Ceremonia tradicionale u zhvillua më 18 nëntor 2021, në Këln të Gjermanisë. Kryegjyshi, një ndër katër personalitetet botëror që u vlerësuan
Nga Dr. Arben SULEJMANI
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, vlerësohet me një tjetër titull prestigjioz ndërkombëtar. Në ceremoninë tradicionale të ndarjes së Çmimeve të Tolerancës dhe Paqes për këtë vit, ai u nderua me titullin “Unaza e Tolerancës dhe e Paqes” nga Akademia Evropiane e Shkencave dhe Arteve, në një ceremoni të veçantë, të organizuar ditën e enjte, më datë 18 nëntor 2021, në Universitetin Teknik të Këlnit, Gjermani. “Me çmimin, ne së bashku po japim një shembull për një shoqëri të hapur, plurale, urgjenca e së cilës do të vazhdojë e pandërprerë...”- theksoi mes të tjerave në momentin e dorëzimit të Titullit, Presidenti i TH Stefan Herzig. Dede Edmond Brahimaj, ishte ndër katër personalitetet që u vlerësua me këtë mirënjohje të lartë. Ceremonia u moderua nga Joachim Frank, kryekorrespondent i “Kölner Stadt-Anzeiger”. Ajo u zhvillua si pjesë e ceremonisë së ndarjes së çmimeve për unazat e tolerancës, me të cilat akademia nderon njerëzit që bëjnë fushatë për dialogun ndërkufitar për paqen dhe kundër racizmit. Këtë vit çmimin e kanë marrë Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë; Andrea Riccardi, historian italian dhe themelues i Komunitetit Katolik të Sant’Egidio; dhe Ëalter Homolka, rabin.
“Dede Edmond Brahimaj: Titulli që unë marr sot, ‘Unaza e tolerancës dhe e paqes’ është më tepër se sa nder dhe krenari për mua personalisht. Ky titull i lartë, është pa më të voglin dyshim, një vlerësim i thellë për misionin që tarikati ynë i Islamit ka përmbushur në shekuj: atë të frymëzimit të paqes dhe prosperitetit. Është po aq, vlerësim për gjithë brezat e klerikëve bektashianë, të cilët në substancë të jetës dhe veprës së tyre patën kurdoherë devocionin ndaj Krijuesit, të ndërthurur me dashuritë dhe liritë njerëzore.”
PËRSHËNDETJA E DEDE EDMOND BRAHIMAJT
Ndër të tjera, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në fjalën e Tij, ndër të tjera theksoi: “Titulli që unë marr sot, ‘Unaza e tolerancës dhe e paqes’ është më tepër se sa nder dhe krenari për mua personalisht. Ky titull i lartë, është pa më të voglin dyshim, një vlerësim i thellë për misionin që tarikati ynë i Islamit ka përmbushur në shekuj: atë të frymëzimit të paqes dhe prosperitetit. Është po aq, vlerësim për gjithë brezat e klerikëve bektashianë, të cilët në substancë të jetës dhe veprës së tyre patën kurdoherë devocionin ndaj Krijuesit, të ndërthurur me dashuritë dhe liritë njerëzore. ...I lindur 800 vite më parë, tarikati të cilit i përkasin sot miliona ndjekës në të gjithë botën, përfshiu në gjirin e doktrinës së tij, dashurinë e thellë për vëllanë që ke në krah, pavarësisht ngjyrës apo racës, por vetëm e vetëm për hir’ të dashurisë ndaj Krijuesit. Është unike në krejt historinë fetare, por gjithsesi e rëndësishme për t’u rrëfyer sot këtu, se në bektashizëm, nëse një grup besimtarësh shkojnë në teqe, marrin miratimin shpirtëror dhe bekimin e dervishit apo babait, qysh prej asaj dite, ata bëhen vëllezër e motra, njëlloj sikur të jenë prej prindërish biologjikë. Një akt i tillë, ndonëse kanë kaluar shekuj, e ruan ende sot madhështinë dhe ndjenjat sublime të dashurisë shpirtërore. Ka qenë pa dyshim, një nga arsyet, që ndonëse në historinë e tarikateve, shumë e humbën shkëlqimin apo identitetin e tyre, bektashizmi përkundrazi, erdhi duke u rritur dhe duke fituar hapësira gjeografike nga shekulli në shekull. Ne mund të krenohemi sot se doktrina jonë e paqtë, qëndrimi ynë i urtë dhe gjithë-pranues, i frymëzuar prej Haxhi Bektash Veliut në Azinë e dikurshme, sot përcillet mrekullit në Ballkan, ne Europë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe deri në Australinë e largët. Veçanërisht në vendin tim, në Shqipëri, tarikati bektashian ka kryer misionin e vet historik jo thjesht si një lëvizje fetare, por si një trashëgimi vlerash të identitetit tonë kombëtar. Në mënyrë të dukshme, në historinë shqiptare të këtyre dy shekujve të fundit, bektashizmi ka ideuar dhe ngritur ura paqeje midis balancave të brishta të krishtera dhe myslimane, i udhëhequr nga thënia profetike: ‘Pa atdhe nuk ka fe’! Kjo ka bërë që Shqipëria, t’u mbijetojë situatave nga më të ndërlikuarat, ku luftërat dhe mëritë ballkanike nuk kanë të mbaruar ende sot. ...Islami si fe e gjallë dhe paralele me natyrën njerëzore dhe veçanërisht tarikati bektashi, i mëson pasuesit e tij që të ruajnë jetën njerëzore në mënyrë gjithëpërfshirëse, pavarësisht nga feja, raca dhe prejardhja. Në të njëjtën kohë, i mëson njerëzit të jenë të gatshëm të luftojë çdo kërcënim, tirani dhe persekutim që rrezikon sigurinë njerëzore kjo sinjifikon tolerancën fetare. Islami praktikon tolerancë që është falëse dhe bujare. Paqja e shpirtit, është fuqia që mund ta nënshtrojë dhe mposht armikun me urtësi dhe si një kështjellë që mund t’i rezistojë kryengritjes së Satanait. Prandaj, Islami shpesh i mëson ithtarët e tij që të jenë falës në jetën e feve të tjera, qëndrimin falës të mendjes fisnike dhe njerëzimit dhe të respektojnë të drejtat e të tjerëve. Meqenëse çdo vit në këtë ditë (në datën 16 nëntor), ne festojmë ditën ndërkombëtare të tolerancës , dhënia e çmimit është shumë afër kësaj date do të doja të nënvizoja faktin që në botën tonë të përbashkët, promovimi i tolerancës është mënyrë që të ndërtohet harmonia midis diversitetit i cili do të sigurojë një ardhmëri më të mirë. Të gjithë duhet të synojmë ndaj kujdesjes së vlerave njerëzore, nxitjes së përgjegjësisë sociale, me një fjalë bashkimin e botës në një familje”sepse në thelb toleranca është kusht për paqe...”
Përgatiti faqen: K. BORIÇI