Reportazh
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, pret, uron dhe bekon funksionarë shtetërorë, klerikë bektashianë e të besimeve të tjerë si dhe qindra pelegrinë të ardhur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia Veriore, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria, Turqia etj...
Kujtim BORIÇI Nuri ÇUNI
E rrethuan me tela me gjemba dhe me roje për dekada të tëra teqenë e njohur të “Durballi Sulltanit” në Volos të Greqisë, ushtruan presion e dhunë ndaj besimtarëve të cilëve u mohonin vizitat e pelegrinazhet në këtë vend të shenjtë, por nuk mundën që të ndërpresin lidhjet shpirtërore dhe udhën e shpresës së besimtarëve me rrugën e Haxhi Bektash Veliut, derisa u arrit që kjo strehë e mohuar, të ribëhet strehë e besimtarëve. Tashmë, edhe pse ligjërisht shteti fqinj ja ndalon aktivitetin kësaj teqeje të njohur bektashiane, karvanët e pafund të besimtarëve vazhdojnë të shkojnë atje, të gjejnë strehë, prehje, shpresë e besim për të ardhmen, paqen, mirësinë, dashurinë e adhurimin për Zotin e Plotfuqishëm. Dhe besimtarët janë të racave e besimeve të ndryshme, kanë etnitete të ndryshëm e flasin gjuhë të ndryshme, por aty mblidhen çdo ditë në strehën e paqtë bektashiane në vëllazërinë e këtij besimi të shenjtë. Veçanërisht, ky fluks, është tejet i madh në ditën tradicionale të pelegrinazhit të përvitshëm, çdo 1 maj. Kështu ndodhi edhe këtë vit... “Pelegrinazhi i këtij viti në ‘Durballi Sulltan’, qoftë nga pjesëmarrja e madhe, qoftë dhe nga mënyra e organizimit, është një nga frytet e punës tonë të pandërprerë si Kryegjyshatë, në përballje me struktura shtetërore e qarqe ekstremiste, në mënyrë që të evitohen sa më shumë pengesat për rikthimin e objekteve bektashiane kudo që janë në botë në funksion të besimtarëve. Pikërisht, është mbështetja e miliona besimtarëve kudo në botë, që ne marrim forcë për realizimin e këtij objektivi. Rasti i teqesë së Volosit në Greqi, është produkt i kësaj pune. Me këtë rast, unë dua të falënderoj kryesisht besimtarët emigrantë nga Shqipëria, që prej vitesh janë përballur me segmente shtetërorë që të fitonin shkuarjen e lirë tek ky vend i shenjtë, të meremetonin me mundësitë e tyre rrethimin, deri dhe hapjen e rregullimin e rrugës tejet të amortizuar”-pohon mes të tjerave Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Teqeja e “Durballi Sulltanit”
Teqeja e “Durballi Sulltanit” në Volos të Greqisë, është një nga objektet bektashiane me një histori të veçantë udhën 800 vjeçare të bektashizmit. Ja shkurtimisht pak nga historia e kësaj teqeje: Teqeja e Durballi Sulltanit në fshatin Asprogeias (Ireni). Larg qytezës së Farsalës 28 km, nga Larisa (prefekturë) 72 km, dhe nga Volosi, 38 km. Është ndërtuar në majën e një kodre të rrumbullakët, ku ka një bukuri të veçantë, nga më të bukurat e krahinës, një mrekulli, me ndërtesat dhe natyrën e pashoq. Rrethohet nga vargmalet Halkodonius me fshatin Rigeo (Ajvali) dhe. Nga tjetër ku janë skajet e malit Kasidhiaris të Fasalës, gjendet stacioni Rigeos, e 2 km më tej ndodhet fshati Asprogeia (Ireni), ose sot i thonë, teqeja në Rini.. Ndërtesa kryesore me hyrje lindore, ndërtuar në buzë të grykës, është një kompleks arkitektonik i larmishëm me godina të veçanta dhe në hyrje të