Dita e sotme është një ngjarje madhore në historinë e Kosovës dhe kombit shqiptar, 14-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Kjo ngjarje ka lënë gjurmë të pashlyer për brezat e sotëm dhe ato që do vijnë.
Përgëzimeve dhe urimeve të sinqerta në këtë ditë të shënuar, i bashkohet edhe urimi dhe bekimi i Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili Ju uron të gjithë shtetasve të Kosovës por edhe të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, gëzuar këtë ditë të bekuar të pavarësisë së Kosovës!
Në këtë ditë, ashtu siç në çdo ditë e brez pas brezi, kujtojmë dhe përulemi me nderimin dhe mirënjohjen me të thellë, para luftëtarëve, intelektualëve, veprimtareve, bijëve dhe bijave të kombit tonë që dhanë jetën për ta gëzuar këtë ditë.
Në përvjetorin e katërmdhjetë të pavarësisë, kemi nderin, krenarinë dhe gëzimin ti urojmë popullit të Kosovës lumturi e prosperitet.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.
Momenti historik i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës
Të dielën e 17 shkurtit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë. Nga ai moment, Kosova u shpall e pavarur, duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore brenda Ballkanit Perëndimor.
Ndiq videon më poshtë për ta parë momentin e shpalljes së Pavarësisë.