Gjykata Ndërkombëtare e Srasburgut me një vendim të veçantë, njohu Komunitetin Bektashian në Maqedoni, për t'u regjistruar si Komunitet më vehte. Kjo është një ngjarje e rëndësishme, jo vetëm për besimtarët bektashianë në Maqedoni, por edhe të besimeve të tjera në këtë vend. Është i njohur kontributi dhe ndihmesa e këtij komuniteti, në Maqedoni, për harmoninë fetare, si dhe mesazhet, që kanë dhënë udhëheqësit shpirtërorë të këtij komuniteti për bashkëjetesën fetare. Gjithashtu, në momente të rëndësishme të historisë së shqiptarëve në këto troje, është i njohur kontributi i komunitetit bektashian në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare e më gjerë.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Dede Edmond Brahimaj, me këtë rast përshëndeti Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare në Strasburg, si dhe transmetoi mesazhet e paqes, dashurisë dhe mirësisë, që Komuniteti Bektashian në Maqedoni, i ka në bazën e vet të të gjithë veprimtarisë së vet. Ky Komunitet ka qënë e do të jetë faktor paqe dhe urë lidhesë për të mirën e popujve në këtë vend, si dhe të komuniteteve fetare, që ushtrojnë besimin në këtë vend.