Gjakovë, e martë, 27 korrik 2021. Përkujtim ngjarjesh historike, promovim libri dhe ekspozitë

Ditën e djeshme, mjediset e teqesë së njohur të Gjakovës pritën klerikë, personalitete fetarë e shtetërorë, deputetë, historianë e besimtarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia Veriore etj, në një sërë aktivitetesh në përkujtim të ngjarjeve të rëndësishme historike e kulturore, organizuar nga Selia e Shenjtë Bektashiane Tiranë dhe gjyshata bektashiane e Gjakovës. Aktiviteti, siç ishte paralajmëruar dhe në mjetet e shumta informative të hapësirave mbarëshqiptare, nisi në orën 11:00 të paradites së 27 korrikut 2021, për të vazhduar deri në orët e vona të së njëjtës ditë.  Aktivitetet e kësaj dite përfshinin: Përkujtimin e 30 vjetorit  të ringritjes së bektashizmit, rihapjes së Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë; 231 vjetorin e themelimit të teqesë historike të Gjakovës; 6 mujorit të ndarjes nga kjo jetë baba Mumin Lamajt; promovimin e albumit fotografik për ish-Kryegjyshin Botëror Bektashian, Dede Reshat Bardhi; promovimin e librit “Haxhi Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit” i autorëve Nuri Çuni e Kujtim Boriçi dhe, përurimin e ekspozitës për historikun e bektashizmit në Kosovë.
Në këtë eveniment që u moderua nga gazetari Kujtim Boriçi,  merrte pjesë Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, klerikë bektashianë ngë Shqipëria, Kosova e Maqedonia Veriore, drejtues vendorë e deputetë të Kosovës, një grup historianësh e profesorësh të njohur nga Shqipëria dhe  besimtarë të shumtë.
Pas hapjes së aktivitetitm, ndjekjes së himnit kombëtar dhe shfaqjes një një dokumentari të shkurtër, fjala iu dha për të përshëndetur, Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili ndër të tjera theksoi: “…Si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, më lejoni t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë ditë të veçantë dhe lus Zotin e Lartësuar, të sjellë kurdoherë paqe e begati në familjet tuaja, në të gjithë trevat shqiptare, në të gjitha komunitetet bektashiane, kudo ku janë, anekënd botës! … Nuk është rastësi që ne sot zhvillojmë një sërë aktivitetes në teqenë e lashtë të Gjakovës, e cila mbart në vetvete vlera të veçanta fetare të historisë së bektashizmit, vlera kulturore, historike e atdhetare.  Në ditë të tilla gëzimi dhe krenarie të ligjshme, të qenit pranë njëri-tjetrit, më tepër se një traditë e tarikatit tonë, është një thirrje e brendshme për të bashkëndarë çdo emocion, çdo kujtim, çdo histori sakrificash, që na kanë lidhur në udhëtimin tonë të përbashkët në udhën e Hakut.  Në këtë kontekst, 10- vjetorin e zgjedhjes sime në postin e lartë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, e konsideroj një event për të gjithë ne, klerikë e besimtarë bektashianë, i cili duke rritur dimensionet e një gëzimi të natyrshëm, na fton në të njëjtën kohë të ndajmë së bashku edhe përgjegjësinë historike që mbajmë mbi supe. Askush nga ne nuk e ka harruar faktin që Qendra Botërore Bektashiane, u vendos në Shqipëri 9 dekada më parë dhe përgjegjësia më e madhe, e imja personalisht, por edhe e krejt vëllezërve të mi klerikë bektashianë, ishte të ecnim në gjurmët e paraardhësve tanë, duke iu përgjigjur kohërave dhe fatit historik. Kur flas për “ecjen në gjurmë të paraardhësve”, kam parasysh dëshmorin e atdheut, Sali Niazi Dede, i cili sakrifikoi edhe jetën “për fenë e atdheun”, duke dëshmuar kauzën e lirisë me të cilën është mbrujtur tarikati bektashian. I ndjekur paskëtaj nga: Ali Riza Dede, Kamber Ali Dede, Xhaferr Sadik Dede, Abaz Hilmi Dede, Ahmet Myftar Dede dhe deri tek myrshidi im dhe i juaji, tek miku i madh për të gjithë ata që e patën njohur, Haxhi Dede Reshat Bardhi. Allahu i Lartësuar e Shenjtëroftë misterin e tyre. Sot dhe në vitet që do vijnë, vepra e baba Reshatit, do të shndritë si  një gur i rëndë në godinën madhështore të tarikatit bektashian. Largësia në kohë, jo vetëm që nuk do venitë shembëllimin hyjnor të tij, por përkundrazi, do ta kemi pranë në çdo punë të mirë tonën, në çdo hidhërim e gëzim, nga teqeja më e largët e Azisë, deri në hapësirat e pamata të Lindjes Evropiane, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Prania e tij shpirtërore, e kudondodhur në teqetë tona, lidhet jo thjesht me fjalët dhe porositë e tij, por me forcën dhe durimin që ai përballoi në 70 vitet e tij dhe sidomos, me frymën shpirtërore me të cilën na bekoi.
