Ditën e sotme, 8 tetot 2021, Gjenerali Libanez Abbas Ibrahim zhvilloi një vizitë në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, Selia e Shenjtë, në Tiranë, ku është pritur nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Gjenerali Ibrahim ka dhënë një kontribut të çmuar në krye të shumë misioneve të shpëtimit nga kampi i ferrit të Al-Holit në Siri, dhe jo vetëm të shumë shqiptarëve, mes tyre dhe Alvin Berishës.
Kryegjyshi Dede Edmond Brahimaj, pasi i ka uruar mirëseardhjen, e njohu Gjeneralin Ibrahim me udhëtimin shpirtëror të bektashinjve prej vitit 1930, kur Qendra Botërore u vendos në Tiranë dhe deri më sot si dhe bëri me dije gjithashtu, për sakrificat e panumërta të klerikëve bektashinj, kontributin e tyre për liri e pavarësi, si edhe urtësinë për t’iu afruar me devocion Krijuesit.
Dede Edmond Brahimaj, nënvizoi rëndësinë që ka parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm, si një investim jetik për paqen dhe sigurinë, duke sqaruar që legjislacioni shqiptar dhe politikat aktive të qeverisë shqiptare kanë ndihmuar dhe do të ndihmojnë në aspektin parandaluese të luftës kundër radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Midis të tjerave, në takim, Kryegjyshi foli për projektet për luftën kundër ekstremizmit, ku Kryegjyshata është e hapur dhe bashkëpunuese.
Më pas vizita vijoi në mjediset e Odeonit (qendër fetare-kulturore), ku gjenerali Brahim u njoh nga afër me muzeun e bektashizmit, bibliotekën, arkivin, fototekën/fonotekën, galerinë etj.
Nga ana e tij, Gjenerali Libanez Abbas Ibrahim u shpreh i kënaqur për pritjen, duke vlerësuar lart kontributin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, si në kontekst të harmonisë fetare, dialogut ndërfetar, ashtu edhe sfidat e lirisë së besimit dhe të fesë, gjë e cila, mund të merret edhe si model nga shumë vende të tjera të Europës.
Në takim mori pjesë edhe z.Gledis Nano drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë.