Në Vlorë, në qytetin ku më 28 nëntor 1912, Isamil Qemali ngriti flamurin shqiptar duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur, u organizua sot, më 28 nëntor 2022, ceremonia festive për këtë ditë.
Në këtë event të shënuar për ngritjen e flamurit, mori pjesë edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj; Kryeministri i Shqipëri, Edi Rama; Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti; Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj; Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani; Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli ambasadorë, intelektualë, përfaqësues të besimeve fetare dhe qytetarë të shumtë të ardhur nga e gjithë bota.
Nga sheshi i flamurit, Kryegjyshi shprehu bekimin dhe urimet më të përzemërta me rastin e këtij 110 vjetori të Pavarësisë, Ditës së Flamurit, me dëshirën që të jetojmë përherë të bashkuar, në harmoni me njëri-tjetrin, duke kujtuar me krenari të kaluarën, duke mbrojtur të tashmen, dhe duke ndihmuar të ardhmen.
28 Nëntori i vitit 1912, nuk ishte thjesht një akt i rastësishëm, në këtë datë të caktuar historike! Ishte vulosje e të arriturave tona si komb, në rrugën e vështirë të lirisë.
Le të përulemi me nderim para veprës së ndritur të Ismail Qemalit dhe Etërve të Pavarësisë, që 110 vjet më parë themeluan shtetin modern duke patur për ideal të shenjtë Atdheun.
Deviza bektashiane mbetet: “Pa Atdhe nuk ka Fe”