Të nderuar të pranishëm! Eventi i sotëm, në asnjë rrethanë nuk mund të jetë vetëm i imi personalisht. Çdo arritje e jona në këtë dhjetëvjeçar, në çdo aspekt, shpirtëror, ndërtimor, organizativ, etj, është një gëzim i përbashkët, me krejt ata besimtarë brenda dhe jashtë Shqipërie, të cilët kanë qenë dhe mbeten nxënësit dhe mësuesit tanë. Një falënderim i veçantë shkon sot, për vëllezërit e mijë, klerikë bektashianë, këtu në Gjakovë, në gjithë Kosovën, Maqedoninë Veriore, Shqipëri e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me të cilët, së bashku jemi përballur me lloj-lloj sakrificash por ja kemi dalë. AND-ja e tarikatit tonë është dashuria e Zotit dhe e vëllait që ke në krah, qoftë ky i barkut apo i Hakut, ndaj kemi qenë dhe mbetemi të bashkuar në çdo sprovë, të vetëdijshëm për këtë mision deri në amshim. Ajo që unë ju siguroj sot, në cilësinë e Kryegjyshit Botëror Bektashian, është pikërisht se të bashkuar në dashurinë tonë për Haxhi Bektash Veliun, së bashku me këta klerikë, vëllezër prej Haku, do të dimë të ecim në gjurmët e arta të paraardhësve tanë, për të qënë kurdoherë në lartësitë morale të përgjegjësisë historike. Selia e Shenjtë Bektashiane ka një mision të lavdishëm ndonëse tepër të vështirë, por kjo nuk na tremb. Përkundrazi shërben si një lloj thirrje për frymëzime të reja dhe për të përmbushur sa më mirë misionin që na caktoi Zoti dhe koha fizike. Ne do të mbetemi jetë e mot, simbol i urtësisë dhe paqes, në të mirë të besimit që i përkasim dhe vlerave më të vyera të shoqërisë njerëzore. Edhe një herë ju faleminderit të gjithëve! Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja! Amin!”
Në vazhdim, myhibi më i vjetër i teqesë së Gjakovës, Brahim Rama, foli për historikun 231 vjeçar të teqesë së Gjakovës, ndërsa pas tij, proefsorr Agim Jaha solli kujtimet e tij për personalitetin dhe kontributin e dhënë nga baba Mumin Lama, i ndarë nga jeta gjashtë muaj më parë.
Profesor Bernard Zotaj, ‘Mjeshtër i Madh’, në fjalën e tij u ndal shkurtimisht, kryesisht në vlerat e dy promovimeve të kësaj dite, albumit fotografik kushtuar dede Reshat Bardhit dhe librit “Haxhi Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”. Ndër te tjera, Profesor Zotaj, theksoi: “I nderuar Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj! Të nderuar pjesëmarrës në këtë aktivitet të rëndësishëm, që zhvillohet këtu në teqenë e Tetovës, objekt bektashian që ka rrezatuar e rrezaton për më shumë se afro dy shekuj e gjysmë shembullin e adhurimit për Zotin, dashurinë e pakufishme për atdheun, për gjuhën e bukur e arsimin shqip, si dhe përpjekjet sistematike për më shumë paqe, dashuri e respekt mes njerëzve, pa dallim race, ngjyre apo besimi fetar! Nuk dua të zgjatem shumë në fjalën time, por dua të përmend shkurt disa nga vlerat që sjellin dy promovimet në këtë aktivitet: Albumi fotografik “Dede Reshat Bardhi” dhe libri “Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”, me autorë miqtë e mijë, Kujtim Boriçi e Nuri Çuni.  Albumi, për mendimin tim, nuk është thjeshtë një renditje kronologjike ngjarjesh në foto, për një periudhë 30 vjeçare që nis pas vitit 1990, kur me ndryshimin e sistemit, u fitua e drejta e besimit fetar, por një dokument historik për një periudhë të rëndësishme në rrugën 800 vjeçare të bektashizmit, ku roli i ish-Kryegjyshit Dede Reshat Bardhi, është parësor. Ndërsa përzgjedhja e fotove dhe profesionalizmi në strukturë e paraqitje, ia shtojnë më shumë vlerat. Ndërsa libri voluminoz “Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”, për mua, është vazhdimësi e po asaj rruge, ku Kryegjyshi Botëror aktual, ka drejtuar e vazhdon ta drejtoj Selinë e Shenjtë me përkushtimin e klerikut, intelektualit dhe atdhetarit.  Mendoj se analiza e këtij libri kërkon një studim më të detajuar, por dua të evidentoj faktin se shfrytëzimi profesional i materialit të bollshëm arkivor, struktura e vetë librit dhe materiali në tërësi, shërbejnë dhe si dokument për sot dhe brezat që vijnë, si një bazë informimi për kontributin e bektashizmit e klerikëve të këtij besimi, në Shqipëri e mbarë botën, të cilët në çdo etapë të historisë, ka qenë e mbetet në kahjen e duhur. Së fundi, nisur nga ky aktivitet e të tjerë në vijimësi, dua të prek rolin e padiskutueshëm si fetar e intelektual të Dede Edmond Brahimajt, në drejtimin e Selisë së Shenjtë Bektashiane.  Urime autorëve për këto paraqitje me vlerë! Urime dhe organizatorëve të tij! Faleminderit!”.
