Festë bektashiane në Volos-Greqi, në 532-vjetorin e themelimit të teqesë, “Durballi Sulltan”, në Greqi

Pas një ndërprerje dyvjeçare, për shkak të pandemisë Covid-19, të dielën që shkoi (1 maj 2022), në Volos të Greqisë, u organizua pelegrinazhi tradicional vjetor, në teqenë e njohur të ‘Durballi-Sulltanit”, aktivitet që përkon sivjet dhe me 532-vjetorin të themelimit të teqesë. Ceremonia fetare e festive, që nga masat përgatitore e deri në realizimin e saj, u bë nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në bashkëpunim me komunitetin e besimtarëve bektashian, kryesisht shqiptarë në emigrim në Greqi. Në këtë ceremoni, përveç besimtarëve me banim në Greqi, morën pjesë dhe klerikë bektashian e besimtarë të tjerë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia Veriore, hapësira të tjera mbarëshqiptare e komunitete që jetojnë në Europë e më gjerë. Nga Ambasada e Shqipërisë në Athinë, mori pjesë dhe përshëndeti, Atashe Dilomatik z. Roland Berzani. E veçanta e pelegrinazhit të këtij viti, ishte se shumë besimtarë, kryesisht nga Shqipëria, kishin udhëtuar një ditë më parë e ishin vendosur në mjediset e bukura të teqesë, për ta pritur ditën e pelegrinazhit, si ‘banorë vendas’.
Ceremonia, që nisi në orën 11:00, u hap nga Saimir Osmënaj, përfaqësues i komunitetit të besimtarëve bektashian shqiptarë, në emigracion në Greqi. Ai falënderoi Kryegjyshin Botëror për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë si dhe gjithë pjesëmarrësit në aktivitet. Në vazhdim, ia dha fjalën Dede Edmond Brahimajt, për përshëndetjen e rastit dhe ritet e ditës së pelegrinazhit bektashian.
Në përshëndetjen me këtë rast, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj ndër të tjera tha: “…Të nderuar vëllezër të mij klerikë, miq besimtarë e dashamirës, që sot jeni mbledhur bashkë me ne për të përkujtuar 532 vjetorin e themelimit të Teqesë "Durballi Sulltan", këtë ditë të shënuar për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane por edhe për të gjithë bektashinjtë në Greqi e veçanërisht në zonën , Volos Greqi. Historia e lashtësisë dhe rrënjëve të forta bektashiane të kësaj teqeje daton plot 532 vjet më parë, e themeluar në vitin 1480 në Farsalla të Greqisë, tregon për hershmërinë e ngritjes së teqeve në Ballkan dhe rrezatimin e ndikimin e saj edhe në Shqipëri. Teqeja e mori emrin nga misionari i saj, që punoi me përkushtim jo vetëm për themelimin e teqesë, por dhe përkushtimin e kontributin e madh që dha në vitet 1480-1552 gjatë drejtimit të saj ,deri kur kaloi nga jeta. Durballi Sulltani, ky misionar, ishte dërguar nga Sejid Ali Sulltani, i teqesë së Dimotekës në Bullgari, i cili hodhi farën e bektashizmit në Ballkan dhe themeloi teqenë e parë bektashiane në Farsalla (Thesali) të Greqisë. Ai ka qenë një nga shenjtorët e mëdhenj dhe njihet si i tillë dhe sot, nga e gjithë popullata greke e vendosur në viset rreth e rrotull teqesë. Edhe sot kjo popullatë përulet me rrespekt për Durballi Sulltanin. Baballarët e kësaj teqeje historike kanë qenë pothuajse shqipëtarë, të cilët kanë predikuar kurdoherë kombësinë shqiptare, si të gjithë baballarët e teqeve të Shqipërisë që kanë qenë qendrat e shqiptarisë në kohën e sundimit turk. Sot teqeja është pothuajse në rrënim dhe prap tregon famën e saj arkitekturore dhe historinë e famshme të dervishëve dhe baballarëve. E rrethuan me tela me gjemba dhe me roje për dekada të tëra teqenë e njohur të ‘Durballi Sulltanit’, në Volos të Greqisë, ushtruan presion e dhunë ndaj besimtarëve, të cilëve u mohonin vizitat e pelegrinazhet në këtë