Historia tetëshekullore e besimit të paqtë bektashian, trashëgimia shpirtërore e kulturore e tij, predikimi për paqe, bashkëjetesë ndërfetare e harmoni, adhurimi në Zot dhe dashuria vëllazërore pa dallim besimi fetar, etnie, race e ngjyre, përherë e më shumë por gjen mbështetje, duke ngjallë dhe interesin e studiuesve të njohur botërorë. Kështu, dhe historia dhe trashëgimia bektashiane në trevat shqiptare, përherë ka tërhequr vëmendje mbarëkombëtare. Ndër dekada, teqetë bektashiane kanë qenë vatra mikpritjeje për studiues të ndryshëm por edhe gazetarë të shumtë. Interesim të madh, sikur në të kaluarën, ashtu sot, zgjon parimi bektashian për të grumbulluar dije, për ta arkivuar atë në biblioteka e arkiv, për ta ruajtur për gjeneratat e ardhshme dhe për ta shpërndarë sa herë të ketë nevojë.
Të martën e tretë të qershorit 2022, Teqenë Bektashiane të Gjakovës e vizitoi gazetarja amerikane Nina Strochlic, nga media e njohur ndërkombëtarisht, ‘National Geographic’. Ajo ishte e shoqëruar nga profesori universitar e studiuesi, Prof. Dr. Nehat Krasniqi. Vizitorët u pritën sipas traditës, me dashamirësinë e dervishit të Teqesë së Gjakovës, Dervish Rrauf Radoniqi, i cili u transmetoi miqve përkujdesjen e Selisë së Shenjtë Bektashiane, Kryegjyshit Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj për evidentimin, pasurimin e ruajtjen e vlerave bektashiane, duke u ndalur dhe në detaje tek historiku i teqesë së lashtë të Gjakovës. .
Gazetarja nga Shtetet e Bashkuara, u interesua për historinë bektashiane në Gjakovë dhe përgjithësisht në Kosovë. Pati interesim të veçantë për të ditur fatin e Bibliotekës së dikurshme të Teqesë së Gjakovës, që dukshëm ka fituar famë botërore, por që ka pasur fatin e keq që të digjet e shkatërrohet në luftën e vitit 1999. Gazetarja e National Geographic, u njoftua me rregullat fetare bektashiane, kuptoi për historinë e Teqesë së Gjakovës në luftën e Kosovës, djegien e ringritjen e saj, fotografoi e mori shënime përderisa dervish Rraufi i shpjegonte. Gazetarja Strochlic pyeti për mënyrën e ruajtjes së përkthimit të Baba Qazim Bakallit, të veprës “Divani i Shamsi Tabrizit” të Rumiut; ajo bashkëndjeu fatkeqësinë e shkatërrimit të dorëshkrimeve të vyera e kaq të çmuara që u dogjën nga ushtria serbe më 1999, kur u dogj Teqeja, Biblioteka dhe Tyrbeja e baballarëve bektashianë në Gjakovë. Dervishi i Teqesë së Gjakovës, konfirmoi për medien amerikane përkujdesjen e vazhdueshme të Selisë së Shenjtë Bektashiane, përkatësisht të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për ekokimin e vlerave të historisë tetëshekullore të bektashizmit, në hapësirat mbarëshqiptare e kudo në botë ku punojnë e jetojnë komunitete bektashianë, për bashkëjetesë fetare, paqe, mirësi e dashuri vëllazërore. Në këtë aspekt, pasurimi i kësaj biblioteke, ka qenë dhe mbetet përparësi. Gjithashtu, ai i dhuroi gazetares amerikane librin e Baba Qazimit, me përkthimin e “Divanit...” të Rumiut.
Ndërkohë, studiuesi i historisë me specializim të veçantë për orientalizmin, Prof. Dr. Nehat Krasniqi, kujtoi vitin 1991 kur kishte vizituar Teqenë e Gjakovës. Ai u shpreh se atë botë ishte mrekulluar me pasurinë e Bibliotekës së Teqesë së Gjakovës. Kujtoi se sa shumë libra e vepra të ndryshme e kishin shtëpi këtë bibliotekë. Përmendi se kishte shfletuar dorëshkrime të shumta të baballarëve bektashianë, shkrime në gjuhën shqipe, në atë turke, e në gjuhën perse, vepra që kurrë nuk i kishte parë në vende të tjera. Studiuesi Krasniqi e quajti humbje të jashtëzakonshme dhe pasuri të humbur e të pakthyeshme, shkatërrimin e bibliotekës së Teqesë Bektashiane të Gjakovës.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, gazetarja e kësaj media të famshme ka vizituar objekte të ndryshme laike dhe fetare, dhe është interesuar për historinë e vendit përgjithësisht, veçanërisht për ruajtjen, arkivimin dhe mbrojtjen e literaturës, bibliotekave e trashëgimisë fetare para dhe gjatë luftës në Kosovë. Gjetjet e saj, në një të ardhme të afërt do të publikohen në gazetën amerikane National Geographic.
Kujtojmë se Teqeja Bektashiane e Gjakovës, përfshirë Bibliotekën dhe Tyrben, u dogj e shkatërrua nga Ushtria e serbe më 7 maj 1999. Pas luftës, Komuniteti Bektashian rindërtoi së pari Tyrben, dhe dy dhoma sa për të kryer shërbesat dhe pritjet. Më tej, më 2007, u rindërtua objekti i Teqesë së Gjakovës. Më 14 korrik 2022 shënohet përvjetori i 15-të i rindërtimit të kësaj Teqeje, që shtë selia e Komunitetit Bektashian të Republikës së Kosovës.
Përgatiti:
Lorik BAKIA
Gazetar, Prishtinë