Ndërsa studjuesi Ferit Fixha, nga Tirana, ndër të tjera, theksoi: “Shpreh kënaqësinë që të jemë i pranishëm sot këtu, në këtë event që përmbanë në vetvete disa përqasje që lidhen me rrezatimin e bektashizmit tetë shekullor këtu në Gjakovë, Kosovë e më gjerë; rolit që kanë luajtur e luajnë klerikët bektashinj, që ky besim i paqtë që mbësheçet në parimin “Pa atdhe, nuk ka fe”, të gjejë përditë e më shumë, shtrirje numerike dhe gjeografike.
Në këtë kohë që kam në dispozicion, më lejoni që të shpreh shkurt disa mendime në këtë event të rëndësishëm, në promovimin e kësaj monografie interesante të autorëve të spikatur në publicistikën shqiptare Kujtim Boriçi e Nuri Çuni, kushtuar Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, si pasardhës i denjë i Haxhi Dede Reshat Bardhit, i cili ringriti bektashizmin pas vitit 1990 dhe bërë ringjalljen shpirtërore të bektashianëve në Shqipëri dhe nëpër botë. Si i 39-i udhëheqës i bektashizmit në periudhën 800- vjeçare dhe, i 9-ti Kryegjysh shqiptar, Dede Edmond Brahimaj, që i përket elitës së kësaj udhëheqësie, vjen në këtë botin ku reflektohen njohuritë, përkushtimi, veprat, studimet, fjalimet, mesazhet e tij fetare e atdhetare, të gdhendura në shpirtin dhe memorjen e besimtarëve të këtij besimi të paqtë dhe mbarë njerëzimit.
Ai sot njihet si urë lidhëse shpirtërore ndërfetare jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. Mjafton të përmendim marshimin e harmonisë të përfaqësuesve të besimeve fetare shqiptare në Paris, si një rast i rrallë, unikal e rrezatues për harmoninë dhe paqen e njerëzimit. Ndaj në bulevardin e Parisit ushtruan thirrjet dashamirëse, emocionuese: “Baba Mondi, Baba Mondi!”
Haxhi Dede Edmond Brahimaj mishëron vlerat më të larta të besimit bektashian të 800 milionë besimtarëve në Botë, si posedues i dashurisë së madhe për këtë besim, si vizionar për kohën, si vëllazërues në diversitetin harmonik të besimeve të ndryshme fetare. Manifeston vizion Perëndimor jo vetëm  brenda shoqërisë shqiptare, por edhe në atë ndërkombëtare, ndaj është bërë shpesh pjesëtar i podiumeve e takimeve ndërkombëtare, i konferencave ndërfetare dhe është vlerësuar me çmime prestigjoze si “Ambasadori i Paqes”, etj. Është pritur me ngrohtësi e respekt nga klerikët më të lartë si Papa etj dhe nga personalitete të larta shtetërore, akademike, kulturore e shkencore.Në Shqipëri është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” në disa qytete, me Urdhrin e Lartë “Kalorësi i Skënderbeut” etj. Aktualisht, duke qenë kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, ky këshill është nderuar me medaljen e lartë “Nderi i Kombit”. Bektashizmi përfaqëson një besim emancipues, përparimtar, spiritualist. Sipas Naim Frashërit, rilindasit të shquar shqiptar dhe poetit të madh kombëtar, që shkroi “Fletorja e bektashinjve” dhe “Qerbelaja”, që ndërtoi simbiozën kulturore, fetare dhe atdhetare, duke i dhënë fizionominë atdhetarizmit shqiptar: “… Në ke shpirtmirësinë/ Ta dish që ke Perëndinë”. … Robert Elsie, shkruan: “Pa bektashinjtë, Shqipëria nuk do të ishte kjo që është sot”. Për bektashizmin, kanë shkruar shumë studiues të huaj: Max Choublier, Gabriel Luis-Jaray, Frederik Hasluck, Justin Godard, Margaret Hasluck, Franz Babinger, John Kingsley Birge etj. Në hartimin e kësaj monografie plot vlera, autorët kanë shfrytëzuar dokumente arkivore, dëshmi mediatike, pamje filmike, albume origjinale fotografish. I kanë pasqyruar në libër, bukur estetikisht, strukturuar me profesionalizëm, shprehur me ndjenjë e nivel artistik. Në ‘të, vijnë natyrshëm të gërshetuar e të pandarë, roli i pazëvendësueshëm dhe kontributi i çmuar i Dede Reshat Bardhit në ringritjen e bektashizmit, hedhjen e hapava dhe punën që bën Dede Edmond Brahimaj për konsolidimin e çuarjen përpara të kësaj tradite të vyer. Në faqet e këtij libri evidentohet e vërteta historike e aktivitete me vlera të bektashizmit në ditët e sotme, që padyshim, do të shërbejnë në edukimin e formimin e brezave të sotëm e të ardhshëm. Nuk është monografi e një protagonisti, por një monografi e hapur për mistikën, humanizmin e spiritualizmin e këtij besimi fetar, bashkëkohor e demokratik, frymëzuar nga udhëheqësit e tij fetarë të 800 vjetëve, me devizën, thënien lapidare të profetit Muhamed (aleqym selam): “Pa atdhe nuk ka fe”. Mendoj se nuk jam emocional kur shprehem se ky libër është një ndër perlat e kolonës së botuar në shqip deri më sot në këtë fushë, i cili qëndron dinjitoz krahë librave “Bektashinjtë shqiptarë” të Robert Elsie, “Mistiçizma Islame dheBektashizma” të Baba Rexhepit e ndonjë tjetri. Urime Kryegjyshit Botëror në misionin e tij fisnik! Urime dhe dy autorëve, Nuri Çuni e Kujtim Boriçi për këtë libër me vlera të veçanta!”
Folën në vijimësi klerikët bektashinj nga Maqedonia e Veriut e nga Kosova, profesor  Zaho Golemi nga Shqipëria; Dr. Arben Sulejmani nga Maqedonia e Veriut; Ruzhdi Sefa, Kryetar i Shoqatës “Jakova” në Gjakovë; Saranda Hyseni, drejtoreshë për kulturën në Komunën e Gjakovës; studjuesi Parim Kosova, Drejtor i Muzeut të “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”; kineasti i njohur Kreshnik Harshova nga Shqipëria etj…
Vlerësime për aktivitetin dhe rolin e bektashizmit si besim i paqtë, bënë dhe deputetët e Parlamentit të Republikës së Kosovës, Jahja Koka dhe Teuta Haxhi. Ata, i premtuan Kryegjyshit Botëror Bektashian, mbështetjen dhe angazhimin e tyre, për zgjidhjen e disa problemeve që kanë institucionet bektashiane në Kosovë, veçanërisht mbështetja ligjore në këtë aspekt.
Me mjaft interes u ndoq nga të pranishmit, një ekspozitë profesionale me 30 stenda të vendosura në hapësirat e teqesë, lidhur historikun e bektashizmit në Kosovë, përgatitur nga Nuri Çuni.
Pjesë e këtij aktiviteti, ishte dhe dhënia e disa certifikatave mirënjohje, nga Dede Edmond Brahimaj, për disa klerikë dhe intelektualë që kontribuan në ideimin e  përgatitiej e eventit dhe mbështetjen që ata i japin në vijimësi bektashizmit.
Para drekës tradicionale bektashiane, Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj, zhvilloi një bashkëbisedim të gjatë produktiv, me deputetët e zyrtarët e pranishëm, grupin e profesorëve të ardhur nga Tirana e një grup intelektualësh të njohur nga hapësirat mbarëshqiptare.
E veçanta e këtij aktiviteti ishte jo vetëm pjesmarrja, por dhe hapësirat e konsiderueshme të pasqyrimit të tij në medien e shkruara, radiot e televizionet, në Kosovë, Shqipëri e më gjerë. Njëkohësisht, klerikë, autorët e librit dhe profesorë të pranishëm në këët event, u intervistuan nga radio e televizione të shumtë që përcollën aktivitetin.
Së shpejti, promovimi i librit kushtuar Dede Edmond Brahimajt dhe albumit fotografik për Dede Reshat Bardhin, do të bëhet dhe në Tetovë të Maqedonisë Veriore.

Përgatiti:
Lorik BAKIJA
Gazetar në RTV-21, Kosovë