vend të shenjtë, por nuk mundën që të ndërpresin lidhjet shpirtërore dhe udhën e shpresës së besimtarëve me rrugën e Haxhi Bektash Veliut, derisa u arrit që kjo strehë e mohuar, të ribëhet strehë e besimtarëve. Pikërisht, është mbështetja e miliona besimtarëve bektashinj kudo në botë, që ne marrim forcë për realizimin e këtij objektivi. Rasti i teqesë së Volosit në Greqi, është produkt i kësaj pune. Me këtë rast, unë dua të falënderoj kryesisht besimtarët emigrantë, Ambasadorët e Shqipërisë, konsujt e të gjithë trupin diplomatik Shqiptarë që na është gjendur afër e na ka mbështetur në këto nisma, dhe ngremë zërin e bëjmë thirrje që Teqeja Durballi Sulltan, t'i rikthehet Qendrës Botërore të bektashinjve që ndodhet në Tiranë, e të gjithë besimtarëve bektashinj jo vetëm në Greqi por në mbarë botën, të falen në këto objekte të shenjta lirisht, e që Qendra Botërore gjithashtu ta nxjerrë nga rrënimi dhe amortizimi i kohës këtë thesar të çmuar të historisë së besimit bektashian, e atëherë shpirti i këtyre baballarëve e dervishëve që kanë shërbyer në këtë vend të Shenjë të prehet në Paqen e amëshuar. Politikat burokratike e rregulloret e ngurta duhet që objektet e kultit të besimit ti trajtojnë me lehtësira e dashamirësi, vetëm kështu kjo teqe madhështore do të ringrihet e do ti japë një vlerë akoma dhe më të madhe jo vetëm shtetit Grek në të cilën ajo ndodhet por do të na bëjë krenar edhe ne Shqiptarëve.
Në librin e titulluar Teqetë në Greqi e autorit Niko Stylos thuhet: ‘…Themelues i saj, bektashiu dervishi, Durbali, i cili e kishte prejardhjen nga Ikonio e Azisë së Vogel dhe duket se ka arritur në Asproja rreth vitit 1492-1491. Autoritetet zyrtare turke të Thesalisë i japin dervishit Durbali lejen për të themeluar teqe në Ireni në shenjë njohje të shërbimeve të mëdha ushtarake, që ai u ofroi në fushën luftarake, të cilat sollën pushtimin e gjithë Thesalisë, nënshtrimin e popullsisë së krishtere dhe forcimin e islamizimit të saj. Në shekujt e ardhshëm, teqeja në Ireni u forcua me çifligjet e fshatrave Ireni (Asproja e Farsallës) dhe Arduan, domethënë një sipërfaqe tridhjetë e dy mijë(32.000) dynymë, fakt që e bëri të fortë ekonomikisht’. ‘..Brenda dhjetëvjeçarit të viteve 1930, në një kalim zyrtar të mbretit ose të kryeministrit në atë zonë, u gjend që banohej prej 6 dervishëve shqiptarë, nën drejtimin e babait të tyre Qazim Baba. Teqeja kishte në dispozicion 20 vetë për punë të ndryshme të brendshme dhe punime të jashtme bujqësore. Shënohet, se në Ireni teqe, qysh prej vitit 1925 ishin strehuar shumë shqiptarë. ‘Ndërkaq në fillimet e dhjetëvjeçarit ’50, shteti grek, për arsye të ‘gjendjes së luftës’ me Shqipërinë, e bllokoi pasurinë e teqesë në Farsalla në sekuestrim ruajtës. Me gjithë kundërshtimet e Sait Babait dhe me gjithë të drejtën e tij, në vitin 1960, 13.000 dynymë, fileta e pasurisë, u tjetërsuan dhe u ndanë tek njerëzit pa pronë. Me vdekjen e Sait Babait, në 1973, teqeja u zhyt në harresë edhe pse në vitin 1980 u shpall monument dhe sipas K. Çiçeliqit, të ardhurat nga pasuria e mbetur e vakëfit, duheshin dhënë për restaurimin e saj. Siç dëshmojnë udhëtarët dhe studiuesit e sotëm, as kjo nuk ndodhi edhe meqë restaurimi i saj u karakterizua jo zyrtar si ‘Çështje e ndjeshme’. Tema arriti deri në Kuvend prej Foti Kuvelit, për t’iu përgjigjur ministri i atëhershëm, P. Tatulis, se ‘i takon qeverisë shqiptare, por ndodhet në sistem tjetërsimi’ prej shtetit grek. Me gjithë vlerën e saj të madhe arkeologjike, ‘përbërja e sistemit ligjor, pengon çfarëdo lloj punimi restaurues’.
