek i Madhi Zot. Është e nevojshme që dhe në jetën e përditshme, këto cilësi të qytetarisë korçare të mbizotërojnë…Faleminderit Dede Edmond Brahimaj për pritjen dhe mesazhet që dhatë. Gëzuar Sulltan Nevruzin!…”
SULLTAN NEVRUZI, SI LINDI, RIEÇ DHE TRADITA
Ç’është festa e Sulltan Nevruzit?
Në këtë ditë nis stina e pranverës, sepse sot çdo gjë nis të marrë jetë e gjallëri. Dita nis me urimet më të mira për mbarësi, mirëqenie, paqe dhe dashuri. Në këtë festë gjithë besimtarët veshin rrobat më të mira dhe vijnë së bashku për të bërë faljen në këtë ditë të madhërueshme në Selinë e Shenjtë dhe çdo teqe. 22 marsi është shumë e pranishme në botën bektashiane.
Sot rigjallërohet jeta, festa e madhe e gjithë bektashinjve në botë. Nevruzi do të thotë “Dita e re” nga persishtja dhe Sulltan është titull i lartë (Bektashinjtë mbiemërojnë disa shenjtë). E ka origjinën qysh herët. Në Shqipëri filloi të festohej që kur u përhap bektashizmi në shekujt XIV. Dita e Sulltan Novruzit përkon me ditën e lindjes së Imam Aliut. Për këtë festë poeti, ynë i madh bektashian Naim Frashëri ka thënë: “Sot është një ditë e re që përsëritet moti, lind Vera, lind ngrohtësia, lind Aliu, lind vet Zoti”. Kjo ditë përkujton edhe ditëlindjen e Imam Aliut, që lidhet me ringjalljen e jetës dhe me shpresën për ditë më të mira. Kjo ditë ka një domethënie të veçantë për gjithë besimtarët. Është dita e Imam Aliut, dhëndrit të profetit Muhamed, ai ka qënë krahu i djathë i Profetit. Prandaj kjo festë për bektashinjtë përfaqëson një ditë të shënuar dhe më të bekuara të vitit. Ai ka lindur më 22 mars, është një nga shënjtorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe është i pari i dymbëdhjetë imamëve. Imam Aliu është një nga imamët e mëdhenj, i pajisur me një dituri të jashtëzakonshme. Profeti Muhamed thotë: “ Unë jam qyteti i diturisë dhe Aliu është porta e tij” ose “Nuk ka trim si Aliu, nuk ka shpatë tjetër si Zylfikari Aliut. Kush do Alinë, më ka dashur mua, kush urren Alinë, më ka urryer mua”. Prandaj me të drejt u quajt prijës i besimtarëve arabë, dijetarëve arabë që bënë epokë të artë e që i dhanë njerëzimit mbarë dritë. Ai ishte njeriu i luftës për përparimin njerëzor. Ai përdorte bukur fjalën për pikëllimin e shpëtimin njerëzor. Ai la pas tre parime: Shkallën e të menduarit, unitetin njerëzor, drejtësinë…
Ritet e Sulltan Nevruzit
Në këtë ditë feste pihet një gotë qumësht, që simbolizon lindjen e një dite të re. 22 marsi konsiderohet nga besimtarët bektashian një ditë e shenjtë, në të cilën ka lindur Imam Aliu. Sivjet, në ditën e Sulltan Nevruzit, është edhe 26 vjetori i rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane ku mori pjesë Lumturia e saj e shenjtë Nënë Tereza. Në këtë ceremoni fetare të rëndësishme këndohet së bashku kënga karakteristike e kësaj feste: “Mirë se vjen, mirë se vjen/ Nevruz Sulltan!/ Meraba, meraba/ Nevruzi Sulltan/ Pa shikoni gjithësinë,/ Me sa bukuri,/Sot po pret Imam Alin’/ Me gaz dhe liri….” Kjo ditë sipas besimit bektashian shënon ditën e pranverës dhe ditëlindjen e Imam Aliut, e cila cilësohet në gjithë botën si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, edhe pemët, edhe lulet. Në këtë ditë lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re. I gjithë njerëzimi në këtë ditë shpreson për një të ardhme më të mirë. Në vendin tonë kjo festë është edhe festë zyrtare, festa më e rëndësishme e bektashizmit për çdo vit (e njohur si festë botërore dhe nga OKB). Me besimin tek Zoti me besimin tek vetja. Kjo është një nga festat më të mëdha të bektashinjve. Në këtë ditë pjesë e saj është shpërndarja e qumështi, i cili simbolizon qumështin e nënës, bërja e kurbanit apo pulës. Besimtarët vishen me rroba të reja dhe urojnë njeri – tjetrin. Në këtë ditë bëhen dy falje: Një bëhet nga Kryegjyshi në sy të gjithëve të pranishëm në Selinë e Shenjtë dhe tjetra sekrete e seicilit besimtar në vendet e shenjta, për të përkujtuar dhe nderuar imamët e shenjtë.
