Presidenti Ilir Meta që falënderon bektashinjtë për aktin human. Dede Edmond Brahimaj: Dhurimi i gjakut, akt që buron nga shpirti bektashian për të shpëtuar jetë njerëzish!
Brunilda Gorovelli
Dita e djeshme, ishte një ditë krejt e veçantë, për dhjetëra besimtarë bektashianë e miq të tyre, pasi në kuadër të nismës “Dhuro gjak, shpëto një jetë”, erdhën në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë për të dhuruar gjak në ndihmë të pacientëve në nevojë. Dhurimi i gjakut, i paralajmëruar dit më parë, gjeti një përkrahje masive nga besimtarë bektashianë, dashamirës e miq të Selisë së Shenjtë, nga Tirana, Kruja, Durrësi, Tepelena, Elbasani etj… Në këtë akt simbolik të bektashinjve, ishte i pranishëm dhe Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta. Për këtë, Selia e Shenjtë, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në bashkëpunim me ‘Aleancën për Dhurimin e Gjakut’ dhe institucionin shëndetësor përkatës, kishin marrë të gjitha masat e nevojshme, që nga kushtet e kontrollit mjekësor, asistencën para, gjatë dhe pas dhurimit të gjakut, e deri tek përcjellja e dhuruesve në destinacionet përkatëse, nga kishin ardhur. “Ishte një solidarizim i klerikëve tanë, nëpunësve të administratës në Kryegjyshatë e gjyshatat e vendit, që gjeti mbështetje të gjerë tek klerikë e besimtarë të shumtë, të cilët me aktin e dhurimit të gjakut, treguan se besimtarët bektashian, në çdo periudhë e kudo ku janë, krahas predikimit e dashurisë për Zotin, punojnë e kontribuojnë për më shumë vëllazëri, paqe e dashuri për njeri-tjetrin, për ndihmë e solidaritet njerëzor, për njerëz me shëndet të fortë që i duhen shoqërisë e kombit. Edhe tërësia e masave që morëm, ishte në përputhje të plotë me kushtet që dikton situata pandemike. Me këtë akt, dhuruesit e gjakut treguan fisnikëri e dashuri njerëzore, të cilët unë i përshëndes nga zemra, u uroj shëndet, fat e mirësi të ‘ta dhe familjet e tyre”- pohoi mes të tjerave për gazetën “Telegraf”, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Dhurimi i gjakut
Që në orët e para të ditës së djeshme, besimtarë të shumtë bektashianë e dashamirës, erdhën në mjediset e Selisë së Shenjtë, të dhurojnë gjak. Ndërsa dhënia filloi në orën 08:30, siç dhe ishte parashikuar. Në bankën e dhurimit të gjakut, u ul dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, klerikët e tjerë, Hisen Sulejmani, Xhuli Carkani. “Për shkak të kushteve të pandemisë, mendonim se nuk do të kishte kaq vullnetarë për të dhënë gjak. Kishin ardhur nga shumë rrethe të vendit, por apelit tonë iu përgjigjën dhe intelektualë të shumtë, gazetarë, historian, shkrimtarë etj. Vetëm nga Kruja, numri i dhuruesve që ishin të gatshëm për dhënie gjaku, ishte mbi 40_-pohon Nuri Çuni, Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Në radhën e dhurimit, por dhe pas në mjediset e Selisë së Shenjtë, bisedojmë me dhurues të shumtë si historianin Naim Deraj, fotografin Marild Muça, montazhierin Endrit Xibri, biznesmenin Elton Miraku, 57-vjeçarin Faik Loci nga Kruja, 47-vjeçarin Ilir Pengili, 57 vjeçarin Fatmir Kasa nga Kruja, etj… Ata, dhurimin e gjakut e quajnë detyrë, pasi ky gjest, bën që të shpëtohen jetë të shumta njerëzish që e kanë të domosdoshëm këtë element jetik.
Presidenti Ilir Meta dhe Kryegjyshi Dede Edmond Brahimaj
Mes dhuruesve të gjakut ishte dhe Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta. Së bashku me Kryegjyshin Botëror Bektashian, Hirësinë e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, takuan së bashku, bashkëbiseduan me ‘ta dhe i falënderuan për atë që bënë. Në fund, Presidenti Meta dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, iu përgjigjën interesit të medies që ndoqën këtë aktivitet. Ndër të tjera, Presidenti Ilir Meta, vlerësoi gjestin tejet human që vjen në këto ditë të vështira, jo vetëm prej verës por edhe prej pandemisë. Meta tha se xhesti i gjithë besimtarëve bektashianë është për tu vlerësuar dhe përshëndetur pasi po shpëtojnë jetë. “Falënderoj Kryegjyshin tonë Botëror që iu përgjigj menjëherë kërkesës për të kontribuar besimtarët dhe komuniteti i tyre në një moment tepër delikat për dhurimin e gjakut, kur dihet që jo vetëm për arsye të stinës së verës, por edhe sfidës së pandemisë është me shumë domosdoshmëri të organizojmë një seancë të tillë jo vetëm sot, në mënyrë që fëmijëve me talasemi, por edhe të tjerë që e kanë të domosdoshëm transfuzionin të kenë të gjitha mundësitë, t’ju shërbehet me përkushtim dhe efikasitet. E falënderoj Kryegjyshin tonë për këtë përgjigje të menjëhershme, falënderoj besimtarët e tyre që sot gjatë gjithë ditës do vijojnë të japin gjak”-shtoi ndër të tjera Presidenti Meta. Në prani edhe të Presidentit, Ilir Meta, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, tha Kryegjyshata Botërore Bektashiane, iu është gjendur dhe u gjendet gjithmonë pranë njerëzve që kanë nevojë. “Dhurimi i gjakut nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane bëhet për të shpëtuar një jetë. U jemi pranë njerëzve në nevojë, të jemi të bashkuar në këtë moment pandemie të vështirë që ka pushtuar globin. Faleminderit Zotit që na dha mundësinë dhe besimtarëve që të mund të bëjmë më të mirën për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve që kanë sot nevojë”,- theksoi ndër të tjera Dede Edmond Brahimaj.
Përgatiti faqen: K. Boriçi
SOM 1
“Presidenti Ilir Meta: “Falënderoj Kryegjyshin tonë Botëror që iu përgjigj menjëherë kërkesës për të kontribuar besimtarët dhe komuniteti i tyre në një moment tepër delikat për dhurimin e gjakut, kur dihet që jo vetëm për arsye të stinës së verës, por edhe sfidës së pandemisë është me shumë domosdoshmëri të organizojmë një seancë të tillë jo vetëm sot, në mënyrë që fëmijëve me talasemi, por edhe të tjerë që e kanë të domosdoshëm transfuzionin të kenë të gjitha mundësitë, t’ju shërbehet me përkushtim dhe efikasitet
SOM 2
“Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj:Dhurimi i gjakut nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane bëhet për të shpëtuar një jetë. U jemi pranë njerëzve në nevojë, të jemi të bashkuar në këtë moment pandemie të vështirë që ka pushtuar globin. Faleminderit Zotit që na dha mundësinë dhe, besimtarëve që të mund të bëjmë më të mirën për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve që kanë sot nevojë”