FITER BAJRAMI. KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN, PRET BESIMTARË DHE PERSONALITETE TË LARTË SHTETËRORË E DASHAMIRËS

Që në orët e para të ditës së mërkurë, 30 mars 2025, Festimi i Fiter Bajramit, ashtu si në traditë, solli në Selinë e Shenjtë Botërore Bektashiane në Tiranë, qindra besimtarë; personalitete të larta shtetërorë, drejtues vendor, ambasadorë, klerikë bektashianë e drejtues të besimeve të ndryshëm fetarë, teologë, historianë e studiues, besimtarë dhe dashamirës të shumtë. Ata uruan e u pritën nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj. Vizitat dhe ritet e kësaj dite, nisën në orën 10:00 e vazhduan gjithë ditën.
Ndër personalitetet që vizituan Selinë e Shenjtë Bektashiane ishin dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Bega; Ministra e Arsimit; titullarë e përfaqësues, nga Ambasada e Kosovës; nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës; Ambasadori i OSBE në Shqipëri; nga Ambasada e Ukrainës; nga Ambasada e Bullgarisë; nga Ambasada e Japonisë, nga Ambasada e Sllovakisë; nga Ambasada e Izraelit; nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë; nga Kisha Orthodokse Autoqefale; Nga Kisha Katolike;nga Nunziatura Apostolike etj…
Pas urimit e bisedës, Presidenti Begaj dhe Kryegjyshi Dede Edmond Brahimaj, dhanë prononcime të shkurtra për mediat. Ndër të tjera, Presidenti Begaj pohoi: “…“Jam këtu në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, bashkë me Baba Mondin, për t’u urua besimtarëve myslimanë por dhe gjithë shqiptarëve, Fiter Bajramin, këtë ditë të shënuar. Është momenti të kujtojmë thëniet e Kuranit Famëmadh dhe fjalët e Profetit Muhamed në punën e jetën tonë dhe ti zbatojmë në jetë. Shpresoj që agjërimi i muajit të Ramazanit të jetë i pranuar, për të qenë më të mirë, më solidarë, më të bashkuar, për të ruajtur, pasuruar ato vlera që kemi trashëguar, harmoninë fetare.. Faleminderit baba Mondi dhe gëzuar këtë ditë të madhe…”
Ndërsa Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, ndër të tjera tha: “…Falënderoj Presidentin e Republikës, personalitetet e tjerë dhe besimtarët bektashianë e dashamirës që erdhën sot e na uruan në këtë ditë të shënuar të Fiter Bajramit dhe u uroj nga zemra, ‘Gëzuar për shumë vite festën e bekuar të Fiter Bajramit’. Paçin paqe, shëndet e harmoni në familje. Nëpërmjet agjërimit, në Muajin e Shenjtë të Ramazanit, ne gjetëm e përjetuam një ndjenjë paqe, shërimi shpirtëror, testuam forcën për përkushtimin ndaj Zotit. Le të na shërbej kjo periudhë dhe kjo ditë e bekuar e ditës së sotme, që të bashkohemi në një lutje për më shumë shpresë e paqe, të lutemi që luftërat e konfliktet e dhunshme kudo ku janë, të pushojnë, të mbushen zemrat e njerëzve me dashuri dhe të mos humbin më jetë njerëzish të pafajshëm, të kemi ditë më të mira e harmoni, solidaritet e dhembshuri. Të forcojmë dashurinë e vëllazërinë, të duam më shumë vendin. Zoti u bekoftë!”

Përgatiti: Shelda AGARAJ-JANO
Fotot: Nuri ÇUMANI