Në krahina të ndryshme ka edhe tradita të diferencuara. Në Krujë Sulltan Nevruzi festohej tri ditë rresht. Ditën e parë festohej në familje ku të gjithë anëtarët mblidheshin për të ngrënë drekën karakteristike të kësaj dite. Dita e dytë ishte e pleqve, sepse ata mblidheshin nëpër vende të shenjta për të nderuar imamët. Ata merrnin me vete ushqime të bollshme dhe festonin së bashku. Ndërsa dita e tretë ishte ajo e grave dhe e nuseve të reja. Ato mblidheshin së bashku për të festuar dhe për t’u argëtuar. Festa niste në mëngjes dhe vazhdonte derisa ndizeshin dritat e teqesë. Pas këtij momenti ato shpërndaheshin nëpër shtëpi. Në këtë ditë këndohet mevludi (këngë karakteristike me lutje dhe lavdërime për Imam Aliun) dhe besimtarët vijnë në Kryegjyshatën Botërore të bektashinjve në Tiranë dhe në çdo teqe bektashiane në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Turqi, Amerikë etj. Në këtë ditë bëhen vizita tek njeri-tjetri, shkohet nëpër teqetë bektashiane Sot shumë besimtarë tregojnë se edhe kur u ndalua feja me ligj në vitin 1967, i bënin ceremonitë fetare fshehurazi: Sulltan Nevruzin, Ashuren, Barjamin në shtëpitë e tyre.
Çfarë gatuajnë besimtarët?
Me këtë rast bektashinjtë gatuajnë ushqimet karakteristike, që janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh,(spinaq, lëpjetë, majdanoz, fletë lakre, kopër, gjethe prasi, labot, qepë, oriz, etj). Bimët e tokës simbolizojnë jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë, brenda në byrek futet edhe një monedhë metalike. Pasi është pjekur byreku ndahet nga amvisa e shtëpisë në pjesë dhe më pas i jepet seicilit prej anëtarëve të familjes nga një pjesë. Ai që gjen monedhën në pjesën e tij është me fat. Do të kalojë një vit të begatë e me mbarësi. Gatuhet përshesh me pulë ose mish qengji, qengji i pjekur… Sultiash është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite, sepse përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës, orizi që simbolizon drithërat, bollëkun dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe, gjithashtu në disa raste gatuhet edhe kabuni (me oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra). Në këtë ditë feste pihet një gotë qumësht, që simbolizon lindjen e një dite të re. Në këtë ditë pjesë e saj është shpërndarja e qumështit, i cili simbolizon qumështin e nënës, bërja e kurbanit apo pulë. Nuk ka rëndësi se çfarë kubani bëhet, sepse varet nga mundësitë që kanë njerëzit, e rëndësishme është që të bëhet kurban, byreku, ëmbëlsira ose në fshatë bëhen edhe kuleç me petë dhe fëmijët i rrokullisin në arat me grurë për të sjellë bollëk.
Sulltan Nevruzi bënë thirrje për t’u ngritur mbi smirën, vesin e ligësinë, përcjell mesazhin për vlerësimin dhe mbrojtjen e vlerës sonë kombëtare, dashurinë për njeri-tjetrin, urtësinë, vëllazërimin mbarëkombëtar, tolerancën fetare dhe ndërfetare.

Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI