Gjakovë. U organizua ceremonia e përcjelljes nga kjo jetë e baba Mumin Lama, kryetari i Komunitetit Bektashi të Republikës së Kosovës

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, drejton homazhet dhe ritualet bektashiane dhe vlerëson kontributin fetar e atdhetar të baba Mumin Lama. Arkivoli i klerikut Lama, u mbulua me flamurin kombëtar

Ditën e mërkurë, më 27 janar 2021, në mjediset e teqesë së njohur bektashiane të Gjakovës, nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, u bë ceremonia e përcjelljes nga kjo jetë, e baba Mumin Lamajt, kryetari i Komunitetit Bektashi të Republikës së Kosovës, i cili u nda papritur nga kjo jetë mëngjesin e një dite më parë. Në ceremoninë e përcjelljes dhe ritet e saj, që i kryesoi Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, morën pjesë klerikët bektashinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut; klerikë të besimeve të tjerë fetarë nga këto vende; drejtues lokal e vendorë të Kosovës; myhibë e qindra besimtarë. Trupi i klerikut të njohur baba Mumin Lama, ishte i mbuluar me flamurin kombëtar kuq e zi të shqiptarëve.
Ndërkohë, Kryegjyshi Botëror Bektashian, priti e bisedoi me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, të Parlamentit të Kosovës, drejtues të komunës së Gjakovës, ku ndër të tjera, u trajtua dhe nevoja që Parlamenti i Republikës së Kosovës, duhet që të njoh zyrtarisht me ligj komunitetin bektashi. Edhe Ardian Gjini, kryetar i komunës së Gjakovës, Ramush Haradinaj, por edhe shumë përfaqësues politikë dhe përfaqësues të institucioneve kulturore të qytetit, të cilët kryen homazhe për nder të klerikut të lartë bektashi, u shprehën se kjo është një çështje që do të shihet me përparësi nga institucionet ligjvënëse të Republikës së Kosovës dhe sigurisht ky është një detyrim moral që duhet ti bashkëngjitet punës dhe veprave me karakter kombëtar që la baba Mumin Lama. 

Fjalën e rastit në ceremoninë e përcjelljes, para qindra të pranishmëve, e mbajti Kryegjyshi, dede Edmond Brahimaj. Ndër të tjera, ai tha: “...Të nderuar besimtarë, të pranishëm sot në këtë ceremoni të përcjelljes nga kjo jetë të vëllait tonë, baba Mumin Lama! Vëllai jonë, kleriku Mumin Lama, e la botën materiale për t’u bashkuar me shpirtrat e pastër, duke lënë pas shembullin e devotshmërisë, përkushtimit në udhën e Haxhi Bektash Veliut, kontributin e çmuar fetar e atdhetar të besimit tonë të paqtë.  Baba Mumin Lama lindi më 1 qershor të vitit 1949 në Gjakovë, nga një familje e njohur e besimit bektashian. Në vitin 1987, ai pranohet myhib i baba Tajarit. Meqë shfaqi vlera të larta morale, kombëtare e fetare, në vitin 1993, babai Tajari, e gradoi Mumin Lamën ‘Dervish’. Pas kalimit nga jeta i baba Tajarit më 1994, anëtarët e Teqesë së Gjakovës, vendosën që prijësi i zgjedhur të jetë dervish Mumin Lama. Në vitin 1996, bazuar në rregullat e Tarikatit Bektashian, Baba Mumin Lama u emërua postnishin i teqesë së Gjakovës nga Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede baba Reshat Bardhi. Baba Mumini, u vu në krye të teqesë së Gjakovës, në kohëra të vështira për Kosovën. Dekada e 90-të e shekullit të 20-të, u veçua në histori për dhunën e gjithanshme të regjimit serb ndaj popullatës shqiptare; u mbyllën institucionet e shkollat. Por, baba Mumini,  duke njohur traditën bektashiane dhe atë të vetë teqesë që drejtonte, u angazhua që këtë tempull fetar ta kthejë në qendër për manifestime fetare-kulturore-artistike e historike, e njëkohësisht e dha teqenë për shkollë, për maturantët e gjimnazit të Gjakovës. Teqeja Bektashiane e Gjakovës, që drejtohej nga baba Mumin Lama, u bë objekt sulmi i ushtrisë së rregullt serbe, e cila e dogji atë më 7 maj 1999. Kështu, u shkatërruan relikte e artefakte me vlera të jashtëzakonshme, u shkrumbua biblioteka që mbante thesare nga e gjithë bota (shumë nga to ishin dorëshkrime perla që nuk kthehen më). Këtë fat, pati edhe tyrbja e baballarëve në Gjakovë.  Pas luftës në Kosovë, teqeja u rindërtua më 2007, me ndihmë nga Qeveria e Kosovës, financuar nga shtetet mike të vendit, si dhe nga të ardhurat e vetë teqesë bektashiane të Gjakovës. Vëllai jonë, baba Mumini, njihej gjithandej për qetësinë që reflektonte, për urtësinë e bujarinë e madhe. Tregonte respektin për çdo qenie njerëzore, ngrihej me konsideratë si për fëmijët ashtu për të moshuarit. Nuk dallonte njerëzit në elemente që diferencojnë, por këto i konsideronte pasuri të esencës së qenies njeri. Ndarja nga kjo jetë e vëllait tonë baba Mumin Lamaj, është një humbje për ne të gjithë besimtarët bektashianë kudo ku ndodhen në botë, njëkohësisht dhe një detyrim për të punuar më shumë, bashkë me myhibët, klerikët, besimtarët e  dashamirësit, për të çuar më tej misionin fetar e atdhetar të baba Mumin Lamës, në teqenë e njohur të Gjakovës. Baba Mumini qoftë drita jonë që na udhëzon në shtegun e pastër të Ehli Bejtit!..”  Në vazhdim, përshëndetën këtë përcjellje, familjarë e përfaqësues  të Gjyshatës së Gajkovës dhe myftiu i Gjakovës.

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, udhëhoqi dhe ritet fetare të përcjelljes nga kjo botë të klerikut bektashi, baba Mumin Lama.
Ndërkohë, pranë arkë-mortit të klerikut, mes kurorave e buqetave me lule nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjollca Osmani; Kryeministrit Abdulla Hoti; kryetarit e Komunës së Gjakovës, zotëri Ardian Gjini, për ambasadorët e shteteve mike në Kosovë, për zotëri Ramush Hararinaj, për zonjat Mimoza Kusari Lila, Arbërie Nagavci e Teuta Haxhiu, për zotërinjt Shefqet Shehu e dhjetëra të tjerëve, ishte dhe ajo e nxënësve e mësuesve të gjimnazit “Hajdar Dushi”, të cilëve, gjatë luftës për liri në Kosovë, baba Mumini u hapi teqenë e Gjakovës për zhvillimin e mësimit.

Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI