Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbësit!
Të nderuar vëllezër e motra të familjes sonë të madhe myslimane!
Të nderuar vëllezer e motra të tarikatit bektashian, të kudondodhur në botë!
Ndonëse agjeruam në vetminë e madhe prej pandemisë botërore, këto tridhjetë ditë kaq të vlefshme, nuk na ndanë dot nga njëri-tjetri. Lutjet tona në agjerim i’u drejtuan Zotit të Lartë dhe çdo lloj vetmie e jona, shpërbëhet përpara vëmendjes së Tij. Duke qenë të sinqertë në çdo lloj agjerimi, ndaj Tij, në të vërtetë zërat tanë në momentet e lutjeve, janë ngjitur shumë lartë, në majat më të eperme të ndergjegjes hyjnore.
Të gjithe ne, në keto ditë të Ramazanit, kemi synuar Takvane, kemi synuar te ngjitemi shkallë-shkallë përmes mirësive të agjerimit, në ata sheshe xheneti, ku adhurimi për Krijuesin ndodhet me nderimin për mësimet e Kuranit të Ndritur, të librave të Shenjtë, të udhezimeve të Pejgamberit dhe të dymbedhjete Imameve.
Në të vërtetë e kemi ndjerë edhe brenda vetes sonë se në momente të tillë sublime, jemi larguar më shumë prej gjerave të pandershme të kësaj bote, prej mërzive dhe mërive të verbëra, kujtoj këtu fjalët kuranore:
“Ata që kanë frikë Zotin, janë të afermit dhe të dashurit e Tij, ata janë më të ndershvm se gjithëkush, janë te pastruar dhe të larë nga ana e Tij, atyre u falen fajet dhe të metat dhe u çelen dyert e begative, në atë mënyrë që nuk e imagjinojnë dot, atyre u behet udhëheqës Kurani dhe u largohet çdo ligësi nga sytë… vetëm atyre u pranohen punët dhe veprat e mira”.
Prandaj edhe njehere vëllezër te mi, gëzuar ditën e bekuar të Fiter Bajramit!
Le të jemi bashkë si gjithnjë në udhëtimin tonë të përjetshëm drejt mirësive të Zotit dhe Haxhi Bektash Veliut!
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin
Me dashuri,
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve
Shenjtëria e Tij
Haxhi Dede Edmond Brahimaj