Festohet Dita e Ashures në teqenë Arabati-Baba në Maqedoninë Veriore

Ditën e djeshme, në teqenë Harabati-Baba në Maqedoninë Veriore, u zhvillua festa tradicionale e Ashures, që mbahet në përfundim të Matemit. Ceremonia u bë nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Për këtë ditë të shënuar, vendasit kishin marr të gjitha masat, ndërkohë që në këtë ceremoni, përveç klerikëve, myhibeve e besimtarëve nga Maqedonia Veriore, kishin ardhur besimtarë bektashianë e dashamirës të shumtë dhe nga Kosova, Shqipëria e diaspora.

Ritet tradicionale i drejtoi Dede Edmond Brahimaj. Në përshëndetjen e Tij, ai uroi të gjithë ata që mbajtën Matemin, duke evokuar ndërkohë dhe detajet e ngjarjes tragjike të Qerbelasë shekuj më parë, si dhe mesazhet që ka përcjellë e do të përcjellë ajo ndër breza besimtarësh bektashianë, kudo në botë. “Ju falënderoj e bekoj të gjithëve ju besimtarë e dashamirës që keni ardhur sot këtu në teqenë historike të Harabati-Baba në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, në këtë vatër të ndritur që ka bërë emër në historinë e bektashizmit, por dhe në atë të qëndresës kombëtare, atdhetarisë e dijes. …Siç e dini, kohët e fundit, ky objekt i rëndësishëm bektashian, nga qarqe dashakeqe, është bërë objekt sulmesh shumëplanësh, por si deri tani, ata kanë dështuar dhe do të dështojnë, pasi e drejta, besimi në Zotin e Madh, është në krahun tonë. Paçi shëndet, begati e mirësi në familjet tuaja! Zoti u bekoftë!”- theksoi në mesazhin e Tij, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj.

Pas riteve tradicionale, të pranishmi shijuan ashuren e përgatitur për këtë rast.

Përgatiti:
Xhorxhin ÇULLHAJ