Thënë kjo histori e lashtë, por aq aktuale e kësaj Teqeje vatër bektashizmi e Shenjtërie, urojmë e bekojmë të gjithë Shqiptarët që jetojnë në këto krahina e që vijnë, marrin uratat e baballarëve që kanë shërbyer në këto teqe, lusim zotin e Madh që një ditë sa më të afërt t'ju mirëpresin baballarë e dervishë bektashinj shqiptarë, në vatrën dhe oxhakun e ngrohtë të besimit tonë të shenjtë, e që Qendra Botërore të lejohet ta restaurojë e administrojë këtë vatër me mistikë të shenjtë bektashiane. Harmonia fetare është e Shenjtë e duhet të përcillet në breza, vetëm kështu ushqehet dashuria në zemra e përkushtimi ndaj njëri-tjetrit. Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!
Në vazhdim, të pranishmit i përshëndeti, përfaqësuesi i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë-Greqi, Atasheu Dilomatik, z. Roland Berzani, i cili, ndër të tjera pohoi: “…Jam i lumtur që ndodhem këtu mes jush sot, në këtë ditë tradicionale të pelegrinazhit, që sivjet përkon me 532 vjetorin e themelimit të teqesë ‘Durballi Sulltan’, këtu në Volos-Greqi, të sjellë përshëndetjet e Ambasadores znj, Luela Hajdaraga. Në radhë të parë, dua të falënderoj Kryegjyshin Botëror Bektashian, Shenjtërinë e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj për ftesën dhe ta siguroj, ashtu si deri tani, ne do të jemi në mbështetje e në përpjekje të vazhdueshme, në bashkëpunim dhe me strukturat përkatëse të shtetit grek, që në frymën e lirisë, të drejtave të njeriut, lirisë së besimit fetar, edhe ky institucion që është pothuaj i rrënuar, të ringrihet e të vihet në shërbim të besimtarëve vendas e kujtdo që kërkon prehje e shpresë tek kjo teqe bektashiane, me histori të lashtë. Duke pasur si shembull dhe përpjekjet vetjake të viteve të fundit të besimtarëve bektashian të racave e kombësive të ndryshme, kryesisht dhe emigrant shqiptarë të integruar në vite e dekada në Greqi, të cilët përherë e më shumë, vijnë falen e kërkojnë shpresë për jetë e dit më të mira tek ky tempulli i Zotit,  mund të gjejnë zgjidhjen e duhur dhe disa problem që ende ekzistojnë, për shkaqe të ndrydhe prej dekadash. Uroj të gjithë pjesëmarrësit, klerikë e besimtarë të ardhur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia Veriore, këtu nga treva të ndryshme të Greqisë e më gjerë, për më shumë shëndet e shpresë, për më shumë dashuri e harmoni! Faleminderit!”.
E veçantë dhe me shumë interes u prit një prezantim i shkurtër dhe përshëndetje në gjuhën greke, i një nxënësi shqiptar, lindur në Greqi, 10-vjeçarit, Z. Osmani.
Në mbyllje të ceremonisë, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ftoi të pranishmit të vizitojnë ekspozitën “532-vjetori i themelimit të teqesë Durballi-Sulltan të Volosit, Greqi”, e cila u pëlqye nga pjesëmarrësit.
Në fund, festa bektashiane vazhdoi dhe në drekën që ishte përgatitur me këtë rast.

Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI