Gazeta Telegraf: Sot, pesë vite nga ndërtimi i Odeonit të Bektashinjve

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Odeoni, një vepër unikale në llojin e vet, arkitekturale e shpirtërore. Nga ora 09:00 e në vazhdim, në Selinë e Shenjtë, ka vizita dhe pritje. Gjatë gjithë ditës, një sërë aktivitetesh të tjera si film dokumentar, një ekspozitë, vizitë në muze, galerinë e artit bektashian, bibliotekë, arkiv e mjedise të tjera të kompleksit kulturor bektashian  

Nga Kujtim BORIÇI
Dita e sotme, e hënë 7 shtator 2020, është një ditë e veçantë për bektashizmin në Shqipëri, në trojet shqiptare e miliona të tjerë nëpër botë, është përvjetori i pestë i përurimit të faltores (odeonit) në Selinë e Shenjtë në Tiranë, një vepër unikale e llojit të vet në Ballkan e më gjerë, një kompleks bashkëkohor me vlera arkitekturore dhe shpirtërore. Sot, për këtë përvjetor, mjediset e Selisë së Shenjtë të Qendrës Botërore Bektashiane, përgatitur si në ditë feste, presin besimtarë, personalitete, diplomatë e dashamirës të shumtë, të cilët do të ndjekin dhe një sërë aktivitetesh. “Ndërtimi i foltores, ishte një dëshirë e përpjekje e hershme e klerikëve bektashianë, i dede Ahmetit, dede Reshatit, vepër të cilën me ndihmën e Zotit e mbështetjen zyrtare e besimtarëve, ne mundëm që ta realizojmë dhe ta pasurojmë atë më tej, nga dita në ditë. Ndaj sot, nga ora 09:00 e në vazhdim, në Selinë e Shenjtë Bektashiane, ka vizita dhe pritje në kuadër të 5 vjetorit të përurimit të Odeonit. Njëkohësisht, gjatë ditës do të ketë një sërë aktivitetesh si, ekspozita fotografike, film dokumentar kushtuar ndërtimit dhe pajisjes së kompleksit shpirtëror e kulturor, vizita në muze, bibliotekë, arkiv etj”- pohon Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Ibrahimaj.
Ceremonia e përurimit të oderonit, pesë vite më parë, ishte një ceremoni që u ndoq nga qindra dashamirës të pranishëm si dhe qindra mijëra të tjerë në Shqipëri e jasht saj, në ekranet e televizioneve të vendit dhe të huaja që e transmetuan direkt apo dhanë atë ditë e më vonë kronika e emisione të posaçme. Për këtë ditë dhe pasurimin e kësaj qendre kulturore në këta pesë vite, është përgatitur dhe një dokumentar interesant që do të jepet sot për vizitorët si dhe një ekspozitë foto-dokumentare kushtuar jetës dhe veprës së poetit të madh bektashian, Naim Frashëri. Ndërkohë, është ndërtuar e pajisur në këtë periudhë një bibliotekë funksionale dhe e pasur, është ngritur muzeu me eksponate të shumta, dokumente të shekujve, literaturë e rrallë, foto e relike, ku pasqyrohet rruga mbi tetë shekullore e këtij besimi të paqtë; është ndërtuar e funksion një galeri arti, është vënë në funksion e po dixhitalizohet arkivi bektashian, etj… Por dita e përurimit, kujtohet e respektohet si datë e kurorëzimit të një pune kolosale gjatë dekadave dhe si një ditë pikënisje për standarde bashkëkohore të historisë e pasurisë bektashiane. Fjala e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, e Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama, vlerësime të personaliteteve të vendit dhe të huaj atë ditë e në vazhdim (pjesë të disave po i japim në vazhdim), ishin dhe mbeten jo thjeshtë vetëm vlerësime, por edhe burim për arritje të tjera në këtë aspekt.

Kryegjyshi Botëror Bektashian Dede Edmond Brahimaj
Fillimisht, në ditën e përurimit 5 vite më parë, ishte Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili përshëndeti besimtarët, personalitetet dhe të gjithë të pranishmit, për praninë e tyre në këtë eveniment të rëndësishëm. Ndër të tjera, në fjalën e Tij, Dede Edmond Brahimaj tha: “…Të nderuar miq, personalitete të lartë fetarë të ardhur prej kombesh, racash dhe besimeve të ndryshme! I nderuar Kryeministër i Shqipërisë, Z. Edi Rama! Të nderuar ambasadorë të akredituar në Tiranë! Të nderuar bektashinj, përfaqësues të komuniteteve të Shqipërisë, Turqisë, Greqisë, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi, Zvicrës, Bullgarisë, Gjermanisë, Francës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë etj! Do të më lejoni, në radhë të parë, t’ju uroj me sinqeritetin më të madh mirëseardhjen në këtë event, i cili, ndonëse bektashian, inspiron dhe përcjell paqen e kthjellët, për të gjithë ju, për çdo fe dhe besim, në themelet e së cilës është mbrujtur së bashku me dashurinë për Krijuesin edhe uniteti i mrekullueshëm njerëzor. Faltorja që përurojmë sot, është pjesa e dukshme dhe simbolika e një besimi të lindur 800 vite më parë. Ajo çfarë e ka bërë këtë tarikat të Islamit, ti mbijetojë shekujve, të fitojë terrene të rinj shpirtërorë, të bashkudhëtojë me vlerat e spikatura të kohërave të sotme, është pikërisht fryma e mirëkuptimit me atë që ke në krah, ndjenja e lume për të ndërtuar ura dashurie në brigjet me fe, etni, raca e mentalitete të ndryshme. Mendimet dhe trashëgimitë diverse, orientimet fetare dhe prirjet kulturore të popujve, ne i kemi parë kurdoherë si pasuri shpirtërore dhe pavarësisht elementëve bazikë, besojmë se s’kemi asgjë për t’u ndarë , përkundrazi, vlen të jemi të bashkuar siç na kërkon edhe vullneti i Krijuesit. Me një ndjenjë krenarie të ligjshme për paraardhësit e mijë, unë dua t’u bëj me dije të gjithëve ju, se milionat e bektashinjve në gjithë botën, ata që inspirojnë të futen në të fshehtat e tarikatit, djem e vajza, burra dhe gra, të panjohur deri më parë, në natën e mejdanit, në prani të Haxhi Bektash Veliut dhe udhëheqësit të tyre shpirtërorë, shndërrohen në vëllezër e motra të përjetshme. Në këtë mënyrë, çdo besimtar, lë mënjanë biologjinë njerëzore, për t’u identifikuar në familjen e madhe bektashiane në të dy botët. Ju siguroj se vetëm nëpërmjet këtij realiteti, ne i kemi vështruar dhe vështrojmë edhe marrëdhëniet me vëllezërit e besimeve apo feve të tjera, duke dhënë ndihmën tonë bujare në sendërtimin e kulturës së solidaritetit dhe të mëshirës universale islame. Qendra Botërore Bektashiane ka vetëm 9 dekada që është vendosur në Tiranë. Ndonëse e përndjekur prej reformave të Turqisë, ndonëse e mbyllur totalisht prej diktaturës ateiste që lamë pas, kjo qendër ka mundur të luaj rolin e saj historik përmes dramash dhe pengesave gjithëfarësh. Kandili i Haxhi Bektash Veliut nuk u fik nga asnjë lloj stuhie, sepse flaka e tij u ruajt nga një aleancë e fshehtë e shpirtërave të besimtarëve tanë. Bekteshinjtë e gjithë botës, janë mbushur plot mirësi e shpresë në të vërtetën e lume të ajetit: “Thuaj: Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim! (Kurani, Isra:85). Natyrisht, tek kjo mbijetesë sublime, vlen të kujtojmë sot, jetën dhe veprën e qindra klerikëve, të cilët jo vetëm nuk e lanë besimin bektashian të shndërrohej në një kuriozitet muzeal, por përkundrazi, e pasuruan traditën me dije, me shpirt, me moral, me dashuri vëllazërore, me ndjenjat më të kulluara ndaj atdheut, familjes dhe krejt shoqërisë njerëzore. Në këtë armatë klerikësh të urtë, bën dritë prej së larti, i vyeri myrshidi im shpirtëror, i paepuri ndër furtuna, i palodhuri ndër vepra të mëdha, ai që çeli themelet dhe rriti shtatin e kësaj faltorje, Haxhi Dede, Reshat Bardhi. Shpirti iu prehtë në paqe! Si Kryegjyshi Botëror Bektashian, unë besoj se përurimi i faltores sotme, përbën gëzim të veçantë për çdo besimtar,  pavarësisht orientimit fetar. Se kjo është një shtëpi e Zotit, dhe ne besojmë tek një Zot i vetëm, pavarësisht gjuhëve, lëvizjeve dhe lutjeve që i drejtojmë Atij. Në paqe me miliona shtëpi të Zotit në këtë botë, faltorja jonë do të ngrejë ura komunikimi dhe dialogu, në të mirë të vëllazërisë fetare, duke u larguar ndërkaq prej çdo lloj verbërie të Islamit politik apo tendence të aksioneve të terrorizmit. Në fe, nuk ka dhunë. Feja e vërtetë jep e shpërndanë vetëm dashuri. Kam gjithashtu kënaqësinë e veçantë, të falënderoj para këtij auditori të nderuar, Kryeministrin e Shqipërisë Zotin Edi Rama, i cili, bujarisht afroi ndihmë ekonomike të çmuar në përfundimin e faltores sonë. Edhe një herë, faleminderit të gjithëve! Zoti ju bekoftë! Amin!”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama
Në fillim, ditën e përurimit të kompleksit, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, pasi përshëndeti Kryegjyshin Botëror Bektashian, Hirësinë e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për punën që është bërë për ndërtimin e kësaj vepre unikale të kultit, falënderoi dhe të pranishmit, u ndal gjatë në fjalën e tij përshëndetëse. Ndër të tjera, Rama Tha: “Muzgu që u zgjodh për të ardhur këtu, duke përqafuar këtë hekzagon e dyfishtë në kubenë e bronxtë, më çoi në mendje muzgun e dy jetëve mbi të cilat, në këtë moment ja vlen të meditohet. Duke soditur këtë tempull të përfunduar, në harmoni me gjeometrinë filozofike dhe shpirtërore të gjeniut të përveçëm të bektashizmit dhe të gjeniut të përbotshëm të krijimtarisë, mu kujtua filozofi Jozef Ratzinger, ipeshkëv i ardhshëm i Romës. Atëherë ende kardinal, i përshkuar nga një sens murgjëror vëzhgimi të hatashëm, ai pat shkruar diku se “apologjia e vërtetë e krishtërimit është arti”, perifrazë e së famshmes klithmë të Dostojevskit, “e bukura do të na shpëtojë”. Nuk e di nëse kjo është “udha” – për t’i përshtatur këtij momenti një fjalë kuptimplotë për urdhrin bektashi – që në intimitetin e ndërgjegjes së vet pat dashur të ndjekë arkitekti i vërtetë i kësaj mrekullie, i ndjeri dhe i paharruari Haxhi Dede Reshat Bardhi.  …Njësoj si Moisiut të cilit, i përnderuar nga bektashinjtë, po aq sa nga besimet e tjera monoteiste, ju desh të kundronte për së largu vendosjen e popullit të tij në tokën e premtuar, po ashtu Dede Reshati e sheh sot të kryer amanetin e moçëm për ngritjen e kësaj faltoreje, e kësaj mrekullie, pa qenë fizikisht të jetë i mundur këtu mes gjithë admiruesve dhe miqve të tij. Çdo gjë që na rrethon këtu, duke filluar nga vetë faltorja, e cila nuk gjen të dytë në Shqipëri, është mishërim i sensit të masës, të përmasës, të ekuilibrit dhe të një shijeje jashtëzakonisht të hollë e befasuese… Këtu janë vërtet, në të 12 cepat e faltores, 12 imamët, emrat e të cilëve, ndonëse mund të tingëllojnë të huaj, janë për shqiptarët jehonë e 12 virtyteve njerëzore. Shqipërisht i përcolli tek ne, në kujtesën e përbashkët, Naim Frashëri, në të pavdekshmen Fletore të Bektashinjve, këtë Kuran e Bibël të dytë të “besës sonë të shenjtëruar”, duke radhitur krah tyre, 12 shtylla të udhëtimit shpirtëror: të vërtetën, drejtësinë, inteligjencën, urtësinë, vëllazërinë, dashurinë, miqësinë, humanizmin, besimin, atdhedashurinë, përvujtarinë dhe zemërgjerësinë. Këtu janë edhe Haxhi Bektash Veliu, themeluesi i urdhërit, edhe vet Naimi, mjeshtri i ligjërimit të tij, të ndarë në mes nga ky tempull i paqtë, ashtu siç ndahen në mistikën bektashie, pa ju kundërvënë njëra-tjetrës, “lulja e së vërtetës dhe lulja diturisë”. Pa pasur kultin e imazhit, bektashinjtë reflektojnë kështu përkujdesjen ndaj një rendi gjeometrik dhe estetik shumë të përkorë, ndaj një ekonomie t? ? shqisave, e cila është një përshkrim dhe një udhërrëfyes fillimor i jetës së një individi dhe po ashtu edhe i një bashkësie… Faltorja dhe i gjithë ansambli që kemi mirësinë e madhe të jemi këtu për ta përuruar, sot është në fakt, simbolikisht dhe realisht, kurorëzimi i përlindjes së lirisë së bektashizmit dhe përmbushja e jetës së një njeriu të madh dhe të ndjeshëm, e cila u njësua katërcipërisht me atë të komunitetit të cilit ai i përkiste. Sot, dhe vetëm sot, bektashizmi gjen përfundimisht atë të drejtë qytetarie që gjen edhe kujtesa e ndjerë e Baba Reshatit, i destinuar që në fëmijëri, të ndjente peshën e rrënimit, dhunën e përçmimit dhe pastaj dora-dorazi, belbëzimet e para të ringjalljes. Një njeriu të cilit që në fëmijëri e në rini të hershme ju skalit karakteri dhe forca morale pasi i ra për pjesë të ishte dëshmitar i djegies së shtëpisë atërore nga diktatura ateiste dhe të cilit ju konsolidua besimi tamam atëherë kur feja varrosej me pahirin e kërbaçit dhe krimit shtetëror, nuk kish se si të mos kërkonte shëlbimin në mirësinë dhe bukurinë e natyrës, por edhe në perfeksionin e artit dhe artizanatit të mbrujtur nga dora e besimtarit… “Mermer, granit, porfir, vitrazhe me arabeska befasuese për nga rafinimi i tyre, kaligrafi arabe gjithmonë shoqëruar me transliterim në shqip të emrave të martirëve të besimit bektashian, gjenden në këtë faltore, jo për t’i shpallur pelegrinit fuqinë shekullore të një feje apo të një riti, por për ta ftuar që të ketë pjesë në pasurinë dhe trashëgiminë e pasosur të përshpirtshmërisë bektashiane. Kush nuk do të aderonte, në fakt, dhe kush nuk do të gjente paqen në këto fjalë të nxjerra edhe një herë, nga e madhërishmja Fletore e Bektashinjtë e Naim beut të madh, i cili shkruan: “Kush përçudnon njeriun dhe njerëzimin, radhitet mes kafshëve.. Njeriu nuk është kurrë nën hekura, në çdo pikëpamje ai i përket lirisë dhe për çdo veprim të tijin është përgjegjës”. Baba Reshati e deshi, e ëndërroi dhe e projektoi shumë kohë përpara se sa të kishte mundësi për ta ndërtuar, selinë bektashiane si një kopsht ku të kultivohej liria dhe larmia, ku mistika, po aq sa arsyeja dhe kultura të kishin një parcelë të zgjedhur e të shqueshme që në sy të parë. Një kopsht, ku në rrënjët e traditës, e vjetra të përtërihej, pa u shndërruar, në risitë e shekullit tone. Nëse kur ne të hyjmë në këtë faltore do të ndihemi po aq brenda vetes sa edhe nën strehën e kësaj çarshie të madhe shpirtërore, duhet të dimë që poshtë këmbëve tona, tok me njëri-tjetrin ndodhet hapësira ku përfalet kujtimi i 12 imamëve dhe biblioteka e cila përmban gjithashtu një arkiv të pasur dokumentare dhe një mjedis pushimi për vizituesin. Në shekullin XXI, në Shqipëri mund të ketë ende projekte të mëdha, jo thjesht të natyrës infrastrukturore, por të natyrës civilizuese. Kur Baba Reshati, i cili si shenjtët e moçëm në Perëndim dukej se e kishte paraparë momentin kur do të ndahej nga jeta e këtushme, këmbëngulte në gjetjen e mjeteve për të përfunduar Odeonin, mua më përçonte gjithmonë përshtypjen që kishim të bënim me një ndërtesë simbol, me një domethënie unike. Ja ku jemi këtu ne të mbetur pas ikjes së tij, dëshmitarë të vizionit jashtëzakonshëm të një njeriu në pamje të parë të zakonshëm, por në thelb të shenjtë. Kjo mrekulli e realizuar me vizionin dhe vullnetin e një njeriu aq të zakonshëm me njerëz të zakonshëm dhe aq të shenjtë përballë gjithëkujt ndër ne, e cila shfaqet sot me një fuqi shumë të qetë dhe në harmoni të plotë me natyrën e këtij vendi, jam krenar që gjeti mbështetjen e qeverisë sonë, e cila në fakt duke mbështetur ndërtimin e kësaj faltoreje, nuk përmbushi thjesht amanetin e një njeriu të shenjtë, por përmbushi një detyrë patriotike karshi bektashizmit dhe të gjithë bektashinjve shqiptarë”, u shpreh Rama. Në rimëkëmbjen e këtij ansambli dhe në ngritjen e kësaj faltoreje, ne kemi qenë jo arkitektë, as administratorë, por shtegtarë dhe bashkudhëtarë të përulur që kemi kontribuar të gjithë së bashku një amanet që Baba Reshati e përcolli përmes jetës së tij deri tek ne që ti lëmë brezave një monument i cili për nga mesazhi që mbart, siç do të thoshte poeti i lashtë Horac, “do të jetë më jetëgjatë sesa vete çeliku” Pa minare, pa gjysmëhënë, pa yje, pa të tjera simbole të pazëvendësueshme, një faltore që i përket universit shumëngjyrësh të fesë islame mund të habisë këdo që nuk e njeh bektashizmin. Të them të drejtën unë nuk e di, as si, as kur, as në ç’moment, as për ç’arsye, tarikati i bektashinjve ka hequr dorë nga shpallja qartazi dhe prerazi e përkatësisë së tij ndaj një universi fetar në një ritual aq të përcaktuar. Ndoshta kjo ka ndodhur për të mos larguar asnjë udhëtar nga pragu i teqesë, cilido mund të ketë qenë besimi i tij. Si pasuria më e madhe e bektashinjve, njeriu është aspirata, shpresa dhe pritshmëria madhore, guri filozofal i tempullit mistik që është në të vërtetë çdo teqe apo çdo tyrbe. …Në pragun e një teqeje, çdo njeri e ndjen edhe nëse nuk e kupton sensin e thellë të këtyre fjalëve të Fletores së Bektashinjve: “Bektashiu nuk përbuz asnjë besim, por i respekton të gjithë, siç respekton të gjithë librat e mësimet mbi jetën e përtejme”.Nën këtë kube e nën këto qiparisa, në këmbët e Haxhi Bektash Veliut e nën vështrimin e Naimit, i krishteri, ortodoksi, katoliku apo ungjillor qoftë, është në shtëpinë e vet, po aq sa është myslimani synit, çdo besimtar, por edhe jo besimtar, çdo filozof, por dhe çdo i panxënë, çdo njeri, dhe deri çdo ateist i thekur. Nën këtë muzg që po bie dhe nën siluetën e këtyre qiparisave, në praninë e kaq shumë njerëzve nga të katër cepat e Shqipërisë por dhe në praninë kaq domethënëse të këtyre shtegtarëve të “Lutjes për Paqe”, nga të katër anët e botës, nuk ka sesi të mos përulemi të gjithë përpara muzgut të jetës së Baba Reshatit. Sepse me synim përafrimin dhe bashkimin, ai në fakt përmes gjithë kësaj pranie vuri në vend një borxh shpirtëror dhe moral ndaj etërve të tij bektashinj. Sot ky është një borxh përfundimisht dhe plotësisht i shlyer. Na lejohet që sot, të jemi krenarë, qoftë edhe një moment të vetëm, për këtë tempull të ri t? ? bashkëjetesës, i cili, qoftë edhe sot për një natë, është bërë streha e madhe e Shqipërisë, mali Tomorr i Aliut dhe Shën Elisë mes nesh. Me këtë faltore, gdhendet në gur të punuar e të fisëm, porosia e madhe e bektashizmit e cila shkrihet në një me atë të rilindësve tanë të mëdhenj:“Së bashku më krerët dhe fisnikët, të inkurajohet dashuria, vëllazëria, bashkimi dhe miqësia mes të tërë shqiptarëve; të mos ndahet kurrë myslimani nga i krishteri dhe i krishteri nga myslimani, por së bashku të punojnë. Së bashku të udhëtojnë drejt dritës së pasosur, që Shqiptari, në tërë botën i shquar për diturira, kurrë të mos përpihet nga errësira!”

Vlerësime të personalitete për Odeonin
Që nga dita e përurimit, vlerësimet për cilësinë dhe pasurinë e odeonit bektashian, prezentë në atë përurim, në medie të vendit e botës, në librat e përshtypjeve të odeonit, kanë qenë të shumta. Ja disa fragmente:

Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar: “..Ndjehem i nderuar që marr pjesë në përurimin e kësaj foltorje madhështore, ku besimtarët myslimanë të Komunitetit Bektashian, kanë vite që e presin. Faltorja është një institucion fetar dhe si e tillë ruan një rol të rëndësishëm në zhvillimin kulturor të botës së brendshme të njeriut. Në faltore, besimtari arrin të pastrohet dhe të bëhet i devotshëm. Prandaj qëllimi kryesor i ndërtimit të saj, është humanizmi dhe devotshmëria e njeriut..!”

Papa Francesku (Telegram i lexuar nga  Shkëlqesia e Tij, Igles Urime, me urimet e Papa Franceskut për Kryegjyshin Botëror Bektashian, përurimin e odeonit dhe rolin e bektashizmit për harmoninë fetare dhe paqen.)

Anastas, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë: “…Një pamje që të imponon shumë. Një shtëpi e bektashinjve dhe e çdo besimtari që shtyhet në trajtat sufiste të dashurisë njerëzor. Urime të gjithëve, sidomos Kryegjyshit të sotëm Dede Mondit. Urime dhe atyre që punuan për muzeun dhe mjediset e tjera të faltores, duke u prirur në dhënien e koncepteve sa më të qarta të rrugës se si ka lindur ky besim dhe si ka ardhur ai deri në ditët që jetojmë sot. Por unë do desha të vlerësoj dhe mikun tim të vjetër e të paharruar, Dede Reshat Bardhin, me të cilin u lidha ngushtë që në vitin 1991, atëherë kur po ringjallnim fenë e shkatërruar… Sidomos, më kanë mbetur në kujtesë , ditët e vështira të vitit 1997, kur na duhej të mblidheshim së  bashku shpesh herë për të marrë vendime unanime, për të hartuar dhe miratuar deklarata paqeje, duke iu ardhur në ndihmë besimtarëve të ndryshëm…”

Anxhelo Masafra: “..Është sit ë thuash një mrekulli. Ka dashur Zoti, prandaj na  eka dhuruar ne bijve të tij në tokë.  Çdo vullnet i Tij, gjen shprehjen e vet më të mirë në ato vende ku njerëzit lindin, rriten dhe udhëtojnë jetën e tyre fizike, me dëshirën për t’iu afruar sa më shumë Atij… Edhe një herë ju lumtë Dede Edmond Brahimaj. Keni ngritur një godinë unike që I ka munguar bektashinjve të gjithë botës…!”

Recep Tayyip Erdogan , Presidenti i Turqisë: “Ne ju shikojmë si përfaqësues në Ballkan të Haxhi Bektash Veliut. Këto troje me edukim, durim dhe vuajtje janë djegur në zjarrin e shkencës dhe të dashurisë, të monumenteve të shkencës dhe dijes siç është Haxhi Bektash Veliu. Unë kujtoj me vlerësim dhe respekt luftën që keni zhvilluar në shekuj për të ecur në rrugën e Haxhi Bektash Veliut, për të mbajtur të gjallë trashëgiminë e tij. Besoj se faltorja do të kryejë një detyrë tepër jetike për transmetimin e këtyre mesazheve brezave të ardhshëm. Dëshiroj të theksoj se ne si Turqi zemrën e kemi gjithmonë të hapur për Komunitetin Bektashian në Shqipëri dhe se do të vazhdojmë edhe në të ardhmen mbështetjen tonë. Në emrin tim dhe popullit tim, ju shpreh konsideratë juve vëllezërve të vyer bektashi dhe nëpërmjet jush i përcjell gjithë popullit shqiptarë dashurinë dhe përshëndetjet më të përzemërta”.

Ish kreu i Kuvendit, Ilir Meta: “… Ta gëzojmë të gjithë bashkë këtë tempull dashurie. Ky investim i bektashinjve, është një mrekulli arkitekturore dhe njëkohësisht shpirtërore. Përgëzoj Kryegjyshin Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për përfundimin e këtij tempulli të veçantë në Shqipëri, Ballkan e më gjerë..!”

Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani: “Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka dhënë dhe vijon të japë kontributin e saj të çmuar në krijimin dhe pasurimin e tolerancës, bashkëjetesës, paqes sociale, qetësisë shpirtërore, urtësisë, dialogut dhe respektit njerëzor, elemente kaq të rëndësishme për shoqërinë tonë, por dhe padyshim, për mbarë rajonin dhe realitetin ku jetojmë…Përurimi i Odeonit është një ngjarje e veçantë. ..Tek kjo faltore qendrore bektashiane, shprehja “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut” trupëzohet më së miri duke gjetur vendin që meriton!

Piktori i famshëm Omer Kaleshi: “…Jam i mrekulluar dhe i dashuruar njëkohësisht me këtë vepër që është bërë, me këtë tempull të bektashizmit. Jam i gëzuar dyfish, pasi ky tempull është në tokën time, në tokën e shqiptarëve. Përgëzoj gjithashtu dhe specialistët për mjediset funksionale e kompletimin e tyre, si muzeu, biblioteka, arkivi etj… Unë kam premtuar dhe do sjellë një ekspozitë, do ja fal Kryegjyshatës..!”

Robert Elsie, studiues: “… Gjëra të tilla, do i kishte zili çdo vend, çdo komunitet. Kjo faltore dhe mjediset e saj, do të jenë një qendër e rëndësishme, për pasurimin dokumentar të historisë së bektashizmit. Jam i emocionuar dhe tejet i interesuar për të bashkëpunuar dhe nxjerrë në dritë këtë punë të bërë dhe historinë e besimit të paqtë bektashian në Shqipëri e kudo në botë..!

SOM 1
Dede Edmond Brahimaj: Ndërtimi i foltores, ishte një dëshirë e përpjekje e herëshme e klerikëve bektashianë, i dede Ahmetit, dede Reshatit, vepër të cilën me ndihmën e Zotit e mbështetjen zyrtare e besimtarëve, ne mundëm që ta realizojmë dhe ta pasurojmë atë më tej, nga dita në ditë. Ndaj sot, nga ora 09:00 e në vazhdim, në Selinë e Shenjtë Bektashiane, ka vizita dhe pritje në kuadër të 5 vjetorit të përurimit të Odeonit. Njëkohësisht, gjatë ditës do të ketë një sërë aktivitetesh si, ekspozita fotografike, film dokumentar kushtuar ndërtimit dhe pajisjes së kompleksit shpirtëror e kulturor, vizita në muze, bibliotekë, arkiv etj”

SOM 2
Kryeministri Edi Rama: Këtu janë vërtet, në të 12 cepat e faltores, 12 imamët, emrat e të cilëve, ndonëse mund të tingëllojnë të huaj, janë për shqiptarët jehonë e 12 virtyteve njerëzore. Shqipërisht i përcolli tek ne, në kujtesën e përbashkët, Naim Frashëri, në të pavdekshmen Fletore të Bektashinjve, këtë Kuran e Bibël të dytë të “besës sonë të shenjtëruar”, duke radhitur krah tyre, 12 shtylla të udhëtimit shpirtëror: të vërtetën, drejtësinë, inteligjencën, urtësinë, vëllazërinë, dashurinë, miqësinë, humanizmin, besimin, atdhedashurinë, përvujtarinë dhe zemërgjerësinë”

SOM 3
“Recep Tayyip Erdogan: Ne ju shikojmë si përfaqësues në Ballkan të Haxhi Bektash Veliut. Këto troje me edukim, durim dhe vuajtje janë djegur në zjarrin e shkencës dhe të dashurisë, të monumenteve të shkencës dhe dijes siç është Haxhi Bektash Veliu. …Dëshiroj të theksoj se ne si Turqi zemrën e kemi gjithmonë të hapur për Komunitetin Bektashian në Shqipëri dhe se do të vazhdojmë edhe në të ardhmen mbështetjen tonë. Në emrin tim dhe popullit tim, ju shpreh konsideratë juve vëllezërve të vyer bektashi dhe nëpërmjet jush i përcjell gjithë popullit shqiptarë dashurinë dhe përshëndetjet më të përzemërta”.

Njoftim
Kryegjyshata Botërore Bektashiane me Selinë Tiranë, bën me dije, se sot, e hënë 7 shtator 2020, nga ora 09:00 e në vazhdim, ka vizita dhe pritje në kuadër të 5 vjetorit të përurimit të Odeonit. Njëkohësisht, gjatë ditës do të ketë një sërë aktivitetesh si: Ekspozita fotografike, film dokumentar kushtuar ndërtimit dhe pajisjes së kompleksit shpirtëror e kulturor, vizita në muze, bibliotekë, arkiv etj.

Jeni të ftuar të merrni pjesë.

KRYEGJYSHI BOTËROR I BEKTASHINJVE,
HIRËSIA E TIJ,
HAXHI BABA EDMOND BRAHIMAJ