kompleksit, gjendet i ndërtuar një krua i vjetër dhe para saj me rrape të vjetër shekullor. Hapësira qendrore e teqesë ndan me muret e varrezës, faltorja, vende për banim, për mikpritje, falje, furra dhe kuzhina. Teqeja në kohën e lulëzimit ka pasur pronësi në dy fshtatra të tërë, çifligun e Arduanit (Elefterohori i Volosit) dhe Ireninë (Asprogeia e Farsalës), një sipërfaqe totale prej 32.000 dynymësh. Mbante 300-400 kokë bagëtish të imta. Kjo teqe është mbyllur për herë të fundit më 30.11.1972, ku dha frymën e fundit baba Seit Koka nga Vëndresha e Skraparit. Baba Seitin, besimtarët e zonës e kanë njohur si njeri popullor, që u fliste të gjithëve me mirësi; ishte një bamirës i vërtetë i krahinës. Studiuesi nga rajoni i Volos, Georgios Thomas, shkruan për baba Seitin: ‘...I fundmi shqiptar zemërmirë i teqesë ta prijë në një vizitë në dhjetëvjeçarin 1960, ta përcjell dhe ta shëtisë këndej e andej me harkan e gjelbrët dhe me taxhin, me zymbylin e Indisë në duar, thua se ishte nderje e ca figurave biblike të endet në ndërtesat e vjetra’. Baba Seiti i shprehet Georgos: “Që thua, njeriu im i mirë, njerëzia dhe vegjëlia rrinin në këtë gërmadhë, veçan dervishëve, dyqind persona të tillë aso kohe. Të lëmë një të krishterë udhëtar përjashta? Kurrë, kurrë. Çdo të thotë shqiptar apo grek, i krishterë apo mysliman? Amin, a nuk jemi të gjithë njerëz të Perëndisë? Një Zot ekziston, Atij i faleni ju, Atij edhe ne. A nuk e tha Krishti ‘Duajeni njeri-tjetrin’. Baba Qazimin e nderonte gjithë zona (vitet 1920-1942), sepse banorët kishin ndjerë dorën e tij ndihmëtare për familjet e tyre. Por fundi tragjik, qe, kur në pranverën e vitit 1942, kur kaloi batalioni italian; e kapën dhe ekzekutuan se kishin informata që merrte pjesë në rezistencën e popullit. Të flasësh për baba Seit Kokën, do njohur pak historia e teqesë së famshme Durballi Sulltanit, e themeluar në vitin 1480 në Farsalla të Greqisë. Durballi Sulltani, ky misionar ishte dërguar nga Sejid Ali Sulltani, i teqesë së Dimotekës në Bullgari. Durballi Sulltani themeloi teqenë dhe e bëri të njohur jo vetëm në Ballkan, por edhe në botë. Ai e drejtoi teqenë për 42 vjet, deri në vitin 1552. Ai njihet si baba i famshëm për një veprimtari të madhe dhe ka qenë shenjtor i madh. Besimtarët e zonës dhe gjithë popullata në këtë trevë edhe sot flasin për këtë shenjtor të mrekullueshëm. Teqeja përbëhet nga dy njësi hapësinore: varrezat dhe tempulli kryesor. Në hapësirën e varrezave gjenden varret e dervishëve dhe në anën perëndimore dy tyrbe ku janë varrosur prindërit (baballarët). Hapësira kryesore e teqesë përbëhet nga ndërtime të ndryshme: hapësira banimi, mikpritjeje, adhurimi, si dhe furra, kuzhina sipas konceptit arkitekturor të Qendrës Botërore të Bektashizmit në Nevshehir të Turqisë, sot Haxhi Bektash. Interes të posaçëm nga pikëpamja arkitekturore, paraqet ngrehina e rrënuar nga ana lindore dhe ndërtime të tjera që i japin këtij kompleksi të rrallë, një bukuri të veçantë. Durballi Sulltani ishte edhe një mistik i madh për këtë tregon një vjershë e bërë për të nga baba Abedin Leskoviku: Aman! Ja Durballi-Un’ jam kull te ty,/ Qerem ja Mahzuni- ja nurler nuri/ Sulltan Sejd Ali-Sërri Bektashi,/ Je soj Pejkamberi-Je Rum Serveri/ Qeramete shumë-i derdhe si kumnë...!
Dita e pelegrinazhit
Dita e pelegrinazhit të këtij viti, ka qenë ndër pelegrinazhet me pjesëmarrje më masive të zhvilluara këto vitet e fundit në teqenë “Durballi Sulltan” në Volos të Greqisë, por dhe më e organizuar dhe e paqta. Prej ditësh, nën përkujdesjen e Kryegjyshit, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ishin marrë masa për një organizim sa më të mirë, ashtu dhe për një pjesëmarrje sa më të madhe të besimtarëve nga Shqipëria. Një pjesë e besimtarëve nga Shqipëria ishin nisur që dy dit më parë dhe i kaluan netët në mjediset e teqesë së “Durballi Sulltanit”, e cila ishte kthyer në një qytezë të madhe e të ndriçuar, me një mori çadrash e objekte të tjera akomodimi, ku dëgjoheshin nefese e këngë bektashiane në shqip, greqisht, anglisht, turqisht, arabisht dhe në gjuhë të tjera. Ndërsa një pjesë tjetër e organizuar me furgonë e automjete udhëtoi nga Tirana e rrethe të tjera të Shqipërisë drejt Volosit, që më 30 prill, për të qenë atje që në orët e para të pelegrinazhit të nesërm të 1 majit. Merushja, ndonëse me moshë të thyer, njëkohësisht shërben dhe si cicerone, pasi ka qenë dhe herë të tjera në këtë vend të shenjtë. Ndër besimtarët nga Shqipëria, ka dhe shumë të rinj që kanë ardhur këtë ditë në teqenë e njohur të “Durballi Sulltanit”. Kurse Arben Sulejmani, paraprinë karvanin e automjeteve të shumtë që kanë udhëtuar nga Tetova, Shkupi, Kërçova e Gostivari, për në Volos të Greqisë...
Mëngjesi i ditës festive bektashiane, i ngjanë një feste të vërtetë bektashiane. Vallet tashmë, kërcehen së bashku nga besimtarë të etniteteve të ndryshme, ndërsa zëri i këngëtarit të njohur Ylli Baka, udhëtuar për në Volos enkas për këtë event, ja shton bukurinë pelegrinazhit. “Kam kënduar shumë në jetën time, edhe në aktivitete të bektashinjve, por ky aktivitet i sotëm, ka diçka të veçantë, ka larmi etnitetesh të besimtarësh, biseda në shumë gjuhë, por që i bashkon vëllazëria bektashiane. Ku ka gjë më të bukur. Faleminderit Dede Edmond Brahimajt që na jep kënaqësi të tilla, zhvillon aktivitete të tilla që forcojnë vëllazërinë e dashurinë tek Zoti”- shton një moment këngëtari Baka.
Në këtë aktivitet ka ardhur dhe Konsullja e Shqipërisë në Selanik, Pavlina Evro. Kanë ardhur gjithashtu, përveç klerikëve nga Shqipëria, edhe klerikë bektashianë nga Kosova, Republika Veriore e Maqedonisë, nga Turqia etj... Në një moment, grupet festive grumbullohen në sheshin e teqesë, ku nis dhe ceremonia zyrtare.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror
Pasi e ka pasur thuajse të pamundur të shkëputet nga grupet e besimtarëve të shumtë që kërkojnë ti puthin duart, të marrin bekimin apo të bëjnë një foto së bashku, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, bashkë me klerikët e tjerë dhe funksionarët shtetëror ngjitet në tribunën dhe bën përshëndetjen e rastit. Ndër të tjera theksoi: “...Është sigurisht vullneti i të Madhit Zot por edhe devotshmëria dhe mirësia juaj që na ka mbledhur sot të gjithëve, në këtë vend të bekuar në teqenë e famshme bektashiane që mban emrin e themelonjësit të saj, Durballi Sulltanit. Është filozofia e Haxhi Bektash Veliut, esenca e së cilës flet vetëm paqe dhe vëllazëri fetare, e cila na ka mbledhur së bashku në këtë ditë pelegrinazhi. E themeluar më shumë se pesë shekuj më parë, ky kult i tarikatit bektashian, teqeja e mrekullueshme do të shpërndante dritën e besimit në Zot për breza të tërë besimtarësh. Popujt në përgjithësi, por sidomos popujt e viseve të Ballkanit, në vetëdijen e tyre fetare e patën kuptuar rëndësinë e konvergimit të feve dhe besimeve në një Zot të vetëm, ndaj dhe iu falën Atij, sipas kodeve zakonore dhe mënyrave të tyre, gjithmonë me shpresën për një jetë më të qetë larg mërive racore dhe etnie, larg gjuhës së dhunës dhe urrejtjes. Pikërisht këtë mision të shkëlqyer të objektit të kultit, e ka realizuar më së miri teqeja këtu në Irini të Frasallës, në këtë vend kaq të begatë dhe mikpritës. Dervishët dhe baballarët që kanë shërbyer në këtë prehtore të shpirtit dhe të trupit, duke përcjellë në shekuj urtësinë karakteristike bektashiane, kanë bërë të mundur ta shndërronin këtë vend në një manastir të vërtetë, ku njerëz të ndryshëm, besimtarë ose jo të tillë, syni dhe bektashinj, të krishterë apo hebrej, vinin plot dhimbje dhe shkonin plot shpresë. Dyert e teqesë për pesëqind vjet nuk u mbyllën asnjëherë, për askënd dhe kjo e shndërroi objektin në fjalë, në simbolin e shtëpisë së Zotit. Fakte të tilla, të mikpritjes dhe bujarisë së dervishëve dhe baballarëve të teqesë, janë të shumta dhe janë vënë në pah si nga historiografia otomane ashtu edhe ajo greke. Janë me dhjetëra autorët që rrëfejnë jo vetëm mikpritjen por edhe ndjenjat e kulluara të vëllazërisë që kjo teqe shpërndante. Në këtë kuptim, një vizatim me të vërtetë brilant është dhënë nga autori Andrea Karkavitas në gazetën “Estia” Athinë 1892. Ne jemi me fat sot, kur kujtojmë se në këtë teqe kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar edhe disa dervish dhe baballarë nga Shqipëria, deri më i fundmi, baba Seiti nga Vëndresha e Skraparit,i cili mbylli sytë në vitin 1972. Përreth teqesë ka ende sot plot qytetarë të mirë grekë që sjellin ndërmend këtë klerikë të urtë që shpërndau mirësi gjithë jetën e vet. Veçanërisht sot, ne kemi nevojë më shumë se kurrë për dashurinë ndaj Zotit. Kemi nevojë të jemi të vëllazëruar dhe të jetojmë në paqe me çdo fe dhe besim. Zoti ju bekoftë të gjithëve ju që erdhët sot këtu!”
Ditë e paqtë vëllazërie
Pas Kryegjyshit Botëror Bektashian, për të përshëndetur besimtarët, fjala i jepet zj. Pavlina Evro, Konsulle e Republikës së Shqipërisë në Selanik. Ndër të tjera, ajo tha: “Jam e lumtur në radhë të parë që më jepet mundësia të përshëndes sot ju të gjithëve, pjesëmarrës në këtë pelegrinazh sa të veçantë, masiv e shumë dobiprurës për mënyrën si organizohet dhe mesazhet e paqes dhe bashkëjetesës që ai përcjellë tek besimtarët, pavarësisht kombësisë apo vendit ku punojnë apo jetojnë. E prita me kënaqësi ftesën dhe me këtë rast dua të falënderoj në veçanti Kryegjyshin Botëror Bektashian, Hirësinë e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj që me aktivitete të tilla, krahas forcimit të lidhjeve shpirtërore të besimtarëve me Zotin, krijojnë një klimë miqësie, dashurie, solidariteti dhe paqe, aq të domosdoshme në kohët e vështira që po kalojmë sot. Është shumë domethënëse pjesëmarrja sot këtu e klerikëve bektashinj nga Shqipëria, Maqedonia Veriore, Kosova, Turqia etj, por dhe e klerikëve të besimeve të tjerë, pjesëmarrja e besimtarëve që flasin gjuhë të ndryshme e vijnë nga shtete të ndryshme, por që reflektojnë dashurinë ndaj njëri-tjetrit dhe reflektojnë e pasqyrojnë ritet e traditat më të mira bektashiane. Historia e teqesë së ‘Durballi Sulltanit’, është një pjesë e historisë së artë por dhe të dhimbshme e të vështirë që ka kaluar ky besim ndër shekuj, ku nuk kanë munguar apo mungojnë ende dhe qasje të dhunshme të segmenteve shtetërorë, ekstremiste e dashakeqe. Por aktivitete të tilla, ku predikohet paqja e dashuria për atdheun, siç e ka dhe misionin besimi bektashian ‘Pa atdhe nuk ka fe’, ndikojnë në të mirë të gjithë shoqërisë. Dhe një herë ju falënderoj nga zemra!”.
...Ndërkohë, pas ceremonisë, nisi dreka tradicionale, ku grupe-grupe, besimtarët shijojnë ushqimet e përgatitura, por dhe vazhdojnë bisedat e pafundme, nefeset dhe këngët e bukura bektashiane...
Shqetësimi i klerikut bektashian nga Turqia
Teksa bashkëbisedon me klerikë të tjerë dhe besimtarë të shumtë, kleriku bektashian Mahmut Erkin Ajdin, nxiton të komunikoj më gjatë me Kryegjyshin Botëror Bektashian, Hirësinë e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Ndjehet i ngazëllyer me pjesëmarrjen në këtë pelegrinazh, mënyrën e organizimit dhe mesazhet e paqes që ai përcjell, por nuk e fsheh dhe brengën që e mundon; pamundësinë që aktivitete të tilla të zhvillohen edhe në Turqi, për shkak të politikës atje. Tregon se jeton në Stamboll, por gjen kohë që shërbesën fetare bektashiane ta bëjë shtëpi më shtëpi tek besimtarët ilegalisht...Ai thotë dhe shpreson që Zoti ta sjellë sa më shpejt këtë ditë, teksa bashkëbisedon me Kryegjyshin Botëror. “... Megjithëse politika shtetërore e ka ndaluar ushtrimin legalisht të fesë bektashiane në Turqi dhe rihapjen e objekteve të këtij besimi, ritet dhe tradita bektashiane ushtrohet nëpër shtëpi apo vende të tjera nga besimtarët, larg syve dhe veshëve shtetërorë, larg rrezes së ‘antenave’ që shteti ka ngritur për të penguar lirinë fetare të miliona bektashianëve që jetojnë në këto troje. Besojmë tek Zoti se kjo ditë do të vij shpejt, por dhe ne duhet ta ngremë më fort zërin tonë... Ne, sytë i kemi sot tek Selia e Shenjtë, tek Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj...”- pohon ai mes të tjerave.
Për ringritjen e teqesë “Durballi Sulltan”
Rrënimi i teqesë “Durballi Sulltan”, për shkak të mbylljes për shumë dekada, nuk mund të evitohej... Atë e shikon në shumë prej objekteve të saj të dikurshëm. Por ka filluar që të ringrihej... Është bërë rrethimi i plotë i saj, riparimi i tyrbes e disa mjediseve të veçanta, deri dhe tek mbajtja e mezareve e shtrimi i një segmenti rrugor që të sjellë këtu. Dhe të gjitha këto, nga emigrantët shqiptar që kanë ardhur në këtë zonë pas vitit 1990. Dhe të gjitha këto, me stërmundim, vuajtje e deri terror policor që arrinte deri atje, sa deri para dy-tri viteve, nuk i linte besimtarët. Gjetëm mundësinë dhe biseduam gjatë me disa emigrantë besimtarë që kanë kontribuar gjithçka që është bërë deri tani për këtë teqe:
Vladimir Muratlliu: “Jam 44 vjeç dhe jam nga Senica e Përmetit. Kam ardhur në emigrim këtu në Greqi vite më parë. Banoj familjarisht në Lamia. Kisha dëgjuar për teqenë famë mirë të “Durballi Sulltanit” dhe shpirti i besimtarit bektashian, më bëri që të vihem në kërkim të saj, bashkë me disa besimtarë të tjerë. E gjetëm e nuk e kishim larg. U mrekulluam që e gjetëm, por u brengosëm nga rrënimi i sajë. Që nga viti 2008, vija këtu, ndizja një qiri, merrja shpresë e besim tek i Madhi Zot, ikja për t’u rikthyer përsëri. Por nuk ka qenë e lehtë kjo. Policia nuk na linte ti afroheshim objektit, na kërcënonte e shumë herë na shoqëronte e ndalonte. Por ne përsëri, këmbët na çonin tek teqeja jonë. E kjo u bë masive, saqë edhe policia e kishte të pamundur të na ndalonte. E ne, nisëm të vendosnim një gurë, të bënim një rrethim, të sistemonim tyrben etj... E besimtarët shtoheshin. Gjithçka nga mundi e djersa jonë. Por ndjehemi të kënaqur, të lehtësuar për sa kemi bërë. E dimë se ka dhe shumë punë, e ne do i bëjmë. Takova sot Kryegjyshin Botëror, Dede Edmondin, më përgëzoi, më uroj e më bekoi, më dha krahë... Kështu dhe shokëve të tjerë që kemi punuar e punojmë këtu. E shikoni sot këtë pjesëmarrje besimtarësh!?. Përherë e më shumë do të ketë në këtë vend të shenjtë...”.
Agron dhe Namik Kadillari (vëllezër): “..Jemi nga Liqedhi i Skraparit dhe vijmë nga një familje me traditë të hershme bektashiane. Prindërit tanë kanë qenë myhipë. Kemi ardhur këtu që në vitin 2006 dhe jemi sistemuar mirë familjarisht. Jetojmë mirë me punën dhe djersën tonë. Sapo kemi ardhur e në vazhdim, kemi bërë e do të bëjmë sa mundemi për të rregulluar mjediset e kësaj teqeje bektashiane me famë. Që në javët e para kemi ardhur këtu familjarisht, e vijmë sa herë mundemi. Me paratë tona ndihmuam në rrethimin e mjediseve e territorit, si dhe rregulluam një segment rruge prej më shumë se një kilometër... Sot jemi shumë të lumtur. Ku janë parë këtu për shumë dekada kaq njerëz!? Janë shqiptarë, grekë, turq, arabë etj... Vjen Kryegjyshi Botëror, na takon, përgëzon e bekon! Ku ka ditë më të lumtur për ne bektashinjtë në emigrim!?”
Epilogu i pelegrinazhit
Mbrëmja po afron dhe besimtarët, me karvanë automjetesh e disa dhe në këmbë, nisen të largohen, të mbushur me shpresë dhe besimin në Zot... Aktori dhe poeti Sadush Ylli, teksa pohon befasinë për pjesëmarrjen e sivjetshme në këtë pelegrinazh, këmbëngul të evidentoj dhe rolin e Selisë së Shenjtë e posaçërisht të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj për punën e bërë në ringritjen e besimit dhe objekteve bektashiane jo vetëm në Shqipëri, por anë e kënd botës ku punojnë e jetojnë miliona bektashinj. Por në këtë ndarje me urimin e ndërsjelltë “Zoti na ndihmoftë”, ka dhe një ‘pengesë’, që jo vetëm të emocionon, por bën dhe krenarë këdo të pranishëm: Radhë të pafund grupesh e personash që duan të bëjnë një foto, të kenë një kujtim me Kryegjyshin Botëror.... Kështu që zbrazjen e mjediseve të “Durballi Sulltanit”, në këtë ditë të shënuar pelegrinazhi, e bën vetëm fshehja e diellit pas majëmalit...